Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh shqetësimin e saj të thellë për rritjen e menjëhershme dhe të pandalshme të çmimeve të produkteve të konsumit, e cila po rëndon çdo ditë e më shumë mbi qytetarët shqiptarë, veçanërisht mbi shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.
Kjo situatë kërkon reagim të menjëhershëm, të koordinuar dhe mbi të gjitha konkret nga ana e institucioneve shtetërore.
KSSH kërkon monitorim të rreptë, të vazhdueshëm dhe plotësisht transparent të tregut dhe të çmimeve. Nuk mjaftojnë deklaratat publike apo komunikimet me karakter propagandistik; qytetarët kanë nevojë për masa reale, të matshme dhe të prekshme që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës së tyre.
Në këtë kuadër, prioritet absolut duhet t’u jepet pensionistëve, të papunëve, personave me aftësi të kufizuara, studentëve, emigrantëve dhe migrantëve, familjeve në nevojë ekonomike, banorëve të zonave rurale dhe të gjitha shtresave vulnerabël.
KSSH thekson se monitorimi, kontrolli i tregut dhe subvencionimi i produkteve bazë nuk përbëjnë ndërhyrje të pajustifikuar të shtetit në ekonomi, por janë përgjegjësi sociale dhe detyrim kushtetues i qeverisë ndaj qytetarëve të saj.
Në kushte të jashtëzakonshme të rritjes së çmimeve, shteti duhet të jetë aktiv, mbrojtës dhe garant i interesit publik.
Në këtë kontekst, KSSH vlerëson se deklarimet e bëra së fundmi nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë janë të pamjaftueshme dhe në thelb më shumë deklarative sesa efektive.
Pranimi i rritjes së çmimeve në shportën bazë dhe paralajmërimi për monitorim të mëtejshëm nuk përbëjnë zgjidhje konkrete për qytetarët që sot përballen me vështirësi reale për të përballuar kostot minimale të jetesës.
Qëndrimi se “është e pamundur të ndërhyhet në çmime” bie ndesh me nevojën urgjente për politika mbrojtëse dhe mekanizma rregullatorë që parandalojnë abuzimet dhe spekulimet në treg.
KSSH kërkon që qeveria të intensifikojë bashkëpunimin me aktorët socialë dhe në mënyrë të veçantë me KSSH-në, si organizata më e madhe, më e organizuar dhe më përfaqësuese e punëmarrësve në Shqipëri.
Vendimmarrjet që lidhen me përballimin e krizës së çmimeve duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në dialog social real.
Në mënyrë të veçantë, KSSH kërkon:
Masa konkrete për ndalimin e rritjes spekulative të çmimeve;
Forcimin e luftës kundër evazionit fiskal dhe informalitetit në treg;
Mbështetje dhe promovim të prodhimit vendas për të ulur varësinë nga importet;
Garantimin e një shporte reale jetese për qytetarët, e cila reflekton nevojat bazë dhe dinjitetin njerëzor;
Hartimin dhe zbatimin e skemave të drejtpërdrejta mbështetëse për shtresat në nevojë.
KSSH rithekson se mbrojtja e qytetarëve nga kriza e çmimeve nuk është zgjedhje politike, por detyrim institucional dhe moral.
Çdo vonesë në marrjen e masave konkrete vetëm sa do të thellojë pabarazitë dhe do të përkeqësojë kushtet e jetesës për shumicën e popullsisë.
KSSH mbetet e angazhuar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e punëmarrësve dhe të gjithë qytetarëve, duke kërkuar politika të drejta, transparente dhe në shërbim të interesit publik.
Presidenti i KSSH.
Kol Nikollaj.

