Sot u zhvillua takimi i tretë i Komitetit Sektorial të Energjisë, një forum i rëndësishëm për dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të sektorit, me mbështetjen e BERZH dhe Swisscontact Albania.
Në këtë takim, Presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Sektorial të Energjisë, përfaqësoi Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë, duke sjellë në këtë tryezë perspektivën dhe interesat e punëmarrësve dhe të komunitetit sindikal.
Diskutimet u përqendruan në ofertën aktuale të arsimit dhe formimit profesional në profilin e Elektroteknikës për vitin shkollor 2026–2027, si dhe në gjetjet e Studimit të Nevojave për Aftësi në sektorin e Energjisë. Në fokus ishte evidentimi i nevojave të tregut të punës për aftësi, kompetenca dhe profile të reja profesionale, në kushtet e ndryshimeve teknologjike dhe zhvillimit të vazhdueshëm të sektorit energjetik.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua validimit të standardit të profesionit “Riparues pajisjesh elektronike dhe elektroshtëpiake” dhe standardit të kualifikimit profesional “Riparime të pajisjeve elektroshtëpiake dhe elektronike”. Procesi i validimit përbën një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të arsimit dhe formimit profesional me kërkesat reale të tregut të punës dhe nevojat e sektorëve ekonomikë.
Nga këndvështrimi sindikal, zhvillimi i aftësive profesionale, kualifikimi dhe rikualifikimi i punëmarrësve, si dhe lidhja e arsimit profesional me nevojat konkrete të tregut të punës, janë elementë thelbësorë për garantimin e punësimit cilësor dhe të qëndrueshëm.
KSSH vlerëson rëndësinë e dialogut social dhe të përfshirjes aktive të organizatave sindikale në proceset që lidhen me politikat e arsimit dhe formimit profesional, zhvillimin e aftësive dhe transformimin e tregut të punës.
Përfaqësimi i punëmarrësve në struktura të tilla është i rëndësishëm për të siguruar që zhvillimi i sektorëve ekonomikë të shoqërohet me investim në kapitalin njerëzor, përmirësim të kushteve të punës, mundësi për zhvillim profesional dhe mbrojtje të interesave të punëmarrësve.
KSSH do të vijojë të kontribuojë në mënyrë aktive në punën e Komitetit Sektorial të Energjisë, duke mbështetur dialogun social, zhvillimin e aftësive profesionale dhe ndërtimin e politikave të punësimit që i përgjigjen nevojave të ekonomisë dhe interesave të punëmarrësve.


