INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Qëndrim i KSSH-së kundër koncesionimit të shërbimeve arsimore publike.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh kundërshtimin e saj të prerë ndaj çdo nisme për dhënien me koncesion të shërbimeve arsimore publike, si një akt që cenon drejtpërdrejt interesin publik, autonominë e sistemit arsimor dhe rolin kushtetues të shtetit.
Pas një eksperience problematike dhe të kontestuar gjerësisht me koncesionet në sektorë të ndryshëm, përfshirë trashëgiminë kulturore, ku Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka marrë në administrim pasuri kombëtare me rëndësi të veçantë si Butrinti, Durrësi, Gjirokastra dhe Elbasani, sot po tentohet një hap edhe më i rëndë: delegimi i funksioneve kyçe të arsimit publik tek një organizatë private , OJF.
Projektligji i propozuar synon t’i japë AADF-së rol vendimmarrës mbi Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe mbi procese thelbësore si provimet kombëtare, licencimi i profesionistëve, njohja e diplomave dhe përcaktimi i tarifave për shërbimet arsimore.
Ky është një zhvillim i papranueshëm, i cili përbën një zhvendosje të rrezikshme të kompetencave nga shteti tek një subjekt jopublik, duke minuar parimet themelore të shtetit të së drejtës.
KSSH e konsideron këtë nismë si një përpjekje për privatizimin e funksioneve strategjike të arsimit, në kundërshtim me interesin qytetar dhe me standardet që kërkon një sistem arsimor modern dhe gjithëpërfshirës.
Arsimi nuk mund të trajtohet si një sektor fitimi apo si një treg shërbimesh; ai është një e drejtë themelore dhe një përgjegjësi ekskluzive e shtetit.
Përvoja e koncesioneve në shëndetësi, në shërbime të teknologjisë së informacionit dhe në sektorë të tjerë ka treguar qartë se ky model nuk garanton cilësi, por prodhon kosto të larta, mungesë transparence dhe shpeshherë abuzim me fondet publike.
Në vend të përmirësimit të shërbimit, është vënë re një orientim drejt përfitimit financiar, duke lënë në plan të dytë interesin e qytetarëve.
Zbatimi i këtij modeli në arsim do të sillte pasoja të rënda: dobësim të kontrollit publik, fragmentarizim të sistemit, cenim të standardeve profesionale dhe rritje të rrezikut për korrupsion në proceset e licencimit dhe të menaxhimit të shërbimeve. Po ashtu, vendosja e tarifave nga një subjekt privat për shërbime thelbësore krijon barriera të reja dhe përjashtuese për qytetarët.
KSSH vlerëson se ky projekt nuk është një reformë në funksion të përmirësimit të arsimit, por një hap prapa që rrezikon të zhbëjë parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet një sistem arsimor i drejtë, cilësor dhe i aksesueshëm për të gjithë.
Në vend të eksperimenteve të dështuara me koncesione, vendi ka nevojë për forcimin e institucioneve publike, rritjen e investimeve në arsim, përmirësimin e kushteve për mësuesit dhe garantimin e standardeve të larta në të gjitha hallkat e sistemit.
KSSH i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë që të tërhiqen nga kjo nismë dhe të hapin një proces të gjerë konsultimi me aktorët e arsimit, sindikatat dhe publikun. Çdo reformë në arsim duhet të ndërtohet mbi transparencë, përgjegjshmëri dhe mbi parimin e mbrojtjes së interesit publik.
Arsimi publik nuk është për t’u dhënë me koncesion. Ai është një shtyllë e shtetit dhe një garanci për të ardhmen e vendit.
Presidenti i KSSH.
Kol Nikollaj.
Share