INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Takim pune e FSPTKSHASH në fasoneritë Shkodër.

Suzana Lulaj, Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Tekstilit, Konfeksioneve dhe Shërbimeve Artizanale të Shqipërisë (FSPTKSHASH), anëtare e KSSH-së, zhvilloi një sërë takimesh pune në disa prej ndërmarrjeve fason në Shkodër.

Gjatë takimeve me punëdhënësit dhe kryetarët e sindikatave në këto ndërmarrje, u diskutuan nga afër situata aktuale e sektorit, shqetësimet e punonjësve dhe vështirësitë me të cilat po përballen kompanitë fason në këtë periudhë sfiduese.

Në fokus të diskutimeve ishte veçanërisht rreziku në rritje i reduktimit të vendeve të punës, si pasojë e vështirësive ekonomike dhe zhvendosjes së porosive dhe aktivitetit prodhues drejt vendeve të tjera, përfshirë Kazakistanin. Një situatë e tillë krijon pasiguri jo vetëm për mijëra punonjës dhe familjet e tyre, por edhe për vetë qëndrueshmërinë e kompanive që operojnë prej vitesh në këtë sektor.

Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet sindikatave dhe punëdhënësve, me qëllim evidentimin në kohë të problematikave, mbrojtjen e vendeve të punës dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta që mund të ndihmojnë në ruajtjen e aktivitetit dhe të punësimit.

KSSH dhe federata e saj anëtare do të vijojnë të ndjekin nga afër zhvillimet në sektorin fason, duke vendosur në qendër mbrojtjen e të drejtave të punonjësve, sigurinë e vendeve të punës dhe forcimin e dialogut social, veçanërisht në një periudhë kur sektori përballet me sfida të rëndësishme.

Share