INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH pjesë e diskutimeve evropiane mbi menaxhimin e moshës dhe të ardhmen e punës në industri!

Bruksel | 22 Tetor 2026
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) mori pjesë në aktivitetin ndërkombëtar “Menaxhimi i Moshës në Industrinë Përpunuese: Strategjitë Sindikale në Evropë dhe më Gjerë”, i cili mblodhi ekspertë dhe përfaqësues sindikalë evropianë për të diskutuar sfidat e plakjes së fuqisë punëtore dhe transformimit të tregut të punës.
KSSH u përfaqësua nga Kol Nikollaj, President i KSSH-së, dhe Suzana Lulaj, Sekretare e Përgjithshme e FSPTKSHASH.
Në fokus të takimit ishin ndryshimet demografike, zhvillimi i aftësive profesionale, përshtatja e kushteve të punës për punonjësit e moshave të ndryshme, si dhe forcimi i dialogut social dhe negociatave kolektive.
Këto sfida prekin drejtpërdrejt edhe Shqipërinë, ku emigrimi i fuqisë punëtore, veçanërisht i të rinjve, ndryshimet në strukturën moshore të popullsisë dhe nevoja për rikualifikim profesional po krijojnë sfida të reja për tregun e punës dhe sektorin industrial.
Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë merr hartimi i politikave që mbështesin punonjësit në moshë, nxisin transferimin e njohurive dhe përvojës ndërmjet brezave, garantojnë mundësi të barabarta për trajnim dhe zhvillim profesional, si dhe sigurojnë kushte të denja pune gjatë gjithë jetës profesionale.
Diskutimet u mbështetën në gjetjet e projektit PROMISE dhe raportet AGE Barometers, duke ofruar përvoja dhe praktika sindikale nga vende të ndryshme evropiane.
KSSH thekson rëndësinë e forcimit të dialogut social dhe negocimit kolektiv edhe në Shqipëri, për të garantuar që transformimet demografike dhe teknologjike të mos sjellin përjashtim nga tregu i punës, por mundësi për punësim të qëndrueshëm, solidaritet ndërmjet brezave dhe mbrojtje të të drejtave të çdo punonjësi, pavarësisht moshës.
Share