Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), Kol Nikollaj , Sekretari Organizativ i KSSH-së, Hajdar Kanani dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Redian Bushi zhvilluan sot një takim institucional dhe produktiv me Drejtoreshën e Përgjithshme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) Rudina Degjoni.
Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi çështje të rëndësishme që lidhen me përmirësimin e kushteve të punës, mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të shëndetësisë dhe rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor publik.
Gjatë takimit u diskutua konkretisht për:
1- Zbatimin e Kontratës Kolektive të Punës dhe garantimin e të drejtave të punonjësve.
2- Përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e standardeve të sigurisë në vendin e punës.
3- Rritjen e investimeve në shëndetësinë publike dhe përmirësimin e situatës infrastrukturore e funksionale në QSUNT.
4- Buxhetin e vitit 2027, me fokus në rritjen e investimeve për kushtet e punës dhe përmirësimin e furnizimit me barna dhe medikamente.
5- Rritjen e pagave, domosdoshmërinë e pagës së 13-të dhe vendosjen e skemave të shpërblimit sipas meritës dhe performancës në punë.
6- Përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbimet mjekësore publike dhe rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu , forcimit të dialogut social, bashkëpunimit institucional dhe përfshirjes aktive të sindikatave në proceset vendimmarrëse , si dhe në proceset integruese të vendit tonë.
Përfaqësuesit e KSSH-së dhe të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe konkret, ku zëri i punonjësve të shëndetësisë të jetë pjesë e çdo procesi që lidhet me të drejtat e tyre, kushtet e punës dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor publik.
Dialogu social, respektimi i të drejtave të punonjësve dhe investimi në shëndetësinë publike janë themeli i një sistemi shëndetësor më të mirë për punonjësit dhe qytetarët!


