INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Takimi Tripalësh i Nivelit të Lartë mbi Mbrojtjen Sociale për Punonjësit Sezonalë.

Tiranë – 25 Mars 2026
U zhvillua “Takimi Tripalësh i Nivelit të Lartë mbi Mbrojtjen Sociale për Punonjësit Sezonalë”, i organizuar nga International Labour Organization (ILO), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, sindikatave dhe ekspertëve ndërkombëtarë.
KSSH u përfaqësua nga Kol Nikollaj, President i KSSH, dhe Anisa Subashi, Zv. Presidente dhe Sekretare e Përgjithshme e Federatës Sindikale të Administratës Publike dhe Shërbimit Civil, njëkohësisht anëtare e Komitetit Shtetëror të Turizmit dhe Mikpritjes, si përfaqësuese e sindikatave në vend, Përparim Duka Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Sindikale të Tregtisë, Turizmit dhe Shërbimit Bankar, antare e KSSH.
Në këtë takim u trajtuan në mënyrë të zgjeruar sfidat me të cilat përballen punonjësit e turizmit dhe punonjësit sezonalë, si informaliteti, mungesa e kontratave të qëndrueshme, pasiguria ekonomike dhe fenomeni i punësimit të të huajve në këtë sektor.
KSSH rithekson se përmirësimi i kushteve të punës dhe formalizimi i tregut janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në vend.
Një vlerë e shtuar e këtij takimi ishte prezantimi i përvojave nga ekspertë dhe drejtues publikë nga Greqia, Italia, Spanja dhe Portugalia, vende mesdhetare me kushte të ngjashme klimatike dhe potencial të zhvilluar turistik. Modelet e tyre dëshmojnë se përmes politikave të qëndrueshme, dialogut social dhe mbrojtjes efektive të punonjësve, mund të ndërtohet një treg pune më i drejtë dhe më funksional.
Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përfshirjes së punonjësve sezonalë në platformat dixhitale dhe riintegrimi i punonjësve të kthyer nga emigracioni, duke përfituar nga përvoja e tyre për të rritur standardet e punës dhe për të frenuar fenomenin e shpopullimit.
KSSH thekson se punonjësit sezonalë janë ndër kategoritë më të pambrojtura në tregun e punës dhe se trajtimi i tyre duhet të ndryshojë rrënjësisht. Ata nuk janë fuqi punëtore e përkohshme për t’u përdorur sipas nevojave të tregut, por individë me të drejta të plota që meritojnë siguri, dinjitet dhe mbrojtje të barabartë.
Në këtë drejtim, KSSH nënvizon se organizimi dhe anëtarësimi i punonjësve sezonalë në sindikata është rruga e vetme për të garantuar mbrojtje reale, përfaqësim të denjë dhe ndërtimin e një tregu pune fleksibël, por njëkohësisht të formalizuar dhe të drejtë.
Punonjësit sezonalë kërkojnë dhe meritojnë:
• Qëndrueshmëri reale në punësim – përmes kontratave të rregullta dhe mekanizmave që garantojnë rikthimin në punë nga një sezon në tjetrin, duke shmangur pasigurinë dhe abuzimin.
• Mbështetje financiare gjatë gjithë vitit – përmes politikave shtetërore që sigurojnë të ardhura dhe mbështetje edhe jashtë sezonit turistik, duke garantuar stabilitet ekonomik për familjet e tyre.
• Kontrata kolektive kombëtare të detyrueshme – të cilat duhet të zbatohen dhe monitorohen me rigorozitet, për të siguruar respektimin e të drejtave dhe standardeve të punës.
• Pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore gjatë gjithë vitit – si një detyrim i shtetit dhe punëdhënësve, për të garantuar mbrojtje sociale dhe akses në shërbime për çdo punonjës sezonal.
Të drejtat e punonjësve sezonalë nuk mund të injorohen më. Ata duhet të dëgjohen, të përfaqësohen dhe të organizohen fuqishëm në sindikata, si e vetmja garanci për mbrojtjen e interesave të tyre dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt në tregun e punës.
Share