INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH: Dështoi seanca e pajtimit në Lezhë – Minatorët e Minierës së Bakrit Spaç, nisin grevë pa afat të hënën.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) njofton se sot në qytetin e Lezhës dështoi seanca e pajtimit ndërmjet KSSH-së si përfaqësuese ligjore e punëtorëve dhe Kompanisë Turke punëdhënëse në Minierën e Bakrit në Spaç.

Punëdhënësi, edhe pas ndërhyrjeve të përsëritura të sindikatës dhe institucioneve përgjegjëse, vazhdon të ushtrojë presion mbi punëtorët, refuzon përmirësimin e kushteve të punës, si dhe bashkëpunimin me sindikatën. Për më tepër, kompania vijon të përdorë pengesa dhe artifica procedurale, duke zbatuar ligjin në mënyrë fragmentare dhe të qëllimshme për të mbuluar shkeljet e saj të rënda ndaj legjislacionit të punës kombëtar e atij ndërkombëtar të ratifikuar nga vendi ynë.

Në mënyrë të papranueshme, punëdhënësi pretendon se aktiviteti sindikal dhe organizimi i veprimtarive kolektive janë të paligjshme, duke anashkaluar Konventat Themelore bazë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) Nr.87 dhe 98 . Kartën Sociale Evropiane, nenin 6(4), si dhe Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, nenin 28, që garantojnë të drejtën themelore për veprim kolektiv dhe sindikal e për grevë.

Në këto rrethana, sindikata e punëtorëve, me mbështetjen dhe përfaqësimin e plotë ligjor të KSSH-së, ka vendosur të vijojë me grevë të përgjithshme pa afat, e cila do të nisë ditën e hënë, më 13 tetor 2025.
KSSH ka njoftuar zyrtarisht, në përputhje me ligjin, punëdhënësin dhe të gjitha institucionet publike përgjegjëse për zhvillimin, mbikëqyrjen dhe garantimin e grevës.

KSSH qëndron fuqishëm në krah të minatorëve dhe punëtorëve të Spaçit në mbrojtje të të drejtave të tyre ligjore, sociale dhe njerëzore!

Share