Mbi 2000 çështje të mosmarrëveshjeve në punë u paraqitën për shqyrtim në gjykatat shqiptare në 2019.
Mosmarrëveshjet janë bashkëudhëtarët tanë në familje, shoqëri dhe në vendin e punës, ku kalojmë mbi 30% të kohës.
Ndërsa debati duhet inkurajuar si burim zhvillimi idesh dhe zgjidhjesh, përshkallëzimi i tij krijon kosto shëndetësore, sociale, ekonomike, financiare dhe produktiviteti për të gjithë palët e përfshirë në të.
Trajtimi në gjenezë i konflikteve në ndërmarrje përmes informimit mbi të drejtat dhe detyrimet e punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe ngritjes së platformave aktive të dialogut në nivel ndërmarrje, mundëson një klimë të shëndetshme, produktive dhe harmonie në vendin e punës,kursen kostot e përdorimit të burimeve të sistemit publik të ndërmjetësimit dhe pajtimit si dhe lehtëson ngarkesën e gjykatave nga çështjet administrative të marrëdhënieve të punës.
“Manuali për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve në Ndërmarrje” u vjen në ndihmë punonjësve dhe punëdhënësve e administratorëve të tyre për të zhvilluar kulturën e dialogut të informuar mes tyre në ndërmarrje.
Z. Besart Kadia, Zv Minister i MFE dhe Zj. Birgitta Jansson, Zv. Ambasadore e Suedisë, Z. Kol Nikollaj, President i KSSH, përfaqësues të sindikatave (KSSH, BSPSH, sindikata të naftës, agroturizmit, shëndetësisë, call centers etj), shoqatat e biznesit (Biznes Albania, KASH, Proexport etj.), NGOs AOSHC, CLR.AL dhe institucionet publike AKPA dhe ISHP vlerësojnë përpjekjet trepalëshe për hartimin dhe aplikimin e manualit në çdo ndërmarrje e kudo ku ka një marrëdhënie pune.
Autorë: Prof. Eralda Methasani, z. Sylvain Baffi, ITCILO-Torino, zj. Cristina Mihes, ILO DWT Budapest.
ILO – Qeveria Suedeze
Projekti “Qasje në Drejtësi për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve në Vendin e Punës përmes Ndërmjetësimit dhe Pajtimit”