Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë pranë KSSH Tonin Gjinaj dhe Prof. Neshat Zeneli, Këshilltar i Presidentit të KSSH-së, morën pjesë në workshop-in e organizuar nga Federata Europiane e Punëtorëve të Transportit (ETF) në datat 22-23 Tetor në Sarajevë, ku në fokus ishin dialogu social, kontratat kolektive të punës dhe marrëveshjet kolektive.
Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive, duke krijuar hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e praktikave më të mira për arritjen e marrëveshjeve kolektive, forcimin e organizimit sindikal dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
Gjatë diskutimeve, z. Gjinaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, forcimit të besimit te sindikatat dhe rritjes së rolit të tyre në mbrojtjen e punëtorëve.
Gjithashtu ai vuri në dukje se arritja e marrëveshjeve dhe kontratave kolektive mbetet një sfidë e vështirë, veçanërisht përballë presionit të vazhdueshëm që punëmarrësit përjetojnë në marrëdhëniet e punës.
Në kuadër të këtij aktiviteti, përfaqësuesit e Federatës zhvilluan takime të rëndësishme me drejtues të ETF-së, ndër të cilët z. Jozef, sekretar organizativ i ETF-së, dhe z. Neven, përfaqësues nga Kroacia, kryetar i sindikatës kroate, koordinator për Ballkanin dhe anëtar i kryesisë së ITF-së.
Përfaqësuesit e ETF-së vlerësuan angazhimin dhe aktivitetin e Federatës sonë në mbrojtje të të drejtave të punëmarrësve dhe në forcimin e organizimit sindikal në sektorin e transportit dhe telekomunikacionit.
Një tjetër rezultat i rëndësishëm i takimeve ishte shprehja e gatishmërisë për të vijuar bashkëpunimin dhe për të organizuar në Tiranë një workshop të ngjashëm, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të FSPTTSH-së.
Drejtuesit e ETF-së e mirëpritën këtë propozim, duke shprehur interes për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në Shqipëri.
Dialogu social, marrëveshjet kolektive dhe një sindikatë e fortë janë çelësi për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe garantimin e kushteve dinjitoze të punës.
Federata e Transportit dhe Telekomunikacionit e Shqipërisë pranë KSSH do të vijojë angazhimin për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjen e fuqisë sindikale dhe mbrojtjen e interesave të punëmarrësve.


