INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH në Kongresin e 51-të të CFDT-së në Bordo, Francë.

KSSH në Kongresin e 51-të të CFDT-së në Bordo, Francë – Solidariteti sindikal është forca që bashkon punëmarrësit.
Lidershipi i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) mori pjesë në punimet e Kongresit të 51-të të Konfederatës Demokratike Franceze të Punës (CFDT), që u zhvillua në Bordo të Francës, nga 22 deri më 26 qershor 2026.
Ky kongres mblodhi mijëra delegatë, drejtues sindikalë dhe përfaqësues të organizatave partnere nga e gjithë bota, duke u shndërruar në një forum të rëndësishëm të dialogut, solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në emër të KSSH-së, delegacioni ynë përcolli urimet më të përzemërta për rizgjedhjen e Znj.Marylise Léon në detyrën e Sekretares së Përgjithshme të CFDT-së, duke i uruar suksese në drejtimin e një prej organizatave sindikale më të rëndësishme në Evropë.
Në një kohë kur demokracia, dialogu social dhe të drejtat e punëmarrësve përballen me sfida të reja, mesazhet e këtij kongresi ishin të qarta: sindikatat mbeten garancia më e fortë për mbrojtjen e dinjitetit në punë, drejtësisë sociale, lirisë sindikale dhe vlerave demokratike.
Vendosmëria e CFDT-së për të mos bërë kompromis me forcat që përçajnë punëmarrësit dhe dobësojnë dialogun social është një mesazh që gjen jehonë edhe në angazhimin e përditshëm të KSSH-së.
Pjesëmarrja e KSSH-së në këtë kongres forcoi më tej marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe konfirmoi rëndësinë e solidaritetit ndërkombëtar si një nga shtyllat themelore të lëvizjes sindikale.
Shkëmbimi i përvojave, diskutimet mbi sfidat e botës së punës dhe ndërtimi i aleancave të reja janë elementë thelbësorë për të garantuar mbrojtje më të mirë të të drejtave të punëmarrësve në çdo vend.
KSSH mbetet e përkushtuar për të qenë pjesë aktive e lëvizjes sindikale evropiane dhe ndërkombëtare, duke punuar për një shoqëri më të drejtë, për punë të denjë, dialog social efektiv dhe respektim të plotë të të drejtave të punëmarrësve.
Solidariteti nuk njeh kufij. Kur sindikatat bashkohen, zëri i punëmarrësve bëhet më i fortë.
Share