INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH Konferencë Kombëtare/ Dita Botërore për Punë të Denjë

Në kuadër të 7 Tetorit, Ditës Botërore për Punë të Denjë, KSSH organizoi një Konferencë kombëtare.
Z. Kol Nikollaj, Presidenti i KSSH, në këtë konferencë shpalosi pikëpamjet dhe programin e KSSH në lidhje me çështjet e punësimit dhe veçanërisht për punën e denjë si një faktor kyç për të garantuar punë produktive, paga dhe shpërblime dinjitoze dhe të drejta në raport me çmimin e punës.
Z. Steven McCloud, Drejtori i Qendrës së Solidaritetit Tiranë, në përshëndetjen e tij theksoi bashkëpunimin prej shumë vitesh ndërmjet AFL-CIO/Qendra e Solidaritetit dhe KSSH dhe se promovimi i punës së denjë, të gjitha aspektet që lidhen me to, si dhe çështjet e pagave dhe riformulimi i një kontrate të re sociale do te jenë axhendë kryesore e punës sonë në të ardhmen.
Eksperti i ekonomisë, Z. Zef Preçi referoi mbi nevojën dhe domodoshmërinë e reformimit tërësor të pagave dhe pensioneve në Shqipëri.
Gazetarja e ekonomisë Znj. Ola Xama, njëkohësisht dhe gazetare investigative në BIRN, referoi mbi një studim të kryer në lidhje me transparencën dhe mirë-qeverisjen e kompanive shtetërore publike. Këto kompani gjatë këtyre viteve janë shoqëruar me probleme të nxehta në lidhje me korrupsionin, trafikun e influencave, mungesën e transparencës me publikun, si dhe mosplotësimin me legjislacionin e duhur.
Në emër të punëdhënësve Z. Edvin Prençe, Kryetar i Shoqatës së Fasonerive foli mbi marrëdhëniet e kësaj shoqate me sindikatat, nevojën për kontraktim kolektiv, për dialog konstruktiv, si dhe u ndal në vështirësitë që po kalon ky sektor nga mungesa e fuqisë punëtore për efekt të emigrimit të të rinjve, si dhe goditjen që po mer sektori nga ulja e kursit të këmbimit.
Konferenca u moderua nga Zëvendës Presidentja e KSSH-sw, Znj. Anisa Subashi, e cila solli në vëmendje kërkesën e KSSH për një reformë në sistemin e pagave, të paraqitur Qeverisë Shqiptare nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Punës që me datë 20.Prill 2023 dhe për të cilën ka ngritur një grup pune.
Duke e parë çështjen e reformit të sistemit të pagave, ngritjen e pagave dhe pensioneve të lidhura ngushtë me transparencën dhe mirëqeverisjen e fondeve publike, KSSH si një organizatë aktive dhe gjithëpërfshirëse e të gjitha profesioneve, ka vendosur që të bashkëpunojë dhe të koordinojë aktivitetin e saj me aktorë potencial nga shoqëria civile, nga rrethet akademike dhe me organizatat tjera sindikale e të punëdhënësve më aktive dhe më të përfaqësuara me qëllim miratimin e një reforme të sistemit të pagave sa më të përshtatshme, efiçente dhe të ekuilibruar duke iu përafruar realitetit të ri të raportit kërkesë ofertë në tregun e punës dhe vlerësuar realisht çmimin e krahut të punës. Kjo do garantojë konsensus shoqëror dhe civil dhe mirëkuptim kombëtar për rritje reale të pagave dhe pensioneve dhe për të riformuluar një Kontratë të Re Sociale midis të tre aktorëve social me synim rritjen reale të mirëqenies e garantimin e punës së denjë e jetesës dinjitoze për puntorët dhe qytetarët e vendit tonë.
Share