INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Beteja për demokraci – Punëtorët e Rinj Organizohen Për Të Ardhmen.

BETEJA PËR DEMOKRACI – PUNËTORËT E RINJ ORGANIZOHEN PËR TË ARDHMEN.
7 Tetor 2026, ora 14:00 në “Shtëpinë e Sindikatave” KSSH takim me puntorë të rinj!
Më 7 Tetor, Ditën Botërore për Punë të Denjë, KSSH i bashkohet fushatës botërore të organizuar nga ITUC, në mbështetje të punëtorëve të rinj dhe të së drejtës së tyre për një të ardhme me punë të denjë, paga të drejta, siguri në punë, perspektivë, prosperitet dhe përfaqësim të vërtetë sindikal.
Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja – ata janë forca organizuese e së tashmes.
Një brez i ri po ngre zërin dhe po kërkon të marrë pjesë në mënyrë aktive në proceset demokratike, sociale dhe integruese të vendit. Të rinjtë shqiptarë duan një Shqipëri ku demokracia, liria, puna e denjë dhe integrimi europian shoqërohen me mundësi reale për të jetuar, punuar dhe ndërtuar karrierën e tyre në vendin e tyre.
Punëtorët e rinj dhe sindikalistët e rinj të KSSH po diskutojnë hapur për sfidat që përballen në vendet e punës dhe në jetën e përditshme: pagat, kontratat dhe sigurinë në punë, kushtet e punës, zhvillimin profesional, strehimin, mundësitë e karrierës dhe përfaqësimin e interesave të tyre.
KSSH synon t’i organizojë, fuqizojë dhe inkurajojë të rinjtë që të ndërtojnë fuqi reale dhe të qëndrueshme në tregun e punës përmes sindikatës, dialogut social dhe solidaritetit.
Sepse pa organizim nuk ka fuqi kolektive; pa fuqi kolektive nuk ka përfaqësim të denjë; dhe pa përfaqësim të denjë nuk ka marrëdhënie të drejta në botën e punës.
Të rinjtë duan perspektivë, jo emigracion të detyruar
Beteja jonë është që të rinjtë shqiptarë të mos e shohin largimin nga vendi si të vetmen rrugë për një jetë më të mirë.
Ne kërkojmë politika dhe kushte që krijojnë punësim cilësor, paga të drejta, strehim të përballueshëm, zhvillim profesional, karrierë dhe siguri sociale për brezin e ri.
Shqipëria ka nevojë për dijen, energjinë dhe punën e të rinjve të saj.
Nuk duam eksport të trurit dhe të fuqisë punëtore; duam zhvillim, investim tek njerëzit dhe perspektivë brenda vendit.
Kjo është edhe një betejë për demokracinë.
Sepse demokracia nuk matet vetëm me pjesëmarrjen në zgjedhje. Ajo ndërtohet çdo ditë edhe në vendin e punës: përmes zërit të punëtorit, dialogut social, lirisë sindikale, marrëveshjeve kolektive dhe të drejtës për t’u organizuar dhe për t’u përfaqësuar.
Brezat bashkohen për një sindikatë më të fortë
Beteja e KSSH për demokraci mbështetet tek solidariteti, uniteti dhe integrimi i brezave.
Përvoja e sindikalistëve me vite pune dhe angazhimi bashkohet me energjinë, idetë dhe vizionin e sindikalistëve të rinj.
Të rinjtë nuk duhet të jenë vetëm objekt i politikave – ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes, organizimit dhe përfaqësimit.
KSSH i fton punëtorët e rinj të mos qëndrojnë jashtë proceseve që përcaktojnë të ardhmen e tyre.
Organizohuni. Bashkohuni. Pyetni. Kërkoni të drejtat tuaja. Merrni pjesë. Përfaqësohuni.
KSSH është pranë punëtorëve dhe të rinjve shqiptarë për t’i ndihmuar të ndërtojnë fuqi kolektive, përfaqësim dinjitoz dhe një të ardhme më të sigurt në botën e punës.
7 Tetor – bëhu pjesë e organizimit!
Më 7 Tetor, bashkohuni me ne në “Shtëpinë e Sindikatave” të KSSH-së.
Le ta kthejmë këtë ditë në një moment të rëndësishëm për organizimin dhe përfshirjen e punëtorëve të rinj në jetën sindikale, sociale dhe demokratike të vendit.
Të rinjtë që organizohen sot, ndërtojnë fuqinë e punës së nesërme.
Të rinjtë që marrin pjesë sot, ndërtojnë demokracinë e së nesërmes.
Të rinjtë që qëndrojnë dhe organizohen në Shqipëri, janë pjesë e zhvillimit dhe perspektivës europiane të vendit.
Presidenti i KSSH-së do të ndajë me sindikalistët e rinj përvojën, vizionin dhe strategjinë e KSSH-së në betejën shumëvjeçare për demokracinë, lirinë sindikale, organizimin dhe përfaqësimin dinjitoz të punëtorëve.
\
7 TETOR – PUNË E DENJË.
7 TETOR – ORGANIZIM.
7 TETOR – SOLIDARITET.
7 TETOR – ZËRI I PUNËTORËVE TË RINJ.
Share