INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH Denoncon Dështimin Institucional për Mbrojtjen e Fëmijëve

FËMIJËT NË KANTIERË, SHTETI NË GJUMË!
Punësimi dhe shfrytëzimi i fëmijëve në Shqipëri është një emergjencë kombëtare dhe një aktakuzë e rëndë ndaj institucioneve shtetërore.
Rasti i publikuar në Elbasan, ku fëmijë të mitur punojnë në një kantier ndërtimi, nuk është një incident i izoluar. Nuk është një gabim administrativ. Nuk është një rast sporadik.
Është dëshmia më e qartë e dështimit të shtetit shqiptar për të mbrojtur fëmijët e vet.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) e denoncon me forcën më të madhe këtë realitet të turpshëm që po zhvillohet para syve të institucioneve, të cilat prej vitesh kanë zgjedhur të heshtin, të justifikohen ose të fshehin problemin pas statistikave dhe raporteve propagandistike.
Sot në Shqipëri nuk kemi thjesht raste të punës së fëmijëve. Kemi një fenomen të institucionalizuar të shfrytëzimit të tyre.
Në rrugët e qyteteve, në tregje, në punishte, në ferma, në aktivitete informale dhe madje në kantiere ndërtimi, fëmijët vazhdojnë të punojnë në kushte që cenojnë dinjitetin, shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.
Dhjetëra e qindra fëmijë vazhdojnë të mos frekuentojnë shkollën, ndërsa shumë të tjerë bien pre e rrjeteve kriminale që i përdorin për lypje dhe forma të tjera shfrytëzimi.
Kjo nuk ndodh sepse mungojnë ligjet.
Kjo ndodh sepse mungon vullneti politik për t’i zbatuar ato.
Kjo ndodh sepse institucionet që paguhen me taksat e qytetarëve kanë dështuar në misionin e tyre.
Inspektorati Shtetëror i Punës ka dështuar të identifikojë dhe godasë punësimin e paligjshëm të fëmijëve.
Nëse fëmijët punojnë në kantiere, në rrugë dhe në aktivitete të tjera të dukshme për këdo, atëherë pyetja që kërkon përgjigje është: ku kanë qenë inspektorët e shtetit?
Strukturat e mbrojtjes sociale kanë rezultuar të pafuqishme për të parandaluar përjashtimin social dhe shfrytëzimin e fëmijëve. Në shumë raste ato janë kthyer në mekanizma burokratikë që prodhojnë dokumente, por jo mbrojtje reale.
Po aq shqetësues është fakti se për më shumë se dy dekada janë financuar me miliona euro projekte, strategji, fushata, trajnime dhe programe në emër të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër punës së tyre.
Kanë kaluar qindra projekte të organizatave joqeveritare, te Sindikatave te Arsimit , institucioneve publike dhe strukturave të ndryshme që kanë deklaruar suksese në letra, ndërkohë që realiteti në terren dëshmon të kundërtën.
KSSH kërkon transparencë të plotë dhe auditim publik për fondet kombëtare dhe ndërkombëtare të përdorura në këtë fushë.
Shoqëria shqiptare ka të drejtë të dijë se ku kanë përfunduar milionat e investuara dhe pse, pavarësisht këtyre fondeve, fenomeni i punës së fëmijëve vazhdon të mbetet i përhapur.
Është hipokrizi që Shqipëria të raportojë progres në forumet ndërkombëtare, ndërkohë që fëmijët vazhdojnë të mbajnë tulla në kantiere, të lypin në semaforë dhe të braktisin bankat e shkollës.
Është hipokrizi të flitet për integrim europian, kur të drejtat më themelore të fëmijëve shkelen çdo ditë.
Është hipokrizi të ratifikohen Konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), ndërkohë që zbatimi i tyre mbetet pothuajse inekzistent.
KSSH ka paralajmëruar prej vitesh se dobësimi i politikave të punës dhe çështjeve sociale, si dhe zhdukja graduale e peshës institucionale të këtyre politikave në qeverisje, do të prodhonte pasoja të rënda sociale.
Sot këto pasoja po i paguajnë fëmijët më të varfër dhe më të pambrojtur të vendit.
Ne përshëndesim reagimin e Avokatit të Popullit, por theksojmë se shteti nuk mund të zgjohet vetëm kur mediat publikojnë skandale.
Mbrojtja e fëmijëve nuk mund të varet nga rastësia e një videoje në rrjetet sociale.
KSSH kërkon:
Hetim të menjëhershëm të rastit të Elbasanit dhe ndjekje penale të çdo përgjegjësi.
Kontroll kombëtar në të gjitha aktivitetet ekonomike ku dyshohet për punësim të fëmijëve.
Goditje të rrjeteve kriminale që shfrytëzojnë fëmijët për lypje dhe trafikim.
Auditim të pavarur të të gjitha fondeve dhe projekteve të financuara për luftën kundër punës së fëmijëve gjatë 20 viteve të fundit.
Përgjegjësi institucionale dhe publike për çdo rast të konstatuar të mosveprimit.
Hartimin e një plani kombëtar emergjent për eliminimin e punës së fëmijëve dhe rikthimin e tyre në sistemin arsimor.
Fëmijët nuk kanë nevojë për deklarata politike. Ata kanë nevojë për mbrojtje.
Fëmijët nuk kanë nevojë për statistika të zbukuruara. Ata kanë nevojë për shkollë, siguri dhe dinjitet.
Çdo fëmijë që punon në vend që të mësojë është një dështim i shtetit.
Çdo fëmijë që lyp në rrugë është një dështim i politikave sociale.
Çdo fëmijë që shfrytëzohet për përfitim ekonomik është një turp kombëtar.
KSSH do të vazhdojë të denoncojë publikisht çdo formë të shfrytëzimit të fëmijëve dhe i bën thirrje qeverisë, institucioneve ligjzbatuese dhe gjithë shoqërisë shqiptare të ndalojnë indiferencën përballë një plage që po shkatërron të ardhmen e vendit.
Një shtet që nuk mbron fëmijët e tij, ka humbur të drejtën morale të flasë për zhvillim, drejtësi sociale dhe të ardhme europiane.
Share