KONFEDERATA E SINDIKATAVE TË SHQIPËRISË (KSSH)
“Mbi të drejtën për protestë paqësore, respektimin e ligjit dhe përgjegjësinë institucionale”
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) riafirmon mbështetjen e saj për të drejtën e çdo qytetari për t’u shprehur, për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
KSSH solidarizohet me çdo protestë të ligjshme që synon mbrojtjen e të drejtave dhe interesave qytetare, sociale dhe ekonomike.
Njëkohësisht, u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve për vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit, duke dënuar çdo formë dhune, vandalizmi dhe dëmtimi të pronës publike apo private.
Dëmtimi i bankave, sinjalistikës rrugore, infrastrukturës së komunikimit dhe sistemeve të vëzhgimit cenon sigurinë publike dhe interesin e përbashkët, ndërsa pasojat financiare të dëmtimit të pronës publike mund të rëndojnë mbi taksapaguesit. Çdo përgjegjësi duhet të përcaktohet nga organet kompetente, mbi bazën e ligjit dhe procedurave përkatëse.
KSSH i kërkon Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse të intensifikojnë dialogun me qytetarët dhe grupet e interesit, të reagojnë me përgjegjësi dhe të marrin në kohë masat e nevojshme për zgjidhjen e problematikave të ngritura.
Njëkohësisht, KSSH thekson se fëmijët dhe adoleshentët duhet të mbrohen nga çdo instrumentalizim politik dhe ekspozim ndaj situatave të rrezikshme. Organizatat e shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat e fëmijëve dhe të grave komunitetet fetare dhe organizimet prinderore , duhet të ushtrojnë misionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe aktive. Studentët, nepermjet Unioneve Studentore , nga ana e tyre, kanë të drejtë të shprehin kërkesat e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe mekanizmave ligjorë, pa cenuar karakterin paqësor të protestës.
KSSH vlerëson se demokracia forcohet përmes ushtrimit të lirive themelore, respektimit të ligjit dhe përgjegjësisë së ndërsjellë.
Ne kërkojmë nga të gjitha palët vetëpërmbajtje, përgjegjshmëri dhe angazhim konkret për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Qeveria duhet të dëgjojë dhe të veprojë; protestuesit duhet të ushtrojnë të drejtat e tyre në mënyrë paqësore; institucionet duhet të garantojnë ligjshmërinë dhe mbrojtjen e të drejtave të çdo qytetari.
KSSH do të mbështesë gjithmonë të drejtën për protestë të ligjshme dhe paqësore, duke mbrojtur njëkohësisht rendin demokratik, pronën publike e private dhe interesin e përgjithshëm shoqëror. Dialogu dhe zgjidhjet ligjore janë rruga e përgjegjshme përpara; dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë as qytetarit, as demokracisë dhe as së ardhmes së vendit.
KONFEDERATA E SINDIKATAVE TË SHQIPËRISË (KSSH) !


