INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH merr pjesë në Kongresin e 19-të të UIL, Padova – Itali.

2–4 korrik 2026, Padova- Itali.
Kongresi i 19-të i UIL (Unione Italiana del Lavoro), me temë “Puna e së ardhmes, angazhimi i së tashmes – Inovacioni, njerëzit dhe të drejtat në epokën e Inteligjencës Artificiale”.
Në Kongres morën pjesë mbi 3000 pjesëmarrës, ndër të cilët: delegatë, përfaqësues të organizatave sindikale evropiane e ndërkombëtare, Drejtori i ILO ACTRAC, TUAC, institucione shtetërore dhe partnerë socialë.
Nga Shqipëria, në këtë Kongres mori pjesë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), e vetmja organizatë sindikale shqiptare, përfaqësuar nga Kol Nikollaj, President i KSSH dhe Anisa Subashi, Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Sinfikatave të Administratës Publike dhe Shërbimit Civil të Shqipërisë (FSAPSHCSH), duke riafirmuar marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit me UIL dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe angazhimin për shkëmbimin e përvojave në mbrojtje të të drejtave të punëmarrësve, forcimin e dialogut social dhe duke shkëmbyer përvoja mbi sfidat e përbashkëta të botës së punës.
 Në raportin e tij, Sekretari i Përgjithshëm i UIL, Pierpaolo Bombardieri, theksoi se sindikata duhet të jetë protagoniste në proceset e transformimit ekonomik dhe teknologjik, duke mbrojtur të drejtat e punëmarrësve, sigurinë në punë, pagat e drejta dhe kontraktimin kolektiv. Ai nënvizoi rëndësinë e dialogut social me institucionet, por njëkohësisht riafirmoi autonominë e plotë të UIL dhe angazhimin për të mbrojtur interesat e punëmarrësve pa ndikime politike.
Në punimet e Kongresit mori pjesë edhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila riafirmoi gatishmërinë e qeverisë për të ruajtur dialogun me partnerët socialë. Ajo theksoi rëndësinë e kontraktimit kolektiv për garantimin e pagave të drejta, angazhimin për përmirësimin e sigurisë në punë, mbështetjen e punësimit të qëndrueshëm dhe nevojën që zhvillimi i inteligjencës artificiale të shoqërohet me një qasje që vendos njeriun dhe dinjitetin e punës në qendër të politikave publike.
Në Kongresi morën pjesë edhe drejtuesit e dy konfederatave të tjera kryesore italiane, ku:
– Sekretari i Përgjithshëm i CGIL, Maurizio Landini, theksoi se uniteti i lëvizjes sindikale është kusht i domosdoshëm për të garantuar paga më të mira, punësim cilësor dhe mbrojtje efektive të të drejtave të punëmarrësve. Ai bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet organizatave sindikale përballë sfidave ekonomike dhe sociale.
Sekretarja e Përgjithshme e CISL, Daniela Fumarola, vuri në dukje rëndësinë e dialogut social, pjesëmarrjes aktive të punëmarrësve në proceset vendimmarrëse dhe forcimit të kontraktimit kolektiv.
Punimet e Kongresit përfunduan me rizgjedhjen e Pierpaolo Bombardieri në krye të UIL për një mandat të ri, si dhe me miratimin e prioriteteve strategjike të organizatës për vitet në vijim.
Share