INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH: MBËSHTESIM VENDIMIN PËR SHFUQIZIMIN E LEJES MJEDISORE TË KURUM INTERNATIONAL – LIGJI, JETA DHE SHËNDETI I NJERËZVE JANË MBI ÇDO INTERES EKONOMIK!

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh mbështetjen dhe solidaritetin e plotë me vendimin e Ministrisë së Mjedisit për shfuqizimin e lejes mjedisore të kompanisë KURUM INTERNATIONAL, për aktivitetin e saj industrial në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.
Ky vendim përbën një akt të rëndësishëm në funksion të mbrojtjes së interesit publik, të së drejtës kushtetuese për një mjedis të shëndetshëm, të sigurisë në punë dhe të mbrojtjes së jetës e shëndetit të qytetarëve dhe punëtorëve.
KSSH e ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme shqetësimin për pasojat e rënda që veprimtaria e kësaj kompanie ka shkaktuar në mjedis, në sigurinë dhe shëndetin e punonjësve, si dhe në jetën ekonomike dhe sociale të komunitetit të Elbasanit. Për ne, këto nuk kanë qenë dhe nuk janë çështje të zakonshme administrative, por probleme madhore të së drejtës për jetën, dinjitetin njerëzor, punën e denjë dhe mbrojtjen e shëndetit në vendin e punës.
Industria dhe zhvillimi ekonomik nuk mund të justifikojnë në asnjë rrethanë shkeljen e standardeve mjedisore, cenimin e sigurisë së punëtorëve dhe ekspozimin e qytetarëve ndaj rreziqeve që mund të kenë pasoja afatgjata dhe të pakthyeshme. Asnjë interes privat apo fitim ekonomik nuk mund të vendoset mbi jetën, shëndetin dhe sigurinë e njerëzve.
KSSH vlerëson se shfuqizimi i lejes mjedisore duhet të shërbejë edhe si pikënisje për një proces të plotë të përgjegjshmërisë institucionale dhe ligjore. Është e papranueshme që, përballë shqetësimeve të përsëritura dhe problematikave serioze, struktura të pushtetit vendor dhe të kontrollit shtetëror, përfshirë edhe strukturat e inspektimit të punës, të kenë mbajtur qëndrime pasive, oportuniste apo favorizuese ndaj interesave të subjektit privat, në vend që të përmbushnin detyrimet e tyre ligjore për mbrojtjen e punëtorëve dhe zbatimin e legjislacionit.
Institucionet publike nuk janë garantuese të interesave të kompanive, por mbrojtëse të ligjit, qytetarëve dhe punëmarrësve. Çdo neglizhencë, mosveprim apo tolerim i shkeljeve duhet të hetohet dhe të marrë përgjegjësinë përkatëse administrative dhe ligjore, në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin në fuqi.
Në këtë kuadër, KSSH kërkon:
  1. Zbatimin e plotë dhe pa kompromis të vendimit për shfuqizimin e lejes mjedisore dhe ndalimin e çdo aktiviteti që nuk është në përputhje me ligjin.
  2. Hetimin e plotë të përgjegjësive për dëmet mjedisore, shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuara ndër vite.
  3. Kontrollin e pavarur të kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe evidentimin e pasojave të ekspozimit profesional të punëtorëve.
  4. Verifikimin e përgjegjësisë së institucioneve dhe inspektorateve që kanë pasur detyrimin ligjor të kontrollojnë aktivitetin e kompanisë.
  5. Garantimin e të drejtave të punëtorëve, të pagave, të sigurimeve shoqërore dhe të çdo detyrimi që rrjedh nga marrëdhëniet e punës, duke mos lejuar që punëmarrësit të bëhen viktima të një situate për të cilën nuk mbajnë përgjegjësi.
  6. Hartimin e një plani serioz për rehabilitimin mjedisor të zonës dhe monitorimin afatgjatë të ndikimit të ndotjes në shëndetin e komunitetit.
KSSH thekson se mbështetja për këtë vendim nuk nënkupton qëndrimin kundër industrisë, investimeve apo zhvillimit ekonomik. Përkundrazi, ne jemi për një industri të përgjegjshme, konkurruese dhe të qëndrueshme, ku investitori respekton ligjin, mjedisin, kontratat kolektive dhe të drejtat themelore të punëmarrësve.
Zhvillimi ekonomik nuk mund të ndërtohet mbi koston e shëndetit të punëtorëve, shkatërrimin e mjedisit dhe cenimin e jetës së komunitetit.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë do të vijojë të jetë në krah të punëtorëve dhe qytetarëve të Elbasanit, duke kërkuar transparencë, drejtësi, përgjegjësi institucionale dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë.
Jeta, shëndeti, siguria në punë dhe dinjiteti i punëtorëve nuk janë të negociueshme!
KONFEDERATA E SINDIKATAVE TË SHQIPËRISË (KSSH)
                                 Presidenti
                               Kol Nikollaj
Share