INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Përgënjeshtrim dhe qëndrim zyrtar i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, KSSH.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), nisur nga dezinformimet dhe deklaratat e shpërndara së fundmi në ambientet e Minierës së Kromit në Bulqizë dhe në opinionin publik, e konsideron të domosdoshme të sqarojë qëndrimin e saj zyrtar dhe të përgënjeshtrojë çdo përpjekje për të mashtruar minatorët dhe për të cenuar lirinë e organizimit sindikal.
KSSH deklaron qartë dhe pa asnjë ekuivok se nuk ka asnjë lidhje organizative, statutore apo përfaqësuese me të ashtuquajturën “Sindikata e Industrisë së Rëndë”. Kjo strukturë nuk është pjesë e KSSH-së dhe nuk gëzon asnjë lloj njohjeje apo legjitimiteti brenda organizimit tonë konfederal.
Personat që pretendojnë drejtimin e kësaj strukture janë shkarkuar prej kohësh nga të gjitha funksionet sindikale që kanë ushtruar në strukturat e KSSH-së dhe të federatave anëtare të saj.
Veprimtaria e tyre ka qenë objekt i procedurave të brendshme organizative dhe i kallëzimeve pranë organeve kompetente të drejtësisë për shkelje të rënda të besimit sindikal, abuzime me funksionin përfaqësues, përfitime të padrejta dhe veprime që bien ndesh me interesat e punëtorëve.
KSSH shpreh shqetësimin e saj të thellë për faktin se një pjesë e minatorëve të Bulqizës vazhdojnë të jenë subjekt i presioneve dhe ndikimeve që synojnë largimin e tyre nga organizimi sindikal i lirë dhe i pavarur.
Çdo përpjekje për të imponuar organizata të kontrolluara, të sponsorizuara apo të ndikuara nga punëdhënësi përbën cenim të rëndë të Konventave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, të Kodit të Punës dhe të vetë parimeve themelore të lirisë sindikale.
Federata Sindikale e Industrisë së Shqipërisë, anëtare e KSSH-së, mbetet organizata përfaqësuese që ka mbrojtur historikisht interesat e minatorëve dhe disponon dokumentacionin e nevojshëm ligjor që vërteton statusin dhe legjitimitetin e saj përfaqësues.
KSSH denoncon publikisht çdo përpjekje për manipulimin e minatorëve, përçarjen e tyre dhe përdorimin e emrit të sindikalizmit për interesa që nuk kanë asnjë lidhje me mbrojtjen e punëtorëve.
Historia e lëvizjes sindikale shqiptare ka treguar se pseudo-sindikatat e krijuara për t’i shërbyer interesave të punëdhënësve nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë dobësuar zërin e punëtorëve dhe kanë dëmtuar kauzat e tyre të drejta.
U bëjmë thirrje minatorëve të Bulqizës të mos bien pre e mashtrimeve dhe propagandës së kujtdo që kërkon të përfitojë në kurriz të djersës, sakrificës dhe gjakut të tyre.
I ftojmë të qëndrojnë të bashkuar, të mbështesin organizimin sindikal të pavarur dhe të mbrojnë me vendosmëri të drejtat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale.
Njëkohësisht, KSSH i kërkon Inspektoratit Shtetëror të Punës, institucioneve përgjegjëse dhe organeve të drejtësisë të ushtrojnë detyrimet e tyre ligjore me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke mos lejuar që të bëhen pjesë e asnjë ndikimi apo pazari që cenon të drejtat e punëmarrësve.
Zbatimi i ligjit, mbrojtja e lirisë sindikale dhe garantimi i dialogut social janë detyrime kushtetuese dhe ligjore që nuk mund të negociohen.
KSSH do të vazhdojë të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për të mbrojtur minatorët e Bulqizës dhe çdo punëtor shqiptar nga padrejtësitë, presionet dhe shkeljet e të drejtave themelore të punës.
Jo sindikatave të kontrolluara nga punëdhënësit!
Po lirisë sindikale dhe përfaqësimit të vërtetë të punëtorëve!
Solidaritet me minatorët e Bulqizës!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH)
Share