INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Zv.Presidentja e KSSH, Anisa Subashi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian: Integrimi europian kërkon dialog social dhe administratë të fortë publike.

Zv.Presidentja e KSSH, Anisa Subashi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian: Integrimi europian kërkon dialog social dhe administratë të fortë publike.
Në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ku u diskutua mbi fazën finale të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe prioritetet për vitin 2026, Zv. Presidentja e KSSH-së dhe Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Sindikale të Administratës Publike dhe Shërbimit Civil, Anisa Subashi, theksoi rëndësinë e përfshirjes reale të partnerëve socialë në procesin e integrimit europian.
Në fjalën e saj, Anisa Subashi nënvizoi se integrimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm një proces teknik apo politik, por një angazhim i përbashkët që duhet të mbështetet në kohezion social, dialog të vazhdueshëm dhe bashkëpunim institucional.
Ajo evidentoi rolin kyç të sindikatave në hartimin dhe monitorimin e reformave, si dhe nevojën për konsultim të vazhdueshëm me partnerët socialë.
Një vëmendje të veçantë ajo i kushtoi forcimit të administratës publike, duke theksuar se një administratë profesionale, e qëndrueshme dhe e mbështetur me resurset e nevojshme ekonomike e infrastrukturore është thelbësore për përmbushjen me sukses të detyrimeve që burojnë nga negociatat me BE-në.
Gjithashtu, Zv.Presidentja kërkoi politika konkrete mbështetëse për punonjësit e administratës publike, investime në shërbimet publike dhe forcim të dialogut social si element kyç për garantimin e standardeve europiane në marrëdhëniet e punës.

KSSH rithekson angazhimin e saj për një Shqipëri europiane, me institucione të forta, administratë moderne dhe mbrojtje të të drejtave të punëmarrësve.

Share