INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Dita Botërore për Punë të Denjë – “Të rinjtë organizohen në Sindikata”.

Dita Botërore për Punë të Denjë
TË RINJTË SINDIKALISTË NË FOKUS TË ORGANIZIMIT, SOLIDARITETIT DHE PUNËS SË DENJË
Në “Shtëpinë e Sindikatave – KSSH” të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), u zhvillua sot një aktivitet me të rinjtë sindikalistë, në fokus të organizimit sindikal, pjesëmarrjes së të rinjve në jetën sindikale dhe sfidave që përballon brezi i ri në tregun shqiptar të punës.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të KSSH-së për të fuqizuar zërin e të rinjve në sindikata, për të nxitur organizimin kolektiv dhe për të krijuar më shumë hapësira për pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëtorëve.
“Të rinjtë organizohen në Sindikata”.
– Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i KSSH-së , u ndal në rëndësinë e organizimit të të rinjve në sindikata, duke theksuar se organizimi kolektiv mbetet një nga instrumentet më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave në punë dhe për garantimin e një të ardhmeje më të sigurt për punëtorët.
Në fokus të diskutimit ishin “demokracia, organizimi kolektiv dhe solidariteti ndërmjet brezave” ,si vlera themelore të lëvizjes sindikale. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe “Gjeneratës Z” , marrëdhënies së saj me tregun e punës dhe ndryshimeve që po sjell brezi i ri në mënyrën e të menduarit, të punuarit dhe të kërkuarit të të drejtave.
U theksua se të rinjtë nuk duhet të jenë vetëm përfitues të të drejtave të fituara ndër vite nga lëvizja sindikale, por duhet të bëhen “aktorë aktivë të saj” , duke sjellë energjinë, idetë dhe kërkesat e tyre në sindikata.
“Puna e denjë dhe të rinjtë në Shqipëri”.
– Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte referimi i studiuesit “Neshat Zeneli “, me temë “Puna e denjë dhe të rinjtë në Shqipëri”.
Në referatin e tij u evidentua situata aktuale e të rinjve në tregun shqiptar të punës, problematikat dhe sfidat me të cilat përballen punëtorët e rinj, si dhe nevoja për një angazhim më të madh sindikal në mbrojtje të tyre.
Diskutimi u përqendrua te vështirësitë e hyrjes së të rinjve në tregun e punës, pasiguria e punësimit, kushtet e punës, pagat dhe shpërblimi, mundësitë për zhvillim profesional dhe nevoja për një perspektivë më të qëndrueshme ekonomike e sociale.
U nënvizua se “puna e denjë nuk është vetëm një vend pune” , por përfshin sigurinë në punë, pagë të drejtë, respektimin e të drejtave të punëtorëve, mbrojtjen sociale, mundësi zhvillimi dhe dinjitet në vendin e punës.
Në këtë kontekst, organizimi i të rinjve në sindikata u evidentua si një nevojë dhe një domosdoshmëri për të garantuar që zëri i tyre të dëgjohet dhe të përfaqësohet në marrëdhëniet e punës.
Dialog me ITUC dhe zëri i të rinjve sindikalistë.
– Pjesa e dytë e aktivitetit u zhvillua përmes një *lidhjeje online me Konfederatën Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC)*, ku të rinjtë sindikalistë patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të ndajnë eksperiencat e tyre dhe të marrin përgjigje mbi çështje që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre profesionale dhe sindikale.
Diskutimi ishte i hapur dhe interaktiv, duke i dhënë hapësirë vetë të rinjve për të shprehur shqetësimet, kërkesat dhe pritshmëritë e tyre.
Në qendër të diskutimeve ishin *mënyrat e organizimit të të rinjve në sindikata*, sfidat që ata përballojnë në vendin e punës dhe nevoja për një përfaqësim më të fortë sindikal.
Të rinjtë ngritën gjithashtu çështje të rëndësishme sociale dhe ekonomike, ndër të cilat *nevoja për strehim të përballueshëm, dinjitet në punë, shpërblim të drejtë, siguri dhe stabilitet në punësim, si dhe pjesëmarrje aktive në demokraci dhe në vendimmarrje*.
Diskutimi tregoi qartë se kërkesat e brezit të ri janë të lidhura ngushtë me konceptin e *punës së denjë dhe drejtësisë sociale*. Të rinjtë kërkojnë jo vetëm një vend pune, por një punë që u garanton dinjitet, siguri, të drejta dhe mundësi për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme.
KSSH: Të rinjtë janë e ardhmja e sindikatave.
Aktiviteti i sotëm dëshmoi edhe një herë se “forcimi i organizimit të të rinjve është një prioritet për lëvizjen sindikale”.
KSSH vlerëson se përfshirja e të rinjve në sindikata duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, i cili kërkon më shumë komunikim, edukim sindikal, hapësira për debat dhe pjesëmarrje reale në strukturat dhe proceset vendimmarrëse.
Të rinjtë sindikalistë duhet të kenë mundësinë të shprehin zërin e tyre, të marrin përgjegjësi dhe të kontribuojnë në ndërtimin e sindikatave më të forta, më demokratike dhe më të afta për t’iu përgjigjur ndryshimeve të tregut të punës.
KSSH do të vijojë të investojë në organizimin dhe fuqizimin e të rinjve, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre jo vetëm si një domosdoshmëri për të ardhmen, por si një forcë të rëndësishme të lëvizjes sindikale sot.
Të rinjtë të organizuar janë më të fortë!      Të rinjtë në sindikata janë zëri i punës së denjë!
Organizim – Solidaritet – Dinjitet – Drejtësi Sociale!
Share