INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

26 Maj 2021, takim me Z. Steven McCain, Drejtuesi i Qendrës së Solidariteti të AFL-CIO

26.05.2021, Tiranë
Z. Steven McCain, Drejtuesi i Qendrës së Solidariteti të AFL-CIO (Konfederatës Amerikane të Sindikatave) që mbulon gjithë rajonin tonë dhe është me qendër në Beograd, së bashku me Z. Saša Uzelak, e nisën vizitën e parë të tyre në Shqipëri, pas lehtësimit të pandemisë, me një takim në Zyrat Qëndrore të KSSH-së me Z. Kol Nikollaj, President i KSSH-së dhe Znj. Anisa Subashi, Zëvendës Presidente e KSSH-së dhe Drejtore e Qendrës së Trajnimit dhe Studimeve Sindikale të Shqipërisë (QTSSSH).
Ky ishte një takim i planifikuar për tu zhvilluar që në Mars të vitit 2020, i cili u shty për shkak të pandemisë COVID-19 dhe u bë i mundur të realizohej tashmë që situata është qetësuar, popullata po vaksinohet dhe rrjedhshmëria e jetës po kthehet në normalitetin e saj të dikurshëm, po ashtu edhe takimet e punës.
Fokusi i këtij takimi ishte vazhdimësia e bashkëpunimit mjaft të mirë që KSSH me Qendrën e Solidariteti dhe AFL-CIO ka prej shumë vitesh; situata në Shqipëri gjatë kohës së pandemisë, por edhe ngjarjeve të tjera gjatë kësaj periudhe që kanë ndikuar në shoqërinë shqiptare dhe veprimtarinë sindikale; funksionimi i dialogut social, dhe jo vetëm; hapja e zyrës së Qendrës së Solidariteti në Tiranë, e cila do të mbulojë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, e cila gjithashtu u shty për shkak të pandemisë; aktivitetet e përbashkëta rajonale edhe pas hapjes së Zyrës në Tiranë; etj.
Përfaqësuesit e Zyrës së Solidaritetit përgëzuan KSSH-në për punën sindikale gjatë kohës së pandemisë, sidomos vlerësuan faktin e mbështetjes me ndihma e mjete mbrojtëse sektorin e shëndetësisë, ku KSSH ka treguar një vëmëndje të shtuar dhe për të cilën ata ishin mjaft të informuar.
Z. Nikollaj i falenderoi miqtë për gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin mjaft të mirë deri tani, duke dhënë edhe disa ide për të ardhmen, të cilat u vlerësuan nga të dy kolegët.
Ai i informoi se KSSH së bashku me Federatën e Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, sot nisin një protestë në mbrojtje të punonjësve në Ulëz, të cilët janë anëtarë të FSPISH, protestë e cila do të përshkallëzohet derisa të arrihen kërkesat e punonjësve dhe Federatës. I shpjegoi miqve gjithë situatën mbi këtë çështje, si dhe kërkesat e parashtruara.
Ata vlerësuan aksionin e ndërmarrë nga KSSH dhe FSPISH dhe shfaqën gadishmërinë për çdo mbështetje apo nevojë që mund të kishte KSSH në këtë rast, por gjithashtu garantuan mbështetjen e tyre dhe bashkëpunimin edhe në të ardhmen në çdo aspekt e kërkesë që KSSH mund të paraqesë.
Share