INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH: “Pasqyra e çmimeve” nuk mund të ndërtohet pa konsumatorët dhe Sindikatat.

KSSH: “PASQYRA E ÇMIMEVE” NUK MUND TË NDËRTOHET PA KONSUMATORËT DHE SINDIKATAT.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh shqetësimin e saj për mënyrën se si po ndërtohet dhe po prezantohet nisma “Pasqyra e Çmimeve” dhe masat e paralajmëruara për produktet me çmime fikse.
KSSH e konsideron të nevojshme çdo masë që synon të mbrojë fuqinë blerëse të punëmarrësve, pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Por një politikë që prek drejtpërdrejt koston e jetesës së miliona qytetarëve nuk mund të hartohet vetëm përmes rakordimit të Qeverisë me rrjetet e supermarketeve dhe furnitorët.
Konsumatori nuk është vetëm biznesi që shet. Konsumatori është edhe punëtori që blen, pensionisti që jeton me pensionin dhe familja që përballon çdo muaj shpenzimet e ushqimit, barnave, arsimit dhe nevojave bazë.
Pikërisht për këtë arsye, KSSH vlerëson se procesi duhet të jetë i hapur dhe i konsultuar me partnerët socialë, organizatat e konsumatorëve, sindikatat, organizatat e pensionistëve dhe përfaqësuesit e familjeve në nevojë.
Ngritja e një liste me 160 produkte pa bërë publikisht të njohur kriteret, metodologjinë dhe aktorët që kanë marrë pjesë në përcaktimin e saj krijon pikëpyetje legjitime mbi transparencën e procesit. KSSH kërkon të dijë: Kush e përcakton shportën? Cilat janë kriteret? Sa peshë kanë ushqimet, barnat, materialet shkollore dhe shpenzimet e tjera jetike në buxhetin e familjeve?
Një shportë që synon të pasqyrojë realisht koston e jetesës nuk mund të reduktohet vetëm në një listë produktesh të përzgjedhura në konsultim me operatorët e tregut.
KSSH sjell në vëmendje edhe detyrimin për respektimin e parimeve të konsultimit dhe pjesëmarrjes së palëve të interesuara të parashikuara në kuadrin shqiptar të konsultimit publik, si dhe standardet evropiane të dialogut social. Parimi 8 i Shtyllës Evropiane të të Drejtave Sociale njeh rëndësinë e konsultimit të partnerëve socialë në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike, të punësimit dhe sociale.
Për KSSH-në, kjo nuk është një çështje formale. Dialogu social nuk mund të zëvendësohet me njoftimin e sindikatave pasi vendimet janë marrë. Konsultimi duhet të ndodhë përpara vendimmarrjes, në mënyrë që përfaqësuesit e punëmarrësve dhe konsumatorëve të kenë mundësi reale të ndikojnë në përmbajtjen e politikës.
KSSH ngre gjithashtu nevojën për një politikë më të gjerë sociale. Për familjet në vështirësi ekonomike, pensionistët dhe familjet me fëmijë, mbrojtja nga rritja e kostos së jetesës nuk mund të kufizohet vetëm te monitorimi i çmimeve. Duhet të shqyrtohen mekanizma konkretë për mbështetjen e prodhimit vendas bujqësor e blegtoral, subvencionet e targetuara dhe forma të ndihmës sociale, përfshirë paketat ushqimore për kategoritë më të ekspozuara.
Po kështu, në një politikë të vërtetë për koston e jetesës duhet të merret në konsideratë pesha e barnave për pensionistët, materialeve shkollore për familjet me fëmijë, produkteve të higjienës dhe shpenzimeve të tjera bazë.
KSSH nuk është kundër “Pasqyrës së Çmimeve”. Përkundrazi, KSSH kërkon që ajo të jetë një instrument real transparence dhe mbrojtjeje të konsumatorit, dhe jo vetëm një instrument informimi apo komunikimi publik.
Për këtë arsye, KSSH i kërkon Ministrisë së Financave dhe Qeverisë:
1- Të bëjnë publike kriteret dhe metodologjinë mbi të cilat është përcaktuar lista e produkteve.
2- Të zhvillojnë konsultim real me sindikatat, organizatat e konsumatorëve, pensionistët dhe grupet e tjera të interesit, përpara finalizimit të politikës.
3- Të publikojnë të dhënat dhe metodën e monitorimit të çmimeve, në mënyrë që qytetarët të mund ta verifikojnë informacionin.
4- Të hartojnë një politikë sociale të lidhur me prodhimin vendas, duke shqyrtuar mekanizma mbështetës për familjet në nevojë dhe pensionistët.
KSSH e konsideron të papranueshme që sindikatat, të cilat përfaqësojnë qindra mijëra punëmarrës dhe familjet e tyre, të vendosen përballë një fakti të kryer në një çështje që prek drejtpërdrejt pagat reale, pensionet dhe standardin e jetesës.
Qeveria duhet të konsultojë ata që blejnë, jo vetëm ata që shesin.
KSSH mbetet e gatshme për dialog institucional, por kërkon që ky dialog të jetë paraprak, real, transparent dhe me mundësi konkrete për të ndikuar në vendimmarrje.
KONFEDERATA E SINDIKATAVE TË SHQIPËRISË (KSSH)
Share