Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh solidaritetin e plotë dhe mbështetjen e pakushtëzuar për minatorët e Minierës së Kromit në Bulqizë, të cilët kanë ndërmarrë veprime protestuese në mbrojtje të të drejtave të tyre ekonomike, sociale dhe sindikale.
Minatorët e Bulqizës, të cilët prej dekadash përballen me kushte të vështira dhe rreziqe të përditshme në vendin e punës, kanë ngritur shqetësime të drejta dhe plotësisht ligjore lidhur me respektimin e kontratave të punës, pagesën e pagës së 13-të, sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe lirinë e organizimit sindikal.
KSSH vlerëson se këto kërkesa janë legjitime dhe duhet të marrin zgjidhje të menjëhershme përmes dialogut social dhe respektimit të legjislacionit të punës.
Jemi thellësisht të shqetësuar nga raportimet e vazhdueshme për presione, intimidime dhe kërcënime ndaj punëtorëve, përpjekje për t’u mohuar atyre të drejtën kushtetuese dhe ligjore për t’u organizuar lirisht në sindikatën që zgjedhin vetë, si dhe tentativat për t’i detyruar të anëtarësohen në struktura që nuk përfaqësojnë interesat e tyre reale. Po aq të papranueshme janë edhe përpjekjet për t’u imponuar heshtje në media dhe në publik, duke cenuar lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të denoncuar problematikat që prekin jetën dhe punën e tyre.
KSSH rikujton se paga e 13-të, e përfituar dhe e zbatuar prej vitesh në marrëdhëniet e punës, nuk mund të hiqet në mënyrë të njëanshme nga punëdhënësi, në kundërshtim me parimet dhe dispozitat e Kodit të Punës dhe me standardet e dialogut social. Çdo ndryshim në kushtet e punës dhe të shpërblimit duhet të realizohet në përputhje me ligjin dhe në konsultim me përfaqësuesit legjitimë të punëtorëve.
Gjithashtu, mbeten të pazgjidhura një sërë problemesh serioze që lidhen me sigurinë në punë, pajisjen e pamjaftueshme me mjete dhe pajisje mbrojtëse, normat e punës të paargumentuara teknikisht dhe të rritura artificialisht, si dhe mungesën e transparencës mbi rezultatet ekonomike dhe fitimet e kompanisë.
KSSH kërkon që institucionet shtetërore përgjegjëse, veçanërisht Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe organet e tjera mbikëqyrëse, të ushtrojnë me përgjegjësi detyrat e tyre ligjore dhe të garantojnë zbatimin e standardeve të punës, paanshmërinë institucionale dhe mbrojtjen efektive të punëmarrësve.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë u bën thirrje minatorëve të Bulqizës të qëndrojnë të bashkuar, të mos i nënshtrohen frikës dhe presioneve, dhe të mbrojnë me vendosmëri të drejtat e tyre. Historia ka treguar se vetëm përmes organizimit sindikal të pavarur, solidaritetit dhe unitetit mund të arrihen rezultate konkrete në mbrojtje të dinjitetit të punës dhe interesave të punëtorëve.
KSSH do të vazhdojë të jetë në krah të minatorëve të Bulqizës, ashtu siç ka qenë edhe në periudhat më të vështira të betejave të tyre sindikale, duke ofruar mbështetje, përfaqësim dhe mbrojtje të pandërprerë për çdo të drejtë të cenuar.
Respekt për punën e minatorëve!
Mbrojtje për të drejtat e tyre!
Solidaritet dhe unitet sindikal!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH)


