INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Një tjetër punëtor humb jetën në kantier ndërtimi – sa jetë të tjera duhen që të zbatohet ligji?

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e punëtorit 40-vjeçar, i cili, sipas informacionit të bërë publik, humbi jetën sot si pasojë e një aksidenti në një kantier ndërtimi të një resorti luksoz në afërsi të Portit të Durrësit.
Ky nuk është një aksident i izoluar. Është një kambanë alarmi që dëshmon se siguria dhe shëndeti në punë vazhdojnë të trajtohen me papërgjegjshmëri, ndërsa punëtorët vazhdojnë të paguajnë me jetën e tyre
.
Prej vitesh, KSSH ka denoncuar se sektori i ndërtimit mbetet ndër më problematikët për shkeljen e standardeve të sigurisë në punë. Mungesa e kontrolleve efektive, moszbatimi i ligjit dhe pandëshkueshmëria kanë bërë që shumë kantiere të shndërrohen në galeri vdekjesh, ku fitimi vendoset mbi jetën e njeriut.
KSSH kërkon hetim të plotë dhe transparent të këtij rasti, vënien përpara përgjegjësisë të çdo personi apo subjekti që ka shkelur detyrimet ligjore, si dhe intensifikimin e menjëhershëm të kontrolleve në të gjitha kantieret e ndërtimit.
Njëkohësisht, KSSH i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të ushtrojnë kontroll të plotë mbi aktivitetin në sektorin e ndërtimit, pasi është detyrim i shtetit të garantojë që kantieret të mos kthehen në galeri vdekjesh për punëtorët, ndërsa opinioni publik vazhdon të ngrejë dyshime serioze se një pjesë e tyre shërbejnë edhe si mekanizma për pastrimin e parave. Këto dyshime kërkojnë hetim të plotë nga organet kompetente.
Jeta e punëtorit nuk është kosto biznesi. Zbatimi i ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk është zgjedhje, por detyrim. Çdo jetë e humbur në punë është përgjegjësi që nuk mund të fshihet pas heshtjes institucionale.
Share