Tradhtia ndaj minatorëve nuk mund të fshihet pas firmave në kontrata kolektive.!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh mbështetjen e saj të plotë dhe të pakushtëzuar për minatorët e Bulqizës, të cilët me të drejtë po kundërshtojnë çdo përpjekje për të cenuar të drejtat e tyre të fituara ndër vite me sakrifica, protesta publike dhe greva urie.
Ngjarjet e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah një realitet të hidhur: një pjesë e strukturave që pretendojnë të përfaqësojnë minatorët kanë zgjedhur të rreshtohen në krah të punëdhënësit dhe jo në krah të punëtorëve. Në vend që të mbrojnë interesat e anëtarëve të tyre, ato kanë pranuar ndryshime në kontratën kolektive që krijojnë pasiguri juridike dhe dobësojnë të drejta të fituara me shumë mund.
Është e papranueshme që paga e 13-të, e fituar pas betejash të gjata sindikale, të tentohet të shndërrohet nga një e drejtë e garantuar në një “shpërblim vjetor” që mund të interpretohet dhe trajtohet sipas interesave të punëdhënësit.
Kjo nuk është negociatë sindikale. Kjo është dorëzim i të drejtave të punëtorëve.
KSSH dënon çdo bashkëpunim të fshehtë apo të hapur midis drejtuesve sindikalë dhe punëdhënësit që zhvillohet pa konsultimin e minatorëve dhe në kundërshtim me vullnetin e tyre.
Askush nuk ka mandat të negociojë uljen e të drejtave të punëtorëve.
Askush nuk mund të firmosë në emër të minatorëve marrëveshje që cenojnë interesat e tyre themelore.
Më shqetësues është fakti se ata që sot paraqiten si përfaqësues të minatorëve po përpiqen të paraqesin si fitore atë që në thelb përbën një tërheqje nga standardet e mbrojtjes së fituara më parë.
Minatorët e Bulqizës e kuptojnë shumë mirë dallimin mes një të drejte të garantuar dhe një premtimi që mund të ndryshojë nesër me një vendim administrativ.
KSSH i konsideron të drejta dhe plotësisht të ligjshme kërkesat e minatorëve për:
garantimin pa ekuivoke të pagës së 13-të si e drejtë kontraktore;
rritjen e pagave në përputhje me vështirësinë dhe rrezikshmërinë ekstreme të punës në minierë;
respektimin e orarit të punës dhe të pushimit sipas ligjit;
përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë në galeritë nëntokësore;
respektimin e dinjitetit dhe zërit të punëtorëve në çdo proces negociues.
KSSH paralajmëron se sindikalizmi nuk mund të kthehet në instrument për të disiplinuar punëtorët apo për të mbrojtur interesat e kompanive.
Sindikata që largohet nga misioni i saj dhe vepron kundër interesave të anëtarësisë humbet legjitimitetin moral për të folur në emër të punëtorëve.
Minatorët e Bulqizës nuk kanë nevojë për përfaqësues që negociojnë pas shpinës së tyre. Ata kanë nevojë për sindikata luftarake, të pavarura dhe besnike ndaj interesave të punëtorëve.
Historia e lëvizjes sindikale në Bulqizë është shkruar me sakrifica, jo me kompromise në dëm të minatorëve.
KSSH do të qëndrojë pa asnjë hezitim në krah të minatorëve në mbrojtje të çdo të drejte të fituar dhe kundër çdo përpjekjeje për t’ua marrë atë që e kanë fituar me mund, sakrificë dhe përballje të drejtpërdrejtë me padrejtësitë.
Asnjë hap pas nga të drejtat e fituara!
Asnjë marrëveshje mbi kurrizin e minatorëve!
Solidaritet me minatorët e Bulqizës!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH)


