INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë – Mesazh solidariteti me studentët shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh solidaritetin e plotë dhe mbështetjen e saj të pakushtëzuar për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po ngrejnë zërin në mbrojtje të një të drejte themelore: përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale dhe në çdo institucion të shtetit ku shqiptarët janë qytetarë të barabartë dhe element shtetformues.
E drejta për të studiuar, për t’u arsimuar dhe për t’u testuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një e drejtë universale njerëzore, demokratike dhe kushtetuese.
Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është thjesht një mjet komunikimi; ajo është pjesë e identitetit, historisë, kulturës dhe kontributit të shqiptarëve në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit maqedonas.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues dhe kontribuues të rëndësishëm në jetën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit. Për këtë arsye, përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare duhet të respektohet dhe të zbatohet në praktikë, pa pengesa administrative, diskriminuese apo politike.
KSSH vlerëson se bashkëjetesa etnike, respekti reciprok dhe barazia qytetare janë themeli mbi të cilin ndërtohet integrimi demokratik dhe europian i Maqedonisë së Veriut. Mohimi apo kufizimi i të drejtave gjuhësore nuk i shërben harmonisë ndëretnike dhe as perspektivës europiane të shtetit, por krijon ndasi dhe pasiguri te qytetarët.
Studentët shqiptarë që protestojnë sot në Shkup nuk po kërkojnë favore. Ata po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respektimin e standardeve demokratike që çdo shtet modern duhet të garantojë për qytetarët e vet. Zëri i tyre është zëri i një gjenerate që kërkon të jetojë në një shoqëri ku askush nuk ndihet i diskriminuar për shkak të gjuhës apo identitetit të tij kombëtar.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i bën thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të reflektojnë me përgjegjësi, të dialogojnë me studentët dhe të japin zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën, Marrëveshjen e Ohrit dhe standardet europiane për të drejtat e njeriut dhe të pakicave.
Në këtë moment të rëndësishëm, KSSH qëndron pranë studentëve shqiptarë dhe çdo qytetari që mbron të drejtën për arsimim, dinjitet dhe barazi.
Solidariteti ynë është i palëkundur.Gjuha shqipe është identitet, e drejtë dhe vlerë e patjetërsueshme.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, KSSH.
Share