Drejtuar: Z.Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Nga: Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.
Lënda: Kërkesë për miratimin dhe garantimin e pagës së 13-të për të gjithë punëmarrësit e sektorit publik, me përfitim në fund të çdo viti kalendarik.
I nderuar zoti Kryeministër,
Në emër të interesave të punëmarrësve dhe në funksion të mbrojtjes së të drejtave ekonomike e sociale të tyre, kërkojmë marrjen e nismës ligjore dhe institucionale për miratimin e pagës së 13-të, si një e drejtë dhe përfitim financiar vjetor për të gjithë punonjësit e sektorit publik në Republikën e Shqipërisë.
Kjo kërkesë duhet të përfshijë punonjësit e arsimit, shëndetësisë, administratës publike dhe shërbimit civil të pushtetit qendror dhe vendor, punonjësit e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, shoqërive aksionare me kapital shtetëror, strukturave të Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të tjera publike, pavarësisht nga statusi i tyre i punësimit, duke respektuar veçoritë ligjore dhe financiare të secilës kategori.
Paga e 13-të përbën një domosdoshmëri ekonomike, sociale dhe sindikale. Ajo është një mekanizëm konkret për rishpërndarjen më të drejtë të produktit shoqëror dhe të vlerës së krijuar nga puna, si dhe një mënyrë për të njohur kontributin e punonjësve që garantojnë funksionimin e shtetit dhe ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.
Në kushtet e rritjes së kostos së jetesës dhe presionit mbi buxhetet familjare, një përfitim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e fuqisë blerëse, stimulimin e konsumit të brendshëm, gjallërimin e ekonomisë dhe mbështetjen e familjeve në periudhën e festave të fundvitit. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj mbështetjeje do të rikthehej në ekonomi nëpërmjet konsumit, qarkullimit tregtar dhe të ardhurave fiskale.
Paga e 13-të është gjithashtu një praktikë e njohur në një sërë vendesh dhe mund të shërbejë si instrument i konsensusit shoqëror, i amortizimit të problematikave ekonomike dhe sociale dhe i forcimit të marrëdhënieve të qëndrueshme ndërmjet shtetit dhe punëmarrësve.
Kjo nismë duhet të mbështetet në parimet kushtetuese të drejtësisë sociale, mbrojtjes së punës dhe të drejtave ekonomike e sociale, në Kodin e Punës, në legjislacionin për nëpunësin civil, në kuadrin ligjor për pagat dhe trajtimet financiare në administratën publike, si dhe në standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe Kartës Sociale Evropiane. Ajo duhet të jetë në përputhje me parimet e dialogut social, kontraktimit kolektiv, negocimit dhe konsultimit me organizatat sindikale përfaqësuese.
Në kuadër të integrimit evropian, garantimi i dinjitetit në punë, siguria ekonomike e punëmarrësve, aksesi i barabartë në drejtësi, arsim, shëndetësi, transport dhe shërbime publike cilësore janë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të një modeli social evropian. Për këtë arsye, politika e pagave duhet të jetë edhe politikë e kohezionit dhe e solidaritetit shoqëror.
Për sa më sipër, kërkojmë nga Këshilli i Ministrave:
• Hartimin dhe miratimin e kuadrit të nevojshëm ligjor për garantimin e pagës së 13-të për të gjithë punëmarrësit e sektorit publik.
• Përfshirjen e këtij detyrimi në planifikimin buxhetor vjetor, me pagesë në muajin dhjetor të çdo viti.
• Shtrirjen e përfitimit në të gjitha institucionet, strukturat dhe shoqëritë publike të përcaktuara në këtë kërkesë, duke garantuar trajtim të drejtë dhe pa diskriminim.
• Hapjen e dialogut social dhe institucional me organizatat sindikale përfaqësuese për përcaktimin e kritereve, masës dhe mënyrës së përfitimit.
• Krijimin e mekanizmave ligjorë dhe financiarë që e bëjnë këtë përfitim të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të garantuar çdo vit.
• Paga e 13-të nuk është lëmoshë, dhuratë apo favor i përkohshëm i qeverisë. Ajo është një instrument i drejtësisë sociale, i vlerësimit të punës dhe i solidaritetit ekonomik.
Punonjësit që çdo ditë kontribuojnë për shtetin dhe shoqërinë meritojnë që ky kontribut të përkthehet edhe në më shumë siguri ekonomike dhe dinjitet për ta dhe familjet e tyre.
Duke besuar në përgjegjësinë tuaj institucionale dhe në domosdoshmërinë e një politike më të drejtë të të ardhurave, kërkojmë shqyrtimin dhe marrjen e masave konkrete për realizimin e kësaj kërkese.
Me respekt për bashkëpunimin,
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, KSSH.
President
Kol Nikollaj


