INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH: Për kushtet e rënda të punës së punonjësve të pastrimit në bashkitë e vendit, veçanërisht në Bashkinë e Tiranës.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) ngre shqetësimin e saj të fortë për kushtet e vështira dhe shpesh të papranueshme në të cilat punojnë punonjësit e pastrimit në bashkitë e vendit, me një situatë veçanërisht shqetësuese në Bashkinë e Tiranës.
Punonjësit e pastrimit kryejnë një punë të rëndë, të domosdoshme dhe me rëndësi të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe jetën e qyteteve.
Megjithatë, kjo kategori punëtorësh vazhdon të jetë ndër më të keqpaguarat dhe më të pambrojturat. Çdo ditë ata përballen me mbetje urbane, ndotje, materiale të rrezikshme, mikroorganizma, sëmundje dhe infeksione, ndërkohë që në shumë raste nuk pajisen siç duhet me mjetet personale të mbrojtjes dhe materialet dezinfektuese të nevojshme, në përputhje me kërkesat e sigurisë dhe shëndetit në punë.
KSSH e konsideron të papranueshme që punëtorët, të cilët kujdesen çdo ditë për higjienën e qyteteve tona, të detyrohen të punojnë pa garancitë minimale për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së tyre. Për këtë kategori punonjësish duhet të zbatohen realisht të gjitha masat mbrojtëse dhe përfitimet që parashikohen nga legjislacioni dhe rregullat në fuqi, përfshirë trajtimin ushqimor, qumështin ose masat e tjera mbrojtëse, aty ku ato parashikohen për ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikshëm në punë.
Një tjetër shqetësim serioz është siguria gjatë punës dhe transportit. Praktika e ngjitjes së punonjësve në pjesët e jashtme të mjeteve të grumbullimit të mbetjeve, përveçse i ekspozon ata ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën, krijon edhe rrezik për aksidente në rrugë. Kjo situatë nuk mund të justifikohet me nevojat e shërbimit, me mungesën e mjeteve apo me presionin për të përfunduar punën brenda një afati të caktuar. Asnjë normë pastrimi dhe asnjë interes administrativ nuk mund të jetë mbi jetën dhe sigurinë e punëtorit.
Punonjësit e pastrimit punojnë në kushte të vështira atmosferike, në temperatura të larta dhe për orë të zgjatura në diell, por edhe në shi, erë dhe të ftohtë. Përballë këtyre kushteve kërkohet organizim i përshtatshëm i punës, pushime, mjete mbrojtëse dhe respektim rigoroz i rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
KSSH është veçanërisht kritike ndaj strukturave shtetërore dhe vendore që kanë detyrimin ligjor të kontrollojnë kushtet e punës, por që në shumë raste duket se mjaftohen me kontrolle formale dhe nuk ndërhyjnë për të parandaluar rreziqet reale me të cilat përballen punëtorët.
Po aq shqetësuese janë denoncimet për presione dhe dhunë psikologjike në vendin e punës, për pengimin e organizimit kolektiv dhe sindikal, si dhe për ngarkimin e punonjësve me punë ekstra, orë shtesë dhe ngarkesa të rënda fizike pa respektuar të drejtat e tyre. KSSH e thekson qartë: e drejta për organizim sindikal dhe përfaqësim kolektiv nuk është privilegj i punëdhënësit për ta dhënë apo mohuar, por një e drejtë themelore e punëmarrësve.
KSSH kërkon nga të gjitha bashkitë, dhe veçanërisht nga Bashkia e Tiranës, marrjen e menjëhershme të masave për garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë, pajisjen e punonjësve me të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse, respektimin e orarit dhe pagesës së punës jashtë orarit, eliminimin e praktikave të rrezikshme gjatë transportit dhe trajtimin dinjitoz të kësaj kategorie punëtorësh.
KSSH kërkon gjithashtu nga institucionet përgjegjëse të shtetit kontrolle reale dhe jo formale, verifikimin e kushteve të punës dhe marrjen e masave ndaj çdo punëdhënësi apo drejtuesi që shkel të drejtat dhe rrezikon shëndetin e punonjësve.
Punonjësit e pastrimit nuk janë punëtorë të dorës së dytë! Ata meritojnë pagë dinjitoze, siguri, mbrojtje sociale, respekt dhe të drejtën për t’u organizuar e për të mbrojtur kolektivisht interesat e tyre.
KSSH do të jetë në krah të punonjësve të pastrimit dhe nuk do të heshtë përballë shkeljeve të të drejtave të tyre.
Një qytet i pastër nuk mund të ndërtohet mbi pasigurinë, shfrytëzimin dhe cenimin e dinjitetit të punëtorëve që e pastrojnë atë.
KONFEDERATA E SINDIKATAVE TË SHQIPËRISË – KSSH
Share