Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2026
Ky Raport konfirmon se dialogu social dhe siguria në punë mbeten problematika serioze, ku progresi është ende i pamjaftueshëm. Për ne, si përfaqësues të punëmarrësve, këto nuk janë thjesht çështje statistikash apo rekomandimesh institucionale, por shqetësime që prekin drejtpërdrejt jetën, shëndetin dhe dinjitetin e punëtorëve.
Rritja e aksidenteve në punë me 35% është një kambanë alarmi që kërkon përgjegjësi konkrete nga institucionet dhe punëdhënësit. Siguria në punë nuk mund të mbetet vetëm në letër, por duhet të garantohet përmes kontrolleve të forta, inspektorateve të fuqizuara, investimeve në parandalim dhe ndëshkimit të shkeljeve.
Po aq shqetësues mbetet dialogu social, i cili vazhdon të jetë më shumë formal sesa real. Sindikatat nuk duhet të trajtohen si palë që thjesht informohen, por si partnerë të barabartë në vendimmarrje.
Pa dialog të vërtetë, pa negociata kolektive dhe pa respektim të përfaqësimit sindikal, nuk mund të flitet për marrëdhënie të drejta pune dhe standarde evropiane.
Ne vlerësojmë se rekomandimet e Bashkimit Evropian duhet të kthehen në masa konkrete, me përgjegjësi dhe afate të qarta. Punëtori nuk ka nevojë vetëm për ligje të mira, por për paga dinjitoze, vende pune të sigurta, mbrojtje sociale dhe respektim të të drejtave të tij.
Integrimi evropian nuk matet vetëm me reforma dhe tregues ekonomikë, por mbi të gjitha me mënyrën se si trajtohet punëtori. Pa siguri në punë, pa dialog social real dhe pa sindikata të forta, nuk mund të ketë drejtësi sociale dhe as integrim të qëndrueshëm evropian.


