Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) mirëpret dhe mbështet vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Inspektoratit Qendror të Punës (IQP) dhe organizimin e tij në një strukturë qendrore dhe pesë drejtori rajonale.
Megjithëse ky vendim është marrë pa një proces të plotë konsultimi me partnerët socialë dhe organizatat sindikale, KSSH e konsideron krijimin e këtij institucioni si një hap të domosdoshëm dhe një kërkesë të kahershme të lëvizjes sindikale shqiptare. Prej vitesh, veçanërisht pas mbylljes së Ministrisë së Punës, KSSH ka kërkuar ngritjen e një strukture të fortë, profesionale dhe të pavarur, të aftë për të garantuar zbatimin efektiv të legjislacionit të punës dhe mbrojtjen reale të të drejtave të punëmarrësve.
Përvoja e deritanishme me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka treguar se ai nuk arriti të përmbushë misionin e tij. Në vend që të ishte një mekanizëm efektiv për parandalimin e shkeljeve të ligjit, mbrojtjen e punëmarrësve dhe promovimin e sigurisë në punë, ai shpesh u perceptua si një institucion me efektivitet të kufizuar, me mungesë kapacitetesh dhe, në segmente të caktuara, i cenuar nga praktika korruptive. Në shumë raste, roli i tij u reduktua në evidentimin statistikor të aksidenteve dhe shkeljeve, pa ndërhyrë në mënyrë vendimtare për parandalimin e tyre.
KSSH vlerëson se organizimi i ri i Inspektoratit është më funksional dhe krijon mundësi për një qasje më efektive në mbikëqyrjen e marrëdhënieve të punës. Megjithatë, reforma institucionale duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me ndryshime dhe plotësime të legjislacionit të punës, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), duke garantuar pavarësinë funksionale të inspektimit, profesionalizmin e inspektorëve dhe zbatimin e barabartë të ligjit.
KSSH rithekson se mbështet çdo reformë, institucion apo mekanizëm partneriteti të ndërmarrë nga qeveria, punëdhënësit publikë dhe privatë, për aq kohë sa ai i shërben interesit publik, mbrojtjes së qytetarëve dhe të drejtave të punëtorëve shqiptarë. Institucionet e shtetit duhet të jenë në shërbim të ligjit, drejtësisë sociale dhe interesit publik, e jo në funksion të interesave të ngushta politike apo ekonomike.
KSSH do të vazhdojë të ndjekë nga afër procesin e ngritjes dhe funksionimit të Inspektoratit Qendror të Punës, duke kërkuar përfshirjen e partnerëve socialë në hartimin e akteve nënligjore dhe në monitorimin e zbatimit të kësaj reforme, me qëllim që ajo të sjellë rezultate konkrete për punëmarrësit dhe botën e punës në Shqipëri.
Presidenti i KSSH
Kol Nikollaj.


