INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Lug Triangle, Sekretari i Përgjithshëm i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC) letter solidariteti për studentët dhe Sindikatat në Shqipëri.

LUC TRIANGLE, 22 Tetor 2026
Sekretar i Përgjithshëm
Solidaritet me studentët dhe sindikatat në Shqipëri



Të dashura motra dhe vëllezër,

Në emër të Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, e cila përfaqëson 200 milionë punëtorë përmes qendrave kombëtare sindikale në 169 vende, dëshirojmë të shprehim solidaritetin tonë me studentët shqiptarë dhe kolegët tanë sindikalistë të BSPSH-së dhe KSSH-së, gjatë protestave që po zhvillohen aktualisht.

Studentët kërkojnë arsim të aksesueshëm për të gjithë dhe cilësor, kushte të denja jetese dhe mundësi më të mira për të ardhmen e tyre. Këto shqetësime ndahen edhe nga punëtorët dhe familjet e tyre, të cilët përballen gjithashtu me sfidat e rritjes së kostos së jetesës dhe pasigurisë ekonomike. Për më tepër, këto shqetësime janë ngritur vazhdimisht nga sindikatat, por në pjesën më të madhe janë shpërfillur nga autoritetet.

Kjo mungesë reagimi, e kombinuar me dialogun social joefektiv dhe me institucione demokratike që nuk arrijnë të orientojnë zhvillimin e politikave ekonomike dhe sociale e t’u përgjigjen shqetësimeve të punëtorëve, studentëve dhe qytetarëve në përgjithësi, ka nxitur këto protesta, duke krijuar rreziqe serioze për përshkallëzimin e tyre.

Jemi veçanërisht të shqetësuar nga raportimet për akte dhune gjatë demonstratave. Studentët dhe të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë paqësore, pa frikën e dhunës apo të intimidimit. U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë këto të drejta themelore dhe të garantojnë sigurinë e protestuesve.

Njëkohësisht, dënojmë edhe aktet e dhunshme të kryera nga individë të caktuar. Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me shprehjen paqësore të shqetësimeve të studentëve.

Mbi të gjitha, autoritetet duhet të investojnë në mekanizma dialogu për të trajtuar shqetësimet legjitime dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të protestave. Dialogu social është një nga platformat për këtë qëllim.

Përshëndesim solidaritetin e treguar nga BSPSH-ja dhe KSSH-ja ndaj studentëve dhe mbështesim thirrjet tuaja që zëri i tyre të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të trajtohen përmes dialogut dhe veprimeve konkrete. Sindikatat janë në një pozicion të përshtatshëm për të lehtësuar këtë proces.

Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave (ITUC) qëndron përkrah jush në mbrojtje të të drejtave demokratike, drejtësisë sociale dhe një të ardhmeje dinjitoze për të rinjtë në Shqipëri.

Në solidaritet,

Luc Triangle
Sekretar i Përgjithshëm

Share