INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

DY PUNËTORË TË VDEKUR NË DY DITË! MJAFT ME HESHTJEN!

“Lutemi, o Zot, mbaje dorën!”
Por jeta e punëtorit nuk mund t’i lihet më fatit dhe lutjeve! Siguria në punë është detyrim ligjor dhe përgjegjësi e punëdhënësit dhe institucioneve shtetërore.
Dje Ermal Debrova në Patos. Sot Klajdi Zekthi në Belsh. Dy punëtorë që humbën jetën në krye të detyrës, duke punuar me energjinë elektrike. Dy familje të goditura nga tragjedia.
Kjo situatë është alarmante dhe e papranueshme!
KSSH kërkon nga Prokuroria dhe organet hetimore hetim të plotë, të pavarur dhe transparent për të dyja ngjarjet. Të verifikohet çdo procedurë sigurie, çdo përgjegjësi teknike dhe drejtuese dhe çdo shkelje e mundshme.
Kërkojmë nga Inspektorati i Punës kontrolle reale dhe masa parandaluese, jo vetëm reagime pas tragjedive.
KSSH nuk pranon që përgjegjësia të përfundojë mbi viktimat!
Nëse ka pasur neglizhencë, shkelje të rregullave të sigurisë apo mosveprime nga personat përgjegjës, ata duhet të japin llogari administrative, disiplinore dhe penale, sipas ligjit.
Kërkojmë gjithashtu transparencë për investimet dhe gjendjen teknike të sistemit elektrik. Paratë duhet të shkojnë për sigurinë, mirëmbajtjen dhe modernizimin e rrjetit, jo për interesa klienteliste apo propagandë politike.
Dy jetë të humbura në dy ditë nuk janë statistikë. Janë një kambanë alarmi!
  Mjaft me heshtjen!
  Mjaft me fajësimin e viktimave!
  Mjaft me pandëshkueshmërinë!
KSSH KËRKON: PËRGJEGJËSI! DREJTËSI! SIGURI NË PUNË!
Jeta e punëtorit është mbi çdo interes ekonomik, politik apo klientelist.
Share