Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë me datë 8 shtator 2018 në Hotel Tirana International organizoi mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme te Federatës së Sindikatave të Arsimit, Edukimit dhe Shkences të Shqipërisë (anëtare e KSSH) me te zgjedhurit sindikaliste të arsimit nga gjithë Shqipëria në kuadër të nisjes së vitit të ri shkollor 2018-2019. FSAESh (anëtare e KSSH) në këtë mbledhje ka analizuar situaten e krijuar ne sektorin e arsimit, nga reforma gjysmake dhe problematike e arsimit, ka denoncuar mosmbajtjen e premtimit për rritjen e pagës me 20% për mësuesit, mosmiratimin e statusit të arsimtarit, mungesa e pages së 13, si dhe nënshkrimin e kontratës kolektive nga Ministria e Arsimit me Sindikata fantazmë dhe ecurinë e procesit gjyqësor për këtë çështje. Objekt i denoncimeve ishin edhe mungesa e sigurisë në shkolla, transport i nxënësve si dhe puna në të zezë e punonjësve të sigurisë dhe punonjësve sanitare, mbyllja e shkollave me klasa kolektive, problematikat e paisjes me libra, si dhe problematikat ne punesime e krijimi i kushteve dinjitoze per arsimtaret ne pune, page e shpërblim, etj. Në këtë mbledhje Z. Kol Nikollaj, Presidenti KSSH ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe ka theksuar angazhimin e KSSH në mbrojtje të drejtave të punonjësve në sektorin e arsimit. Dr. Edlira Gjoni në këtë mbledhje ka mbajtur referatin kryesor me temë: “Reforma ne sistemin arsimor parauniversitar ne kendveshtrimin sindikalist”. Z. Hajrush Çollaku, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Sindikatave te Arsimit, Edukimit dhe Shkences të Shqipërisë (anëtare e KSSH) në referatin e tij: “FSPAESH e vetmja sindikatë në Shqipëri që mbron dhe përfaqëson interesat e të gjithë të punësuarve në arsim” ka evidentuar problemet kryesore që kanë të punësuarit në sektorin e arsmit dhe ka parashtruar punën që duhet bërë për përmirësimin e situatës. Në mbledhje kanë marrë fjalën shumë mësues sindikalist ku kanë evidentuar problemet kryesore te arsimit në rrethet e ndryshme te vendit. Në fund të mbledhjes është miratuar një Rezolutë e cila i është derguar Qeverisë dhe Ministrisë.