Dhuna ndaj protestuesve nuk mund të kalojë pa përgjegjësi!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh solidaritetin e plotë me studentët dhe mbështet të drejtën e tyre për protestë paqësore. Kërkesat për arsim cilësor e të përballueshëm, kushte dinjitoze jetese dhe një të ardhme më të sigurt janë kërkesa legjitime, që prekin drejtpërdrejt edhe punëtorët dhe familjet e tyre.
KSSH dënon me forcë dhunën dhe kërkon përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore për çdo akt të paligjshëm.
Rasti i të riut Erjon Vishkulli, i plagosur në sy gjatë protestës nga një plumb gome dhe që, sipas raportimeve mediatike, rrezikon të humbasë shikimin, është një ngjarje tronditëse që nuk mund të trajtohet si një incident i zakonshëm.
KSSH kërkon hetim të plotë, të pavarur dhe transparent për rrethanat e plagosjes, identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre para ligjit. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, aq më pak kur bëhet fjalë për përdorimin e forcës nga autoritetet që kanë detyrimin të mbrojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Qeveria nuk mund t’u përgjigjet kërkesave sociale me forcë dhe më pas të shmangë përgjegjësinë politike.Kur studentët kërkojnë të drejtat e tyre, kur punëtorët kërkojnë paga dhe kushte më të mira dhe kur qytetarët kërkojnë një të ardhme më të sigurt, përgjigjja e institucioneve duhet të jetë dialogu, zgjidhja dhe përgjegjshmëria, jo përshkallëzimi i konfliktit.
KSSH u bën thirrje Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë menjëherë për të garantuar sigurinë e protestuesve, respektimin e lirive demokratike dhe hapjen e një dialogu real me studentët. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë protestuesve, forcave të rendit dhe çdo pale të tregojnë vetëpërmbajtje, të shmangin dhunën dhe të respektojnë ligjin.
KSSH dënon çdo akt dhune, nga cilado palë qoftë, dhe thekson se asnjë shkelje nuk duhet të mbetet pa u hetuar. Përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe institucionale, sipas ligjit dhe fakteve të provuara.
KSSH ka sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë për shqetësimet e studentëve dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre, duke kërkuar solidaritet dhe mbështetje për një zgjidhje demokratike të situatës.
Ne ritheksojmë se protesta paqësore është një e drejtë themelore dhe një shtyllë e demokracisë. Qeveria ka detyrimin të dëgjojë qytetarët, të adresojë shkaqet e pakënaqësisë dhe të krijojë kushtet për zgjidhje përmes dialogut social.
KSSH kërkon drejtësi për të plagosurin, përgjegjësi për shkelësit e ligjit dhe zgjidhje konkrete për kërkesat e studentëve.!
Studentët nuk kanë nevojë për dhunë, por për përgjigje. Qytetarët nuk kanë nevojë për përplasje, por për drejtësi dhe dinjitet. Demokracia nuk mbrohet duke heshtur protestën, por duke respektuar të drejtat dhe ligjin!
Kol Nikollaj
President
KONFEDERATA E SINDIKATAVE TË SHQIPËRISË !


