INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Mesazh i Presidentit të KSSH, Kol Nikollaj me rastin e 7 Tetorit , Ditës Botërore për Punën e Denjë!

7 TETORI – PUNË E DENJË, ORGANIZIM, SOLIDARITET DHE DEMOKRACI.
7 Tetori, Dita Botërore për Punë të Denjë, është një ditë që na rikujton se puna nuk është thjesht një mënyrë për të siguruar të ardhurat e jetesës. Puna është dinjitet, siguri, pavarësi, pjesëmarrje sociale dhe një prej themeleve të një shoqërie demokratike dhe të drejtë.
Për sindikatat, puna e denjë nuk mund të ndahet nga paqja, demokracia, drejtësia sociale dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Paqja është kusht për zhvillimin dhe drejtësinë sociale, ndërsa demokracia nuk mund të jetë e plotë nëse zëri i punëtorit nuk dëgjohet në vendin e punës dhe në shoqëri.
Siç është shprehur Papa Françesku, “Sindikatat janë shtegtare të shpresës dhe ndërtuese të paqes.” Ky mesazh merr një rëndësi të veçantë në një kohë kur bota përballet me konflikte, pasiguri ekonomike dhe sociale, pabarazi dhe sfida të mëdha për paqen.
Sindikatat mbështesin paqen dhe demokracinë sepse ato janë pjesë e pandashme e luftës për drejtësi sociale.
Punë e denjë do të thotë jetë dinjitoze
Punësimi ka qenë dhe mbetet një nga çështjet themelore të betejës sindikale. Por nuk mjafton të kemi një vend pune. Një vend pune duhet të jetë i sigurt, i mbrojtur nga ligji, i paguar drejt dhe i shoqëruar me kushte dinjitoze pune.
Nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale nëse një punëtor, pavarësisht sa orë punon, nuk arrin të përballojë nevojat bazë të familjes së tij.
Prandaj, paga dhe shpërblimi dinjitoz janë elementë themelorë të jetës së një qytetari. Paga nuk është vetëm një shifër ekonomike. Ajo përcakton mundësinë për të ushqyer familjen, për të paguar strehimin, për të arsimuar fëmijët, për të përballuar shpenzimet shëndetësore dhe për të jetuar me dinjitet.
Në këtë kuadër, përcaktimi dhe shpallja zyrtare e minimumit jetik duhet të jetë një çështje themelore e politikave sociale. Minimumi jetik duhet të shërbejë si një nga bazat objektive për përcaktimin e pagës minimale dhe për ndërtimin e politikave të pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe përfitimeve të tjera.
Paga minimale dhe minimumi jetik lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër varfërisë dhe pasigurisë sociale.
Të flasësh për mirëqenie dhe dinjitet të punonjësit pa adresuar pagën minimale dhe minimumin jetik është njëlloj si të ndërtosh një çati pa themele.
Dinjiteti në punë fillon me një pagë që mundëson një jetë dinjitoze.
Të rinjtë janë forca e organizimit të sotëm.
Ky 7 Tetor merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të fokusit tek punëtorët e rinj.
Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja e sindikatave dhe e vendit. Ata janë forca organizuese e së tashmes.
Një brez i ri punëtorësh po përballet me sfida të mëdha: paga që shpesh nuk përputhen me koston e jetesës, kontrata dhe marrëdhënie pune jo gjithmonë të qëndrueshme, pasiguri në punësim, vështirësi për të ndërtuar karrierë, probleme me strehimin dhe një treg pune që shpesh nuk u jep perspektivën që kërkojnë.
Përballë këtyre sfidave, përgjigjja sindikale është organizimi, solidariteti dhe përfaqësimi kolektiv.
Sepse pa organizim nuk ka fuqi kolektive.
Pa fuqi kolektive nuk ka përfaqësim të denjë.
Dhe pa përfaqësim të denjë nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të drejta në botën e punës.
KSSH, në kuadër të Ditës Botërore për Punë të Denjë dhe të fushatës së ITUC, e vendos punëtorin e ri në qendër të kësaj beteje: për punë të denjë, paga të drejta, siguri në punë, zhvillim profesional, perspektivë dhe përfaqësim real sindikal.
Të rinjtë shqiptarë kanë nevojë për mundësi për të jetuar, punuar dhe ndërtuar karrierën e tyre në vendin e tyre.
Ne nuk duam që emigracioni të jetë e vetmja alternativë për një jetë më të mirë.
Shqipëria ka nevojë për dijen, energjinë, profesionalizmin dhe punën e të rinjve të saj. Prandaj kërkohen politika që krijojnë punësim cilësor, paga të drejta, strehim të përballueshëm, zhvillim profesional, siguri sociale dhe mundësi reale karriere.
Nuk duam eksport të trurit dhe të fuqisë punëtore. Duam investim tek njerëzit dhe perspektivë brenda vendit.
Demokracia ndërtohet edhe në vendin e punës.
Beteja për punën e denjë është edhe një betejë për demokracinë.
Demokracia nuk matet vetëm me pjesëmarrjen në zgjedhje. Ajo ndërtohet çdo ditë edhe në vendin e punës: përmes lirisë sindikale, të drejtës për t’u organizuar, dialogut social, marrëveshjeve kolektive dhe përfaqësimit të punëtorëve.
Një punëtor që nuk ka zë në vendin e punës është një qytetar të cilit i mungon një pjesë e rëndësishme e pjesëmarrjes demokratike.
Prandaj, forcimi i sindikatave është pjesë e forcimit të demokracisë sociale.
Të rinjtë duhet të jenë jo vetëm objekt i politikave publike, por edhe pjesë aktive e vendimmarrjes, organizimit dhe përfaqësimit. Ata duhet të kenë hapësirë për të shprehur shqetësimet e tyre, për të ndërtuar organizimin sindikal dhe për të marrë përgjegjësi në drejtimin e së ardhmes së punës.
Në këtë proces, përvoja e sindikalistëve me vite angazhim bashkohet me energjinë, idetë dhe vizionin e brezit të ri.
Brezat nuk zëvendësohen; brezat bashkohen.
Kjo është mënyra për të ndërtuar një sindikatë më të fortë, më përfaqësuese dhe më të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të reja të tregut të punës.
Paqja është kusht për drejtësinë sociale.
7 Tetori është gjithashtu një moment për të kujtuar lidhjen e drejtpërdrejtë midis paqes dhe drejtësisë sociale.
Konfliktet dhe militarizimi kanë pasoja të drejtpërdrejta mbi jetën e njerëzve dhe mbi burimet që shoqëritë mund t’i përdorin për zhvillim.
Çarmatimi, mospërhapja e armëve dhe reduktimi i shpenzimeve ushtarake janë çështje që lidhen edhe me prioritetet sociale. Burimet publike duhet të mundësojnë investime në punësim, arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
Sindikatat mbështesin një botë më paqësore dhe një rend ndërkombëtar ku dialogu, bashkëpunimi dhe drejtësia sociale të jenë më të forta se logjika e konfliktit dhe e armatimit.
Një shoqëri që investon tek njerëzit, tek puna, arsimi dhe shëndetësia, investon edhe tek paqja.
7 Tetori – një thirrje për organizim.
Dita Botërore për Punë të Denjë nuk duhet të jetë vetëm një datë në kalendar. Ajo duhet të jetë një moment për të ripërtërirë angazhimin tonë sindikal.
Më 7 Tetor, KSSH i bashkohet kësaj dite me një mesazh të qartë për punëtorët e rinj: mos qëndroni jashtë proceseve që përcaktojnë të ardhmen tuaj.
Organizohuni.
Bashkohuni.
Pyetni.
Kërkoni të drejtat tuaja.
Merrni pjesë.
Përfaqësohuni.
Sepse e ardhmja e botës së punës nuk ndërtohet vetëm nga institucionet apo tregu. Ajo ndërtohet edhe nga vetë punëtorët, nga organizimi i tyre dhe nga aftësia e tyre për të vepruar kolektivisht.
Më 7 Tetor 2026, në “Shtëpinë e Sindikatave” të KSSH-së, punëtorët e rinj dhe sindikalistët e rinj mblidhen për të diskutuar mbi sfidat e tyre, mbi të drejtat në punë dhe mbi mënyrën se si mund të ndërtohet një fuqi sindikale më e madhe dhe më e qëndrueshme.
Ne do të ndajë me sindikalistët e rinj përvojën, vizionin dhe strategjinë e KSSH-së në betejën shumëvjeçare për demokracinë, lirinë sindikale, organizimin dhe përfaqësimin dinjitoz të punëtorëve.
Ky është thelbi i 7 Tetorit: një punëtor i organizuar ka më shumë fuqi për të mbrojtur të drejtat e tij; një sindikatë e fortë ka më shumë mundësi të ndërtojë dialog social; dhe një shoqëri me dialog social është më pranë drejtësisë dhe demokracisë sociale.
Le ta kthejmë 7 Tetorin në një ditë të organizimit, solidaritetit dhe shpresës.
7 TETOR – PUNË E DENJË.
7 TETOR – ORGANIZIM.
7 TETOR – SOLIDARITET.
7 TETOR – DEMOKRACI.
7 TETOR – ZËRI I PUNËTORËVE TË RINJ.
Sepse të rinjtë që organizohen sot ndërtojnë fuqinë e punës së nesërme.
Të rinjtë që marrin pjesë sot ndërtojnë demokracinë e së nesërmes.
Dhe të rinjtë që qëndrojnë, punojnë dhe organizohen në Shqipëri janë pjesë e zhvillimit dhe e perspektivës europiane të vendit.
Punë e denjë do të thotë jetë dinjitoze.
Organizim do të thotë fuqi.
Solidaritet do të thotë mbrojtje.
Dhe demokraci sociale do të thotë që zëri i punëtorit të dëgjohet.
Kol Nikollaj
Share