KSSH në 1 Maj i paraqiti Kryeministrit një sërë kërkesash për tu ulur në tavolinë për të diskutuar dhe negociuar institucionalisht.
Në fushën ekonomike dhe sociale, kërkojmë:
• Paga të drejta dhe përcaktimin/ garantimin e minimumit jetik;
• Paga minimale të përballueshme me koston reale të jetesës;
• Pensione të denja për çdo qytetar, nëpërmjet një reforme të drejtë dhe të qëndrueshme të sistemit të pensioneve;
• Pagë të 13-të për të gjithë të punësuarit, në sektorin publik dhe privat;
• Status të posaçëm dhe të merituar për minatorët dhe profesionet e vështira;
• Siguri në punë dhe mbrojtje të plotë të jetës dhe shëndetit të punëtorëve;
• Zbatim të standardit: 5 ditë pune në javë dhe 8 orë në ditë, duke i dhënë fund çdo forme shfrytëzimi;
• Zgjerim të kontratave kolektive dhe garantim të një dialogu social të vërtetë dhe efektiv.
Në fushën e shërbimeve publike dhe mirëqenies sociale, kërkojmë:
• Sistem shëndetësor falas dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët;
• Arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë, si e drejtë dhe jo privilegj;
• Shërbime publike funksionale dhe të garantuara;
• Administratë publike profesionale, të depolitizuar dhe në shërbim të ligjit.
Në përballje me koston e jetesës, kërkojmë:
• Çmime të përballueshme për ushqimet bazë;
• Eliminim të abuzimeve me çmimet e karburanteve dhe vendosjen e çmimeve reale;
• Transport publik efikas dhe të aksesueshëm për çdo qytetar.
Në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, kërkojmë:
• Mbështetje konkrete për bujqësinë dhe prodhimin vendas;
• Politika për mbrojtjen e mjedisit dhe garantimin e një jete të shëndetshme;
• Politika favorizuese për të rinjtë dhe krijimin e mundësive reale për punësim;
• Masa urgjente për ndalimin e shpopullimit dhe emigrimit masiv;
• Garantimin e barazisë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave;
• Standarde jetese dinjitoze për çdo familje shqiptare.
Në kuadër të aspiratës kombëtare, kërkojmë një integrim real në Bashkimin Evropian, të bazuar në standarde konkrete dhe tëprekshme për qytetarët, dhe jo vetëm në angazhime formale.
Koha për premtime ka përfunduar. Koha për veprim është tani.


