Me 05.06.2026 , Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë – KSSH shënon me krenari 35-vjetorin e themelimit të saj, një jubile i rëndësishëm në historinë e lëvizjes sindikale shqiptare, që përkon njëkohësisht me inaugurimin e selisë së re “Shtëpia e Sindikatave”, një hapësirë moderne dhe bashkëkohore në shërbim të punëtorëve shqiptarë dhe misionit sindikal.
Ky përvjetor nuk është thjesht një datë kalendarike. Është historia e 35 viteve përballje, sakrificash, rezistence dhe transformimi. Është rrugëtimi i një organizate sindikale që lindi në një periudhë të vështirë tranzicioni dhe u konsolidua si zëri më i fuqishëm, më përfaqësues dhe më i besueshëm i punëtorëve shqiptarë.
“Shtëpia e Sindikatave” nuk është vetëm një godinë e re. Ajo simbolizon forcimin e kapaciteteve organizative të KSSH-së, rritjen e përgjegjësisë institucionale, modernizimin e imazhit sindikal dhe krijimin e kushteve dinjitoze të punës për ata që mbrojnë të drejtat e punëtorëve.
Është një investim në të ardhmen e sindikalizmit shqiptar dhe një dëshmi konkrete se KSSH vazhdon të ecë me kohën, në përputhje me zhvillimet ekonomike, sociale dhe integruese të vendit drejt Bashkimit Europian.
Për 35 vite me radhë, KSSH ka qenë në vijën e parë të betejave sociale e sindikale. Grevat, protestat, tubimet, fushatat sensibilizuese, negociatat kolektive dhe ballafaqimet institucionale me qeveritë dhe punëdhënësit kanë qenë pjesë e pandarë e misionit të saj.
Në çdo etapë të zhvillimit të vendit, KSSH ka mbrojtur me vendosmëri dinjitetin e punës dhe të drejtat themelore të punëtorëve shqiptarë.
Historia e KSSH-së është histori transformimi demokratik. Nga një organizatë e krijuar në kushtet e tranzicionit, ajo u shndërrua në një institucion modern, të pavarur politikisht dhe ekonomikisht, me standarde europiane përfaqësimi dhe dialogu social.
KSSH ka qenë dhe mbetet avokatja besnike e njerëzve të punës, pa kompromis ndaj padrejtësive sociale, korrupsionit, oligarkisë politike dhe ekonomike, si dhe çdo forme abuzimi me të drejtat e punëmarrësve.
Në këto 35 vite, KSSH ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me shoqërinë civile, botën akademike, partnerët ndërkombëtarë dhe lëvizjen sindikale europiane e botërore, duke sjellë në Shqipëri përvojat më të mira të sindikalizmit modern perëndimor.
KSSH ka kontribuar në reformimin dhe konsolidimin e sindikalizmit shqiptar si një faktor i rëndësishëm demokratik dhe social në vend.
Një nga arritjet më domethënëse të KSSH mbetet zgjerimi i anëtarësisë, sidomos në sektorin privat të ekonomisë, aty ku sfidat për mbrojtjen e punëtorëve janë më të mëdha. Përfshirja e grave dhe të rinjve në strukturat drejtuese, promovimi i dialogut, bashkëjetesa me mendime të ndryshme dhe mbrojtja e vlerave historike e kombëtare kanë qenë pjesë e identitetit të saj organizativ.
KSSH ka qenë gjithashtu pranë pensionistëve, invalidëve, familjeve në nevojë dhe çdo qytetari që kërkon drejtësi sociale dhe dinjitet njerëzor.
Mbrojtja ligjore individuale dhe kolektive e punëtorëve, nënshkrimi i kontratave kolektive dhe forcimi i negociatave sociale mbeten shtyllat kryesore të veprimtarisë së saj.
Sot, pas 35 vitesh histori, përvojë dhe përkushtim, KSSH qëndron më e fortë, më e organizuar dhe më e vendosur për të përballuar sfidat e kohës.
Në një realitet të ri ekonomik e social, në kushtet e globalizimit dhe integrimit europian, zëri i punëtorëve shqiptarë ka nevojë më shumë se kurrë për një organizatë të fuqishme, të përgjegjshme dhe të besueshme.
KSSH mbetet sindikata më përfaqësuese e punëtorëve shqiptarë, mbrojtësja e palëkundur e interesave të tyre, garantja e dinjitetit të punës dhe promovuesja e vlerave më të mira sociale e demokratike.
35 vite histori.
35 vite qëndrese.
35 vite përkushtim për punën, dinjitetin dhe drejtësinë sociale.
Me krenari për rrugën e bërë dhe me besim tek e ardhmja, KSSH vazhdon misionin e saj në shërbim të punëtorëve shqiptarë dhe Shqipërisë europiane.
Kol Nikollaj
President i KSSH-së.


