“Së bashku me te fortë, së bashku në Europë”
Fjala e Presidentit të KSSH-së në Kongresin e V të KSSH-së 30 Nëntor 2014
Të nderuar delegacione të sindikatave simotra E nderuar përfaqësuese e ITUC, zj. Enisa Salimovic Të nderuar deputetë të parlamentit, punëmarrës, drejtues institucionesh, miq e mikesha të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Të dashur delegatë e të ftuar të Kongresit të V të KSSH-së.
Sot zhvillojmë analizën e punës dhe të aktivitetit tonë 5 vjeçar. Zhvillimet e punimeve të këtij Kongresi për nga koha në të cilën zhvillohen marrin një rëndësi mjaft të veçantë për organizatën tonë. Ne sot po mbyllim rezultatet e aktivitetit tonë 5 vjeçar dhe po hedhim themelet e perspektivës dhe të zhvillimit të organizatës tonë për të ardhmen. Gjatë gjithë historisë së saj 23 vjeçare, KSSH si një institucion që ushtron veprimtari publike dhe shoqërore ka qenë dhe mbetet një grup interesi që mbron dhe përfaqëson interesa ekonomike dhe sociale të organizuara të punonjësve në të gjitha nivelet duke filluar që nga ato të bazës në ndërmarrje, organizata apo institucione, në ato në nivel territori dhe rajoni, në nivel kombëtar apo në nivel ndërkombëtar. Ky ka qenë dhe do të mbetet misioni dhe sfida jonë për të sotmen dhe për të ardhmen.
Pikërisht në përmbushje dhe në realizim të këtij misioni kanë qenë edhe vendimet e rezolutat e Kongresit tonë të katërt të cilat ndërtuan një sindikatë të re, demokratike, dhe me institucione të saj në të gjithë nivelet jo vetëm të konsoliduara por edhe të balancuara ndërmjet tyre sidomos në raportet sindikate – territori, sindikate – profesioni, federatë – konfederatë. Ne gjatë kësaj periudhe u përpoqëm të organizohemi e punojmë me strategji e objektiva konkrete dhe me synime në punën tonë të përditshme, në funksion të qëllimit tonë të përbashkët të sipërcituar. Rezolutat e vendimet e Kongresit tonë të IV por edhe disa vendime te mëvonshme të Asamblesë se Përgjithshme te KSSH-se kanë vërtetuar se pa aksion sindikal dhe veprim sindikal nuk mund te ketë organizatë sindikale me jete aktive dhe te organizuar. Si sindikatë e shekullit XXI, mjetet për të arritur këto objektiva kanë qenë dhe mbeten mjetet tradicionale të sindikalizmit, pjesëmarrja dhe zhvillimi i dialogut social e përfshirja në aksione e veprimtari konkrete për të garantuar një mbrojtje kolektive për të gjithë e nga të gjithë. KSSH është përpjekur që dialogun social ta promovojë në ndërtimin e konsensusit dhe përfshirjes demokratike midis aktoreve kryesor ne boten e punës, me qellim që nëpërmjet dialogut e bisedimit të zgjidhe çështje të rëndësishme ekonomike, sociale, te arrije paqe te qëndrueshme ekonomike, sociale, stabilitet dhe progres ne zhvillimin ekonomik. Ne e dimë që për të zhvilluar dialog social duhet te kemi organizata sindikale te punëdhënësve dhe të punëmarrësve të forta dhe të pavarura ekonomikisht dhe politikisht, me kapacitete intelektuale dhe teknike dhe me mundësi hyrje ne informacione e teknologji të reja. Pikërisht kjo ka qenë dhe një ndër drejtimet kryesore të punës tonë për të bërë të mundur një KSSH të pavarur politikisht dhe ekonomikisht, por edhe me një ndërthurje brezash për të ruajtur e promovuar vlerat e kaluara dhe për ti hapur rruge mendësive dhe zhvillimeve të reja intelektuale e teknologjike. Ne shumë federata kjo është arritur, por disa te tjera duhet të punojnë ne ketë drejtim. Zhvillimi i dialogut social dhe i kontraktimit kolektiv ne te gjitha nivelet ka qenë dhe mbetet ne te ardhmen një nder prioritete kryesore te KSSH. Me gjithë punën e bere dhe arritjet pozitive na rezulton se ne shume federata qoftë të shërbimit publik apo sektorit privat akoma vazhdojmë të kemi një kontraktim kolektiv formal. Kjo na rezulton që të ketë shkak jo vetëm dobësinë e lidershipit apo te grupeve negociuese e nënshkruese të kontratktimit kolektiv, por dhe një mungesë të traditës e të kulturës së kontraktimit dhe dialogimit në aspektin shoqëror dhe emancipues të shoqërisë sonë, si dhe një nivel të ulët e fragjil të zhvillimit të marrëdhënieve industriale në vendin tonë. Në shumë kontrata kolektive si në sektorë të arsimit, industrisë së lehtë, shërbimit publik, shërbimit civil, SME-ve etj. janë nënshkruar kontrata kolektive ku liria e kontraktimit është kufizuar në respektimin e një kuadri të ngushtë ligjor apo janë marrë plagjiatura dhe shabllonë të njëjta me kritere përgjithësuese për disa profesione, dhe kjo në të shumtën e rasteve shoqëruar me një përmbajtje të vaket dhe te cekët për të drejtat e punëtorëve. Pavarësisht këtij konstatimi kolektiv ku KSSH numëron mbi 360 kontrata kolektive ne te gjitha nivelet, krahasuar me 220 që ka BSPSH-ja, në shumë sektorë si në shëndetësi, shërbimet policore, sistemin elektroenergjitik, miniera, naftë, etj, sindikatat e KSSH janë nënshkrues të vetme të kontratave në nivel kombëtar, përsëri na rezulton të kemi akoma punonjës të pambrojtur, gra e fëmijë që vazhdojnë të punojnë në kushte skllavërie, pa asistence mjekësore, pa shëndet e siguri në punë, pa siguracione shoqërore e shëndetësore, pa shpërblim për vjetërsi e vështirësi ne punë, pa ushqim antidot e polivalent, pa dreke falas, pa transport falas, e plot mangësi të tjera. Shumë punëdhënës na rezulton se akoma vazhdojnë të abuzojnë nga padia dhe nga mungesa e informacionit që kanë punonjësit për të drejtat e tyre, duke mbuluar shkeljet e tyre me veprime formale ligjore apo bashkëpunim me sindikata fantazmë inekzistente, te verdha, që fatkeqësisht në Shqipëri janë bërë si kioskat pa leje, duke u favorizuar nga vakanca ligjore që qeveritë e radhës me dashakeqësi ndaj sindikatave nuk kanë pranuar që ta plotësojnë. Pikërisht këtu ne duhet të punojmë, që së pari jo vetëm ne si drejtues por gjithë anëtarët tonë të jenë të ndërgjegjshëm për të drejtat dhe detyrat e tyre ne marrëdhëniet e punës për ti paraprirë problemeve para se ato te lindin, dhe ne se lindin të eleminohen ne fillimet e tyre, e jo siç ndodh rëndomtë që disa sindikata apo federata që njihen me fenomenin pasi te ketë ndodhur e kryer demin, duke u vendosur para faktit te kryer, bile edhe në këto raste veprojnë me plogështi apo shfaqin pamundësi e lodhje ne kryerjen e detyrës së tyre. Vazhdon të mbetet problem tek disa sindikata apo profesione mos rakordimi i mirë apo efikas i aktivitetit territorial apo në ndërmarrje ndërmjet profesionesh nga koordinatorët në rrethe apo qarqe të cilët jo të njëjtin interes e përkushtim shfaqin për të ju shërbyer të gjithë federatave njëlloj. Për këtë ka ndikuar edhe mos funksionimi i dialogut social ne nivel territori apo ndërmarrje si dhe mos funksionimi i këshillave trepalëshe territoriale si dhe vakanca e strukturave tona të konsoliduara në nivel territori. Pavarësisht cedimit të zhvillimit të dialogut social apo marrëdhënieve të partneritetit, KSSH-ja në gjithë historinë e saj ka vepruar dhe do të veprojë si një institucion i pavarur në vetorganizim, përfaqësim dhe në mbrojtje kolektive në aspektin social e shoqëror të punëtorisë shqiptare. Pavarësisht mos nënshkrimit të një “memorandumi bashkëpunimi” para apo pas elektoral me Qeverinë e Koalicionit të majtë të kryesuar nga PS-ja, KSSH-ja si një sindikatë e pavarur por me anëtarësi, pikëpamje e vullnete politike ta majta me orientim social demokrat ashtu si gjithë sindikatat në Europën e qytetëruar. Njëkohësisht edhe si një aleat tradicionale e partive të majta që sot qeverisin vendin pas 23 qershorit 2013, ka qenë dhe mbetet alet tradicional i këtij koalicioni. Kjo ka bërë të mundur që përfshirja në vendim-marrjen e qeverisë nga ana jonë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të jetë më prezente dhe më frytdhënëse. Ne tashmë me këtë qeveri kemi marrë dhe kemi ndarë përgjegjësi të përbashkëta partnerësh real social duke pësuar një kthesë rrënjësore në mirë realizimin e politikave të përfshirjes, integrimit dhe mbrojtjes sociale, politikave të punësimit, dialogut social dhe përfshirjes sociale në politikat e pagave shpërblimet dhe të pensioneve, në reformat ristrukturore dhe rregullatore të qeverisë dhe të agjencive të saj ligjzbatuese sidomos në lidhje me transparencën, luftën ndaj korrupsionit, informalitetit, sigurinë e shëndetin në punë, reformën në sistemin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, reformën në sistemin e taksimit, rimodelimin e modelit ekonomik, ndryshimin dhe përshtatjen legjislative në tërësi e veçanërisht atij të punës e përkujdesjes shoqërore në veçanti në përputhje të plotë me standardet e BE-së. Prandaj KSSH e ndjen veten pjesë e aksionit të ndryshimit dhe reformimit që ka ndërmarrë e po vazhdon të kryejë Qeveria dhe shoqëria shqiptare në tërësi me qëllim arritjen e realizimit të një projekti social kombëtar nëpërmjet një konsensusi të madh shoqëror. Ne vlerësojmë hapësirën e krijuar dhe transparencën në bashkëpunim të Qeverisë veçanërisht të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e cila së bashku me sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve po punojnë ngushtë për të zhvilluar një strategji të përbashkët dhe për të arritur nënshkrimin e një Memorandumi mirëkuptimi social me gjithëpërfshirjen e partnerëve social duke synuar garantimin e një paqeje sociale dhe mirëkuptim social të qëndrueshëm me synim përmirësimin e jetës së punonjësve dhe eliminimin e konflikteve e kundërshtive sociale. Po sjell në vëmendje: – reformën totale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit si në formë dhe në përmbajtje, -reformën dhe rikompozimin e KKP-së, sa më afër realitetit përfaqësues dhe ndryshimin tërësor të tematikës organizimit dhe menaxhimit të tij, por mbetet detyrimi ynë i përbashkët kthimi i këtij këshilli në këshill ekonomik e social analog me atë të BE-së. Miratimi i akteve ligjore e nënligjore i ligjit për Sigurinë e Shëndetin në Punë duke e bërë atë të zbatueshëm e duke i dhen prioritet mjekësisë së punës, kryerjes së vizitave periodike, sëmundjeve profesionale që akoma vazhdojnë të jenë shqetësuese e të rrezikshme, në evidentimin e parandalimin e tyre. KSSH si një sindikate aktive bashkëpunuese dhe aktor i ofrimit të alternativave konkurruese ka bashkëpunuar ngushtë dhe ka dhënë kontributin e saj pranë qeverisë për hartimin e strategjisë kombëtare të punësimit dhe aftësive 2014-2020. Vizioni i kësaj strategjie është mbështetur në qëllimin gjithëpërfshirës të strategjisë Europiane 2020 për një punësim të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës bazuar në: “mundësi më të mëdha dhe punë më të mirë për të gjithë”. Ne ndjehemi mirë që u bëmë pjesë e realizimit të qëllimit tonë të përbashkët për të siguruar një nxitje punësimi cilësore e krijim mundësish për arsimim e formim profesional në funksion të tregut të punës. Nëpërmjet implementimit të kësaj strategjie ne do te synojmë të bëjmë të mundur realizimin e objektivave 2020 që janë: 1.Nxitja e mundësive për punë të denjë nëpërmjet politikave fleksible të tregut të punës. 2.Ofrim cilësor të arsimit dhe formimit profesional për të rinjtë e te miturit . 3.Nxitja e përfshirjes sociale dhe e kohezionit social. 4.Fuqizimi i qeverisjes së tregut të punës dhe i sistemeve të kualifikimeve (kutikulat). Ne kemi kërkuar dhe kemi arritur që sistemi i arsimit, e i formimit profesional, të bashkohen së bashku dhe të kenë varësi nga Ministria e Mirëqenies Sociale. Kjo ka realizuar një administrim më të mirë të kompetencave, optimizimin e burimeve njerëzore e financiare e sidomos orientimi i arsimit e formimit profesional në një qasje të njëjte dhe konkurruese drejt kërkesave aktuale dhe perspektive të tregut të punës. Sidomos gjatë këtyre viteve një nder prioritetet tona ka qenë mbrojtja ligjore e punëtorëve, anëtar ose jo të organizatës tone. Nëpërmjet projektit të bashkëfinancuar me ISCOS – MARCE i cili bëri të mundur hapjen dhe funksionimin e zyrave ligjore ne Tirane, Shkodër, Durrës, Fier, etj. Këto zyra kanë qene pjese e punës integrale te aktivitetit sindikal dhe tani po punohet për ti kthyer ne zyra koordinimi te aktivitetit sindikal. Puna jonë në drejtim të njohjes, zbatimit apo dhe njehsimit të ligjeve me standardet europiane ka qenë edhe në drejtim të ndryshimeve të Kodit të Punës. Ne kemi kërkuar që ndryshimet e Kodit të Punës të kryhen me qëllim që të pasqyrojnë sa më mirë stadin aktual të zhvillimit ekonomik, të lëvizjes sindikale dhe te organizatave të punëdhënësve, me qëllim që në këto ndryshime te futen elemente te ri te dialogut social dhe te marrëdhënieve industriale me qëllim që elementi i mbrojtjes kolektive të dominojë mbi atë individual të deritanishëm. KSSH është përpjekur pavarësisht diskriminimit, në përfaqësim deri në Këshillin Kombëtar të Punës të fundit i cili më në fund u përpoq të vendosë drejtësi duke u përbërë nga 5 anëtar përfaqësues të KSSH-së dhe 3 anëtarë përfaqësues të BSPSH-së, rezultate këto të mbështetura dhe të dokumentuara tërësisht nga Qeveria Berisha, por të marra në konsideratë në përgjithësi në mënyrë të drejtë nga Qeveria Rama në fillimet e saj. Kjo mbështetet dhe në vlerësimet ndërkombëtare të ITUC, ETUC, për sindikatat shqiptare ku KSSH ka të çertefikuar nga këto institucione 110 mije anëtar, dhe BSPSH 83 mijë anëtar. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka punuar dhe po punon për të siguruar sisteme të qëndrueshme dhe të sigurta për mbrojtje sociale. Sistemi ynë aktual i mbrojtjes sociale po vihet gjithnjë e me shumë nën presion nga ndryshimet demografike dhe nga mos konsolidimi i sistemit fiskal. Vendi ynë ka nevojë akoma të reformojë ndjeshëm sistemin e mbrojtjes sociale në një mënyrë të tillë që të gjeje një ekuilibër të pranueshëm midis qëndrueshmërisë financiare dhe përshtashmerisë sociale dhe ekonomike të përfitimeve dhe si gjithnjë mirëfunksionimi i Dialogut Social është rruga më e mirë për të arritur këtë. Pikërisht KSSH ka kohë që kërkon një reformim tërësor të sistemit të sigurimeve shoqërore. Për këtë grupi ynë i punës punoi mbi 1 vit dhe në bashkëpunim me aktorë të tjerë të interesuar përfundoi studimin “Për një reformë dinjitoze në pensione”, studim i cili u botua dhe promovua në një Konferencë Kombëtare me mbi 120 pjesëmarrës, sindikalistë, punëdhënës, qeveritarë, shoqëri civile, akademikë, etj. falë kontributit të ISCOS-MARCE në kuadër të projektit të zyrave ligjore. Kërkesa jonë për të vendosur drejtësi sociale për të gjithë nëpërmjet politikave fiskale fleksible ka bërë të mundur që këto politika të kthehen në shërbim të qëndrueshmërisë sociale e te drejtorive sociale e stabilitetit ekonomik të vendit. Parimi i shpërndarjes nëpërmjet progresivitetit duke zëvendësuar taksën e sheshtë me taksën progresive ka bërë të mundur që çdo punonjës të paguhet me një rrogë mujore shtesë gjatë vitit. Vitin e parë përshtatjen e tij në tregun e punës dhe me synimin arritjen e kuotës së 40-45 % të nxënësve të shkollave të mesme që i drejtohen arsimit profesional. Ky kontribut i yni për të realizuar këtë studim shërbeu si bazë për platformën që ndërmorën qeveria dhe parlamenti shqiptar për reformën e pensioneve. Ne i paraprimë vendimmarrjes qeveritare duke kryer një analizë të plotë të fenomenit të reformimit të sistemit të pensioneve duke u konsultuar jo vetëm me ekspertet dhe qarqet akademike në Shqipëri por dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë duke mbajtur një qëndrim të përbashkët për herë të parë të mbështetur edhe nga sindikata si-motër BSPSH. Nëpërmjet kësaj tribune dua të falënderoj të gjithë ata që kontribuan për kryerjen me sukses të reformës së pensioneve e veçanërisht për vendimin e fundit të Qeverisë dhe Parlamentit Shqiptar për pensionim të parakohshëm për minatorët. Ky vendim jo vetëm bëri realitet kërkesat dhe përpjekjet tona mbi 10 vjeçare por mbi të gjitha ndriçoi përpjekjet, grevat dhe protestat disa-vjeçare te minatorëve të gjithë Shqipërisë e veçanërisht të minatorëve të Bulqizës të cilët me grevat dhe protestat e tyre i kanë dhënë një leksion model lëvizjes sindikale duke treguar se si protestohet dhe se si fitohet kur ke mirë-organizim, kur ke vullnet, kur ke unitet dhe solidaritet ndërmjet anëtarëve të sindikatës dhe strukturave të saj. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë inkurajon Qeverinë në përpjekjet dhe vendimmarrjen e saj për korelimin e taksave dhe praktikat fiskale të miratuara.
Kjo po bën të mundur një sulmim pozitiv të parajsës fiskale dhe prishjen e regjimit të taksës zero, apo të taksës së sheshtë. Po trajtohen me sukses çështje të taksimit minimal si dhe të një baze të harmonizuar te taksave mbi fitimet nga kapitalet dhe taksat mbi të ardhurat e larta. Ky korelim i taksave po forcon dinamikën e kërkesës agregate dhe po garanton një shpërndarje duke i zhvendosur të ardhurat nga kapitali dhe pasuria në drejtim tek punëtoret e varfër e të mesëm dhe familjet e tyre. KSSH si një sindikatë e përgjegjshme, konstruktive, e vlerëson pozitive dhe po bashkëpunon me Qeverinë, për të rritur fuqinë e veprimit dhe për të bërë realitet premtimet. Ne e dimë se instrumentet politik dhe ekonomik i ka Qeveria për të influencuar direkt, por edhe sindikatat me sjelljen dhe influencën e tyre kanë një rol kyç për të luajtur. Sindikata jonë e ka vërtetuar se thellimi i pabarazisë dhe rritja e borxhit janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj stopimi dhe ulja e borxhit mbetet detyrë primare e qeverisë me qellim uljen e pabarazisë e minimizimin e varfërisë si dhe rritjen ekonomike e përmirësimin e zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Sot në ekonominë tonë ekziston një nevoje për ndryshime në drejtim të punësimit. Për vite me radhë ekonomia jonë ka patur rritje apo tendencë rritje por kjo kurrë nuk është shoqëruar me ulje papunësie. Prandaj politikat makroekonomike duhet që të jenë mbështetëse dhe në funksion e qëllim të punësimit. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë mendon se duhet gjetur një balancë ndërmjet strategjive për rritjen e punësimit dhe modelit e disiplinës fiskale. Në këtë shërbim është edhe taksa progresive, rifinancimi i TVSH-së për bizneset, paketat e veçanta fiskale për fasoneritë, bujqësinë, turizmin, peshkimin etj. Zgjerimi i bazës tatimore, lufta ndaj informalitetit, kreditimi i SME-ve, familjeve të varfra, të rinjve e grave të papuna etj. Këto politika synojnë konsolidimin fiskal dhe një treg pune atraktiv.
Qeveria duhet të gjejë mënyra që të inkurajojë dhe mbështesë investimet e huaja si dhe ndërmarrjet e kompanitë vendase që kanë nivele të larta likuiditeti që të investojnë në aktivitete prodhuese dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Njëkohësisht Qeveria duhet të inkurajojë teknologji të reja apo të mbështesë rinovimin e teknologjive ekzistuese si dhe të akumuloje njohuritë teknike dhe aftësitë njohëse të punonjësve. Varfëria në Shqipëri është një ndër problemet sociale më prezente dhe fatkeqësisht është kthyer në një fenomen mjaft shqetësues. Pavarësisht vlerësimit dhe luftimit të saj në nivel sasior e cilësor në aspektin politik dhe ekonomik apo si shqetësim social, varfëria akoma ka peshë të dukshme ne një numër të konsiderueshëm në familjet shqiptare. Varfëria nuk identifikohet vetëm në të papunët apo në familjet e personat që jetojnë në varfëri ekonomike, ajo përfaqësohet gjithashtu me kategori apo grupe interesi që janë të përjashtuara nga të drejtat themelore për të patur një banesë, ushqim të mjaftueshëm, ngrohje dhe veshje në dimër, punë sipas mundësive e aftësive fizike dhe nivelit arsimor, shkollë e spital afër banimit e akses në to, mbrojtja nga grabitja, dhuna etj. Prandaj duke qenë se varfëria është problem social shume kompleks e me shumë shkaqe dhe e lidhur me mjaft faktor kjo duhet të vlerësohet më intensivisht nga qeveria e te mbështet me një angazhim të fortë nga ne si grupimi interesi i drejtpërdrejtë i interesuar. Për uljen dhe reduktimin e varfërisë një rëndësi të veçantë ka përcaktimi i kufirit të varfërisë që ne sindikatat e quajmë “minimumi jetik”, apo “pragu i varfërisë”. Pikërisht për të ulur sa më poshtë këtë prag varfërie shteti duhet të marrë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e një standardi minimal jetese për qytetarët e tij si në formën e përfitimeve për papunësi, vëmendje për moshimin e tretë, për familjet e varfra, etj. Por sa duhet të jetë ky prag minimal ?! Pikërisht këtë ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë ti kërkojmë Qeverisë dhe politik-bërjes shqiptare që janë të detyruar të deklarojnë zyrtarisht “minimumin jetik” në Shqipëri. Përcaktimi i minimumit jetik tashmë është bërë çështje imediate që kërkon zgjidhje urgjente pasi kjo lidhet direkt me nevojat që ka njeriu për të siguruar mbijetesën në kushtet aktuale, por bazuar në këtë “prag” përcaktohen edhe nivelet e përfitimeve në skemat e mbrojtjes sociale e shoqërore të cilat aktualisht përcaktohen mbi bazën e anketave të matjes së nivelit të jetesës. Anketime këto jo shumë të sakta dhe shpesh të munguara fare në vendin tonë. Intensifikimi dhe institucionalizimi i bashkëpunimit të sindikatave organizatave të punëdhënësve me Qeverinë nëpërmjet shkëmbimit të informacionit dhe konsultimit kanë nxitur bisedime dhe ka krijuar hapësira pune për nënshkrimin e shumë marrëveshjeve e kontratave kolektive pune që nga ndërmarrje e sektorë bazë e deri në kompani, dikastere e Ministri. Po kujtoj marrëveshje me Ministrin e Transportit, Ministrinë e Shëndetësisë, me të tre kompanitë elektroenergjitike, me uzinat e metalurgjisë e prodhimit të çelikut, me kompani private të shfrytëzimit dhe përpunimit të mineraleve si Balfin Group, Kurum, Drejtorinë e Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Drejtorinë e Postave, Drejtorinë e Burgjeve, apo kompanitë private të ARMOS etj. Një kontribut ka dhënë dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për përcaktimin pranë çdo ministrie të një zyre të posaçme të koordinimit të aktivitetit me sindikatat duke eleminuar procedurat burokratike të partneritetit dypalësh qeveri-sindikatë. Kryerja e reformës territoriale e decentralizimit dhe riorganizimit të pushtetit vendor në përputhje me standardet e BE dhe kartën evropiane të pushtetit vendor kanë bërë të mundur dhe garantuar kushtet për të organizuar një dialog social civil në rrafshin territorial sa më produktiv dhe të suksesshëm. Bashkëpunimi ynë me qeverinë në drejtim të rishikimit të politikave tenderuese dhe konçensionare ju ka dhënë këtyre dimensione më transparente dhe më ligjore duke mbështetur ata investitor që bëjnë investime serioze dhe në përputhje me detyrimet kontraktuale që garantojnë vende të reja e të sigurta pune për punëtorët dhe që mundësojnë zgjerimin dhe mbylljen e cikleve përpunuese brenda vendit. Besojmë se bashkëpunimi dhe partneriteti ynë real me qeverinë dhe politik-bërjen në përgjithësi gjatë këtij viti ka patur rezultate të pranueshme dhe të prekshme në drejtim të dhënies fund militantizmit në sistemin arsimor shëndetësor dhe në administratën publike e në shërbimin civil. Akoma jemi në gjysmën gotën bosh e plot. Por kemi besim se reformat e nisura ndryshimet ligjore, reformimi strukturor dhe profesional i administratës do të bëjë të pamundur rekrutimin militant apo largimin politik nga këta sektorë jetik të shërbimit publik e administratës publike. Kjo arrihet duke kthyer besimin tek njerëzit dhe ky besim kthehet vetëm atëherë kur ne suksesshëm kemi bashkëpunuar me Qeverinë për të luftuar korrupsionin, burokracinë, diskriminimin, etj. Çmimi i energjisë Shqipëria është nënshkruese e traktatit të komunitetit të energjisë për Europën juglindore e me vone atë evropiane që nga viti 2001. Kjo ka bere te mundur futjen e vendit tone ne transformimet dhe modelimet e tregut rajonal te energjisë. Modeli ekzistues përfundon me 31 Dhjetor 2014 dhe ne jemi ne fazën e re te rimodelimit te këtij tregu rajonal, sigurisht dhe përcaktimi i tarifave te reja te energjisë për vitin 2015 e ne vazhdim. Të gjithë jemi të shqetësuar që këto tarifa të mos rrisin çmimin e energjisë e të mos rëndojnë konsumatorin por si kudo çmimin e vendos tregu. Por shtrohet pyetja a kemi ne Shqipëri treg të energjisë elektrike: -Përgjigjja është “Jo”. Atëherë fillimisht duhet te punojmë dhe të stabilizojmë tregun, ta bëjmë atë konkurrues, pastaj te kthehemi tek përcaktimi i kostove dhe çmimi real. Energjia elektrike ne Shqipëri është një treg i madh që gjeneron rreth 700 milion euro ne vit. Këtu ndërthuren e përplasen shumë interesa pagesa, borxhe, kredi, investime, dëmshpërblime, influenca te politikes, biznesit, etj. Ne i bashkohemi shqetësimit publik por edhe te Qeverisë e cila ka edhe detyrime politike e programore, e nga natyra e saj si Qeveri e majtë se rritja e çmimit të energjisë elektrike do te ketë pasoja të pariparueshme në cilësinë e jetës së qytetarëve. Ne mendojmë se ka akoma rezerva edhe për 2-3 vite që çmimi i energjisë të mos rritet. Së pari të gjithë operatoret e sistemit energjetik duhet të shfrytëzojnë te gjitha mundësitë për uljen e vjedhjeve dhe humbjen ne rrjet dhe urgjentisht te përmirësojnë aftësitë menaxhuese, forcimin e kapaciteteve administruese te cilat vazhdojnë të jenë në nivele shqetësuese. Se dyti të rillogariten kostot reale dhe barra e tyre të rishpërndahet në mënyrë më proporcionale brenda sistemit. Vetëm nga humbjet ne rrjet ne humbim rreth 150 milion euro ne vit, ne 6 vite 1 miliard dollar të barabarte me fondin e pensioneve. Së treti kryerja e investimeve me përparësi shpërndarjen dhe rritje e mekanizmave te transparencës, të kontrollit te shtetit mbi këto investime. Prandaj ne i kërkojmë Qeverisë të mos rritet çmimi i energjisë elektrike, por te rregullohet sistemi e tregu energjetik te cilat janë mbërthyer prej vitesh në një krize te thelle financiare në qindra milion euro të pashlyera ndërmjet kompanive me një çorganizim te organizuar ne administrim pas një dështimi ne privatizim. Të dashur delegatë, Ky bashkëpunim dhe këto arritje nuk e kanë vënë KSSH-në në anën e Qeverisë apo e kanë nënshtruar atë nga qeveria, këto janë pjesë e realitetit institucional të ndërsjelltë, janë vlera të përbashkëta të qenit faktorë dhe aktorë potencialë në lojën e skenës politike dhe ekonomike të vendit tonë. Rruga jonë është ë e përbashkët, është rruga “e lirisë dhe demokracisë” drejt Bashkimit Europian, por kjo rrugë nuk është rrugë me një kalim ku ne të vendosemi pas Qeverisë apo të tërhiqemi nga ajo, kjo rrugë është një autostradë me shumë kalime ku secila palë ka krahun e saj, por drejtimin e kemi të përbashkët, atë drejt BE-së prandaj KSSH zgjodhi dhe sloganin “Së bashku më të fortë së bashku në Europë”. Po të ndalojmë një moment dhe të kthejmë kokën pas, do të shohim që janë krijuar të gjitha kushtet për nënshkrimin e një marrëveshje mes të tre palëve (Qeveri-Punëdhënës-Punëmarrës). Ky nënshkrim bëhet më realist e më i besuar kur iniciohet dhe mbështetet nga një qeveri e majtë e cila përfaqëson një filozofi dhe program të majtë në thelb dhe më afër interesave social-ekonomike të sindikatave. Në përputhje me ritmet e zhvillimit ekonomik dhe në konsultim të plotë me sindikatat, qeveria duhet që çdo vit tashmë të bëjë rritjen vjetore të pagave e sidomos të pagës minimale si dhe indeksimin e tyre së bashku me pensionet sipas shkallës së inflacionit vjetor të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Miratimi i minimumit jetik, i statusit të moshës së tretë tashmë jo vetëm që janë premtime të parealizuara por janë kthyer në një domosdoshmëri për të ulur e reduktuar varfërinë dhe garantuar një rishpërndarje të produktit shoqëror me sa më shumë drejtësi sociale e solidaritet shoqëror. KSSH i propozon dhe i kërkon politikëbërjes se për të patur rritje të punësimit duhen aplikuar disa politika të nevojshme si: a. Rritje e produktivitetit, konkurueshmërisë dhe punësimit në sektorët ekzistues. b. Promovim të sektorëve të rinj në ekonomi që kanë vlerë të shtuar të lartë sidomos përpunimi i mineraleve, produktet “made in Albania” etj. c. Mbështetje për ekonominë dhe punën e gjelbër. d. Të zhvillohen dhe të promovohen akumulimi i njohurive teknike, aftësitë në punë si dhe praktikat menaxheriale dhe organizative të firmave, kompanive e bizneseve në vend. e. Dialogu social, partneriteti dhe bashkëpunimi të jenë strategjia mbizotëruese midis sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve e qeverise. Këto pesë pika janë kyçi për formëzimin e politikave më efektive dhe proceseve transformuese në sektorin e punësimit. Sindikatat natyrisht që janë pluraliste dhe të ndryshme por gjithmonë qëllimi i tyre duhet të jetë i përbashkët. Kjo realizohet kur këto ecin të ndara përpara por krah për krah dhe në objektiv godasin së bashku. Me keqardhje ne konstatojmë se me simotrën tonë BSPSH nuk ka ndodhur diçka e tillë akoma. Ajo akoma nuk po del nga rreshti i parakalimit politik të Partisë Demokratike e cila me politikat e saj neoliberale i ka sjellë shumë zollume lëvizjes sonë të përbashkët sindikale. Prandaj pavarësisht se jemi të ndryshëm nga BSPSH, qëllimi ynë është dhe do të mbetet i përbashkët dhe i qartë: “Mbrojtja e interesave social-ekonomike të punëtorëve shqiptarë pa dallime politike, ekonomike, shoqërore, etnike e fetare”. Për këtë KSSH ka treguar me fjalë e me vepra se është e përgjegjshme, e organizuar, e fortë dhe bashkëpunuese. Te njëjtën gjë dëshirojmë edhe presim nga kolegët e BSPSH-së. Qeveritë janë të dobëta në punën me të drejtat e punëtoreve, por të fortë me financat dhe ne lidhjet e tyre me biznesin. Prandaj bashkëpunimi e uniteti sindikal është domosdoshmëri për të kryer me sukses misionin tonë. Ne nuk duhet që debatin ta mbajmë vetëm në aspektin ideologjik por duhet ta ulim në rrafshin pragmatik. Ne së bashku me BSPSH-në dhe me të gjithë grupet e tjera të interesit apo të shoqërisë civile duhet të ofrojmë zgjidhje alternative të situatave me qellim që ato të jenë në shërbim të kauzës tonë të përbashkët, përmirësimin e cilësisë së jetesës së njerëzve dhe garantimin e punës së denjë për të gjithë. Të gjithë po flasin dhe punojnë për një formë të re të kapitalizmit. Apo një kapitalizëm të ndryshuar në kuadrin e globalizimit. Këto forma të sofistikuara po e ngushtojnë dhe shkatërrojnë të drejtat e punëtorëve dhe po asfiksojnë sindikatat. Prandaj është domosdoshmëri modernizimi dhe rikualifikimi sindikal. Ne duhet të mbajmë të ndezur pishtarin e edukimit dhe të trajnimit sindikal. Përvojën e krijuar dhe punën e mirë që ka bërë në këto vite dhe po bën aktualisht Qendra e Trajnimit dhe Kualifikimit Sindikal tashmë ne duhet ta bëjmë pjesë integrale të levizjes tonë sindikale. Vetëm me anëtarë të kualifikuar dhe mirë-trajnuar ne do të bëjmë të mundur të sfidojmë realitetin e mediokritetin dhe ta kthejmë edukimin sindikal në funksion të zhvillimeve organizative, modernizimit dhe forcimit të organizatës tonë. Legjislacioni, Standardet dhe Direktivat e BE-së, Konventat e ILO-s, janë të pranuara gjithandej, por vazhdon të jetë problem zbatimi dhe transpozimi i tyre. Ne duhet që të jemi të informuar në nivel kombëtar dhe rajonal për këto ndryshime. Ne duhet që jo vetëm të kërkojmë zbatimin korrekt të konventave të ILO-s të nënshkruara e ratifikuara nga vendi ynë, por në çdo vit ne duhet të jemi pjesë aktive në hartimin dhe monitorimin e raporteve që qeveria shqiptare paraqet në ILO për zbatimin e këtyre konventave. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë duhet të punojë me plane e veprimtari konkrete për të rritur normën e punësimit zyrtar, si dhe për të transformuar tregun e punësimit nga formal tek punësimi formal, me qellim rritjen e formalizimin e kontributeve shoqërore e shëndetësore, si dhe eleminimin e pagesave nen dorë (dhe me dy listë pagesa). Në përfundim dua të ndaj me Ju një shqetësim jo vetëm tonin si KSSH, por internacional për sindikatat. Sot kudo po përdoret kriza ekonomike si shkak për të ndryshuar rregullat ligjore në favor të biznesit e qeverive dhe ne disfavor te sindikatave e punëtorëve. Kudo kemi një papunësi masive dhe kërcenuese sidomos për të rinjtë. Kriza po krijon polarizim shoqëror dhe po rrit ndjeshëm varfërinë. Punëdhënësit dhe Qeveritë po ndryshojnë me dredhi shume marrëveshje kolektive në disfavor të sindikatave duke prishur regjimin juridik te narrëveshjeve dhe duke bërë të mundur humbjen e shume te drejtave te fituara. Prandaj ne duhet të punojmë më shumë se kurrë që të mos biem në një grackë të tillë. Të mos harrojmë se janë mbi 46 Konventa te ILO-s të nënshkruara nga shteti ynë ku 8 prej tyre janë themelore: si Konventa 87 dhe 98 që kane te bëjnë me lirinë e asocimit, Konventa 29 dhe 105 për eleminimin e punës së detyrueshme, Konventa 138 dhe 182 për eleminimin e punës së fëmijëve, Konventa 100 dhe 111 për eleminimin e diskriminimit ne punë dhe profesion. I solla këto në vëmendjen tuaj që ky nënshkrim nuk duhet pare si një detyrim formal apo qellim ne vetvete, por si një shprehje dhe angazhim zyrtar i shtetit, qeverise shqiptare për të ndërtuar një sistem demokratik funksional që garanton realisht pune te denje për të gjithë. Ne i kujtojmë politikëbërjes dhe Qeverise Shqiptare se Shqipëria ka pranuar të zbatoje Deklaratën e ILO-s: “Mbi parimet themelore dhe te drejtat ne Pune”, e adaptuar nga Konferenca Ndërkombëtare e Punës e vitit 1998. Ne kemi punuar dhe do te punojmë nën frymën e këtyre dokumenteve të rëndësishme ndërkombëtare jo vetëm për liri e të drejta sindikale te garantuara, por dhe për punë të denjë për të gjithë të siguruar nëpërmjet një tregu pune fleksibël. Ne na rezulton se kjo dëmtohet kryesisht nga mos zbatimi i ligjit ekzistues për marrëdhëniet e punës, mos unifikimi dhe azhornimi i tij me standardet e BE, si dhe ndërhyrjet e organeve shtetërore në punët e sindikatave apo politizimi i vete sindikatave. Zgjedhja inteligjente që Asambleja e Përgjithshme e KSSH-së bëri për slloganin e këtij Kongresi: “Së bashku më të fortë, së bashku në Europë”, e vendos organizatën tonë në ballë të luftës e të përpjekjeve jo vetëm për të qenë avokate besnike dhe e besueshme nga punëtorët shqiptarë, por dhe një shembull në drejtim të riorganizimit, ristrukturimit e reformimit demokratik të vetvetes tonë. Kongresi i V i KSSH-së do të mbetet gjatë në vëmendjen tonë si Kongresi i konsolidimit organizativ dhe perfeksionimit të demokracisë së brendshme në të gjithë hallkat dhe strukturat e organizatës tonë. Prandaj ne duhet të fokusohemi dhe të konsolidohemi e të meritojmë besimin që punëtorët shqiptarë kanë tek ne. Kjo është sfida e jonë e përbashkët, sfida e sindikalizmit modern shqiptar. Suksesi i botës moderne buron nga liria e qytetarëve të saj, liria më e madhe në punë, në familje, në shkollë e kudo është çelësi i suksesit tonë. Ka shumë institucione në vendin tonë përfshirë edhe partitë politike apo sindikata që funksionojnë si kazerma në shërbim të kryetarit. Ne duhet të sfidojmë këto mbetje mesjetare, ne duhet të modernizojmë shoqërinë nëpërmjet modelit tonë: konkretisht neve na duhet një sindikatë moderne dhe demokratike, nje sindikatë e bashkuar dhe e hapur për të gjithë punëtorët, ne duhet të funksionojmë me rregulla loje të qarta të barabarta, të zbatueshme nga të gjithë e për të gjithë. Ne duhet të funksionojmë si një organizëm i tëre, i gjallë e dinamik në çdo qelize. Ne duhet tu krijojmë mundësi punëtorëve shqiptarë, anëtarëve të votë-besuarve e të zgjedhurve tanë në cdo nivel që të kontribuojnë, të mblidhen, të debatojnë e të diskutojnë të lirë, të vendosin së bashku me kolegjialitet në vendim-marrje e në aksione të veprimtarisë sindikale. KSSH tashmë është sindikata më e madhe dhe më e organizuara në Shqipëri. Falë aftësive tona të përbashkëta për të kuptuar kohet që jetojmë dhe frymëmarrjen demokratike e kohezionin social të shoqërisë sonë. Gjatë këtyre dy dekadave jemi përpjekur të përshtatmi e orientohemi në rrethanat specifike te kohës dhe momentit duke u organizuar, duke bashkëpunuar, duke kundërshtuar, duke u përballur, duke ndryshuar, reformuar e demokratizuar vetveten e nëpërmjet vetes, shoqërinë tonë. Ne duhet të rezistojmë të promovojmë dhe të përçojme vlerat më të larta të moralit shoqëror. Ne duhet të jemi një shkollë e lëvizjes sindikale dhe e vlerave sindikale për të gjithë shtresat dhe te gjithë moshat. Ne duhet të mbajmë lidhje dhe marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi jo vetëm më punëtorët por me të gjithë qytetarët, pasi hallet e punësimit shpërblimit, sigurisë në punë etj, janë halle të gjithë qytetarëve. Mendësia e sindikatës së mbyllur në një rreth të caktuar apo të përjetshëm personash e emrash nuk mund të jetë mendësia dhe veprimi ynë. Frika se mos na zënë vendin ata që vijnë nuk është koncepti modern i yni. Hapja për ne është një koncept më i gjerë se zgjerimi. Zgjerimi mund të jetë fiktiv vetëm me anëtar virtual apo real, hapja është një dimension i ri. Hapja për ne është një koncept ndërveprimi me shoqërinë. Hapja është komunikim, bashkëpunim me politikën, qeverisjen, shoqërinë civile, akademike, sipërmarrjen e kategori të tjera shoqërore. Këto ishin disa nga idetë që në menduam te trajtojmë sot në këtë mbledhje te rëndësishme e cila po përcakton fillimin e politikave dhe te reformave qe do te ndërmarre KSSH-ja gjate 5 viteve te ardhshme për te forcuar dhe konsoliduar gjithë strukturat tona sindikale dhe për te siguruar e garantuar te ardhmen e KSSH-së, si një sindikate e shëndoshe, demokratike, dhe lider ne lëvizjen sindikale shqiptare. Ju falënderoj për vëmendjen. Rroftë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.