DEKLARATË PUBLIKE
FSPAESH – ANËTARE E KSSH
DINJITETI I MËSUESIT DUHET RESPEKTUAR!
Federata e Sindikatave të Punonjësve të Arsimit, Edukimit dhe Shkencës (FSPAESH) shpreh shqetësimin për ngjarjen e ndodhur në një shkollë të Selenicës, ku një mësues i edukimit fizik është akuzuar për ngacmime seksuale ndaj disa nxënëseve dhe është arrestuar.
Çdo denoncim që lidhet me sigurinë e nxënësve duhet marrë seriozisht dhe hetuar me përgjegjësi. Nëse akuzat provohen, personi përgjegjës duhet të përballet me ligjin.
Por është po aq e rëndësishme që askush të mos shpallet fajtor përpara se të përfundojnë hetimet dhe të flasë drejtësia. Mësuesi, ashtu si çdo qytetar, gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë.
Na shqetëson fakti që emri dhe figura e një mësuesi mund të dëmtohen rëndë nga gjykimi publik, përpara se të jetë vërtetuar e vërteta. Një akuzë e paverifikuar nuk duhet të kthehet në dënim shoqëror.
FSPAESH kërkon që, nëse në përfundim të procesit vërtetohet se mësuesi nuk e ka kryer veprën, të shqyrtohet edhe përgjegjësia e kujtdo që mund të ketë sajuar me vetëdije akuza apo përhapur informacione të rreme për të dëmtuar figurën e tij. Në raste të tilla, ligji duhet të zbatohet pa asnjë tolerancë.
Ne nuk mbrojmë askënd që abuzon me nxënësit, por nuk mund të heshtim kur cenohet padrejtësisht dinjiteti i një mësuesi. Një profesion i tërë nuk duhet të gjykohet për shkak të dyshimeve apo veprimeve të individëve.
Kërkojmë një hetim të shpejtë, objektiv dhe të paanshëm, respektimin e të drejtave të të gjitha palëve dhe ruajtjen e privatësisë së nxënëseve.
Mësuesi ka detyrimin të respektojë nxënësin, por edhe të drejtën të respektohet dhe të mbrohet nga padrejtësia.
DREJTËSI PËR NXËNËSIT!
DINJITET DHE MBROJTJE PËR MËSUESIT!
Federata e Sindikatave të Punonjësve të Arsimit, Edukimit dhe Shkencës


