INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Vizita e Atasheut Austriak Z. Harald Breza-Fugger në KSSH: Në fokus Dialogu Social, të Drejtat e Punëtorëve dhe Integrimi Europian

KSSH – BASHKËPUNIM, SOLIDARITET DHE EUROPË SOCIALE
Shtëpia e Sindikatave në Tiranë mirëpriti sot një mik të rëndësishëm të lëvizjes sindikale shqiptare dhe të bashkëpunimit shqiptaro-austriak, Z. Harald Breza-Fugger, Atasheun Austriak në Ministrinë Federale Austriake të Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit – International Partnerships Austria.
Lidershipi i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për Z. Breza-Fugger, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tij, si dhe për solidaritetin e Konfederatës Sindikale të Austrisë dhe popullit austriak ndaj KSSH-së, lëvizjes sindikale dhe shoqërisë shqiptare.
Takimi u zhvillua në një frymë të ngrohtë miqësie, respekti dhe solidariteti sindikal, duke u fokusuar në sfidat sociale dhe të punës, si dhe në perspektivën europiane të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
  • INTEGRIMI EUROPIAN DUHET TË JETË EDHE SOCIAL.
Palët shkëmbyen pikëpamje mbi procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke theksuar rëndësinë që ky proces të shoqërohet me standarde të larta sociale, punë të denjë, mbrojtje të punëtorëve dhe forcim të dialogut social.
Në fokus ishte edhe ekonomia sociale e tregut, si një model që lidh zhvillimin ekonomik me drejtësinë sociale, mbrojtjen e punëtorëve dhe mirëqenien e qytetarëve.
  • TË DREJTAT E PUNËTORËVE DHE FORCIMI I DIALOGUT SOCIAL.
Gjatë diskutimeve u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi për marrëdhëniet e punës dhe lëvizjen sindikale në Shqipëri:
forcimi i dialogut social gjithëpërfshirës dhe funksional;
përmirësimi i legjislacionit të punës në përputhje me standardet europiane;
garantimi dhe forcimi i të drejtës së organizimit dhe veprimtarisë sindikale;
paga minimale dhe nevoja për një standard dinjitoz jetese;
përfshirja e sindikatave në hartimin dhe harmonizimin e legjislacionit të punës ,reformimi dhe funksionimi efektiv i Këshillit Kombëtar të Punës;
forcimi i këshillave trepalëshe territoriale ,rritja e rolit të partnerëve socialë në proceset integruese të Shqipërisë.
U diskutua gjithashtu për fillimin e punës mbi programin e ri të Punës së Denjë në bashkëpunimit me ILO-n, si dhe për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të organizatave sindikale.
Presidenti i KSSH-së vlerësoi si veçanërisht të rëndësishme përparimet në përfshirjen e grave dhe të rinjve në sindikata, promovimin e barazisë dhe angazhimin e KSSH-së kundër çdo forme diskriminimi.
  • TAKIM ME STRUKTURAT SINDIKALE TË KSSH.
Në kuadër të vizitës, Z.Harald Breza-Fugger zhvilloi gjithashtu një takim me drejtuesit e Federatave Sindikale dhe koordinatorët rajonalë të KSSH-së në qarqe dhe rrethe.
Bashkëbisedimi u përqendrua në sfidat e sindikalizmit modern në Shqipëri dhe Europë, ndryshimet në tregun e punës dhe nevojën për një lëvizje sindikale të organizuar, të bashkuar dhe të aftë për të mbrojtur me dinjitet interesat dhe të drejtat e punëtorëve.
Sindikalistët e KSSH-së falënderuan Z. Breza-Fugger për praninë, vëmendjen dhe mbështetjen e tij, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërkombëtar sindikal.
KSSH beson se rruga drejt Europës nuk është vetëm rrugë ekonomike dhe institucionale.
Ajo është edhe rrugë e të drejtave sociale, e punës së denjë, e dialogut social dhe e dinjitetit të çdo punëtori.
SOLIDARITETI SINDIKAL NUK NJEH KUFIJ!
PUNA E DENJË ËSHTË THEMELI I EUROPËS SOCIALE!
KSSH – ZËRI I PUNËTORËVE, FORCA E SOLIDARITETIT!
Share