Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Lezhë u zhvillua sot mbledhja konstituive e Këshillit Konsultativ Trepalësh Rajonal.
Në fjalën e tij hapëse, Prefekti theksoi se ky këshill përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm institucional, i cili synon forcimin e dialogut social dhe të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, njësive të pushtetit vendor, si dhe organizatave të punëdhënësve dhe Sindikatave.
Ky bashkëpunim synon adresimin e sfidave ekonomike, sociale dhe të punësimit në nivel qarku, kryesisht në evidentimin e disa çështjeve kryesore, ndër të cilat:
• problematikat ekonomike të biznesit të vogël;
• subvencionimi në sektorin e bujqësisë;
• punësimi, aftësimi dhe formimi profesional, si dhe politikat përkatëse;
• krijimi i kushteve të përshtatshme për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;
• sfidat e punësimit sezonal;
• respektimi i kontratave të punës;
• siguria dhe shëndeti në punë.
Në vijim të mbledhjes, u miratua rregullorja e funksionimit të këshillit dhe u zgjodhën nënkryetarët, ku nga pala e Sindikatave u zgjodh Nënkryetar Pjetër Gjinkoka, Koordinatori i KSSH-së për Qarkun Lezhë.
Gjithashtu, u paraqitën problematika dhe sugjerime konkrete, për të cilat institucionet përkatëse do të angazhohen në adresimin dhe zgjidhjen në kohë të tyre.


