Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) mori pjesë sot në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), ku u diskutua tema “Shqipëria – në fazën e fundit të Rrugës Europiane”, si dhe Raporti Vjetor i KKIE për vitin 2025 dhe plani i aktiviteteve për vitin 2026.
KSSH u përfaqësua në këtë takim nga Presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj, si dhe nga Zv.Presidentja dhe Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Sindikale të Administratës Publike dhe Shërbimit Civil, Anisa Subashi.
Takimi u përshëndet nga Bashkëkryetari i KKIE-së, Z.Taulant Balla, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Znj.Majlinda Dhuka, si dhe Ministri i Drejtësisë, Z.Toni Gogu, të cilët vlerësuan progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian dhe theksuan rëndësinë e reformave në drejtësi, forcimit të institucioneve demokratike dhe përmbushjes së standardeve europiane.
Në diskutime u nënvizua fakti se hapja e grupkapitujve negociues përfaqëson një moment historik për vendin dhe kërkon angazhim të përbashkët institucional e shoqëror.
Gjatë mbledhjes, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndanë pikëpamjet e tyre mbi sfidat dhe prioritetet e procesit të integrimit europian.
Kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Znj.Milva Ekonomi, u ndal tek rëndësia e reformave ekonomike, formalizimi i ekonomisë dhe përmirësimi i klimës së biznesit, ndërsa Z.Damian Gjiknuri theksoi rëndësinë e reformës zgjedhore, luftës kundër korrupsionit dhe monitorimit të zbatimit të legjislacionit në përputhje me standardet e BE-së.
Nga ana tjetër, Znj.Anila Denaj vuri theksin tek reformat në sektorin e energjisë, mjedisit dhe infrastrukturës, ndërsa Znj.Olta Xhaçka nënvizoi rolin e Shqipërisë si partner i besueshëm euroatlantik dhe rëndësinë strategjike të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Znj.Lefterije Lleshi (Luzi), evidentoi nevojën për një administratë publike profesionale, të bazuar në meritokraci dhe me kapacitete të forta institucionale.
Në diskutimet e zhvilluara, u theksua gjithashtu rëndësia e përfshirjes së institucioneve të pavarura, shoqërisë civile dhe partnerëve socialë në procesin e integrimit.
Përfaqësues të organizatave dhe institucioneve të ndryshme kërkuan më shumë transparencë, konsultim dhe përfshirje reale të aktorëve socialë në proceset reformuese dhe negociuese.
Në emër të KSSH-së, znj. Anisa Subashi theksoi rëndësinë e procesit të integrimit europian si një proces gjithëpërfshirës, i cili duhet të mbështetet në kohezion social, dialog të vazhdueshëm dhe bashkëpunim institucional.
Ajo nënvizoi se integrimi europian nuk mund të shihet vetëm si një proces teknik apo politik, por si një angazhim i përbashkët që duhet të përfshijë në mënyrë reale partnerët socialë dhe veçanërisht sindikatat.
Në fjalën e saj, Anisa Subashi evidentoi nevojën për forcimin e kapaciteteve të administratës publike, duke theksuar se një administratë profesionale, e qëndrueshme dhe e mbështetur me resurset e nevojshme ekonomike dhe infrastrukturore është thelbësore për përmbushjen me sukses të detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave me Bashkimin Europian.
Gjithashtu, ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes së punonjësve të administratës publike përmes politikave sociale dhe investimeve konkrete që garantojnë eficiencë, profesionalizëm dhe motivim në ushtrimin e detyrës.
Sipas saj, reformat e kërkuara nga procesi i integrimit duhet të shoqërohen me masa reale mbështetëse për administratën dhe shërbimet publike.
Në vijim të diskutimit, përfaqësuesja e KSSH ngriti nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe sindikatave, duke vlerësuar dialogun social si një element kyç për ndërtimin e politikave të qëndrueshme dhe për garantimin e standardeve europiane në marrëdhëniet e punës.
Ajo kërkoi përfshirje reale dhe aktive të sindikatave në proceset integruese, në hartimin dhe monitorimin e reformave, si dhe në konsultimet që lidhen me legjislacionin dhe politikat publike.
KSSH rithekson angazhimin e saj për të kontribuar në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke mbrojtur të drejtat e punëmarrësve, forcimin e dialogut social dhe ndërtimin e një administrate publike moderne, profesionale dhe në përputhje me standardet europiane.
Shiko më pak


