INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

DEKLARATË E PRESIDENCËS EKZEKUTIVE TË KSSH.

Për situatën alarmante të rritjes së aksidenteve fatale në vendin e punës dhe përgjegjësinë institucionale.
Konfederata e Sindikatave dënon me forcë përkeqësimin dramatik të situatës së sigurisë në vendin e punës në Shqipëri, të reflektuar në rritjen alarmante të aksidenteve fatale gjatë vitit 2025.
Rritja nga 33 në 48 raste me humbje jete, ose mbi 45% më shumë brenda një viti, nuk është një statistikë e thjeshtë – është një dështim i rëndë institucional dhe një alarm kombëtar që nuk mund të relativizohet apo justifikohet.
Pavarësisht propagandës për rritje të inspektimeve (9,532 subjekte dhe mbi 205 mijë vende pune të kontrolluara), realiteti në terren tregon qartë se këto kontrolle kanë qenë të dobëta, formale dhe pa ndikim real në parandalimin e aksidenteve.
Rritja e numrit të aksidenteve provon dështimin e plotë të mekanizmave ekzistues të mbikëqyrjes dhe kontrollit.
KSSH vlerëson se përgjegjësia kryesore bie mbi:
Menaxhimin e dobët dhe joefektiv të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
Mungesën e profesionalizmit dhe rendimentin e ulët të inspektimeve në terren;
Varësinë politike që ka deformuar funksionin e institucionit dhe ka cenuar pavarësinë e tij;
Mungesën e theksuar të kapaciteteve profesionale dhe teknike;
Mosrealizimin e qëllimshëm ose të pajustifikueshëm të reformës në sistemin e inspektoriateve.
Kjo situatë përbën një përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe administrative.
Në këto kushte, KSSH kërkon:
Dorëheqjen e menjëhershme ose shkarkimin e drejtuesve kryesorë të Inspektoriatit Shtetëror të Punës, në nivel qendror dhe rajonal, për paaftësi, neglizhencë dhe dështim në menaxhimin e situatës;
Vendosjen e përgjegjësisë individuale dhe institucionale, përmes hetimit administrativ dhe disiplinor të të gjitha hallkave përgjegjëse;
Ndërprerjen e menjëhershme të praktikave formale dhe joefektive të inspektimeve, duke garantuar kontrolle reale, profesionale dhe të pavarura;
Reformim të thellë dhe urgjent të sistemit të inspektoriateve, për ta shkëputur nga ndikimi politik dhe për ta kthyer në një strukturë funksionale dhe të besueshme;
Transparencë të plotë publike mbi shkaqet e aksidenteve fatale dhe masat konkrete të ndërmarra për parandalimin e tyre.
KSSH thekson se çdo ditë vonesë në marrjen e masave konkrete rrezikon jetë njerëzish dhe thellon krizën e besimit tek institucionet.
Mungesa e përgjegjësisë nuk mund të tolerohet më. Kur institucionet dështojnë të mbrojnë jetën e punëmarrësve, drejtuesit e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe të largohen nga detyra.
Presidenca Ekzekutive e KSSH.
Tiranë 18.03.2026.
Share