Kauza studentore nuk është pronë e partive dhe as instrument i grupeve sindikale!
KSSH shpreh solidaritet të plotë me studentët dhe kërkesat e tyre legjitime, duke dënuar çdo përpjekje për fragmentarizimin, përvetësimin dhe instrumentalizimin politik të protestës studentore.
Protestat paralele, përplasja për protagonizëm dhe konkurrenca për të folur në emër të studentëve nuk e forcojnë rezistencën studentore, por rrezikojnë ta dobësojnë dhe ta përçajnë atë.
Studentët kanë nevojë për solidaritet real, jo për interesa partiake, ambicie organizative dhe protagonizëm sindikal në kurriz të kauzës së tyre.
KSSH e bën të qartë:
Asnjë parti politike, asnjë grupim sindikal dhe asnjë organizatë nuk ka të drejtë të marrë peng kauzën studentore apo të pretendojë përfaqësimin e studentëve pa mandatin dhe vullnetin e tyre të lirë.
Mbështetja ndaj studentëve duhet të jetë e pakushtëzuar, transparente dhe në respekt të autonomisë së tyre.
KSSH dënon çdo formë dhune, shantazhi, presioni dhe manipulimi të opinionit publik, përfshirë çdo presion të paligjshëm ndaj personelit shëndetësor për ndërprerjen e punës.
Shërbimi shëndetësor është shërbim publik me rëndësi të veçantë dhe nuk mund të bëhet objekt i presioneve që cenojnë të drejtat e punonjësve apo vazhdimësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Po kështu, përdorimi i fëmijëve në protesta për qëllime politike apo për të ushtruar presion publik është i papranueshëm dhe kërkon vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, në mbrojtje të interesit më të lartë të fëmijës.
KSSH kërkon respektimin e vullnetit të lirë të pedagogëve, studentëve dhe punonjësve, pa përgjithësime dhe pa pretendime të rreme për përfaqësim. Askush nuk mund të flasë në emër të një kategorie të tërë pa mandat dhe pa besimin e saj.
Qëndrimi ynë është i qartë:
KSSH solidarizohet me studentët, jo me përpjekjet për ta përvetësuar kauzën e tyre!
Nuk pranojmë që kauza studentore të përdoret për kapital politik, protagonizëm sindikal apo përçarje të qëllimshme. Protesta është një e drejtë kushtetuese, por përgjegjësia publike, respektimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit qytetar janë detyrime që nuk mund të anashkalohen.
Studentët nuk kanë nevojë për tutorë politikë. Ata kanë nevojë për solidaritet, respekt dhe mbështetje konkrete!
KSSH – Solidaritet me studentët, kundër instrumentalizimit politik dhe në mbrojtje të të drejtave të punonjësve e interesit publik!


