NJË TJETËR ELEKTRICIST HUMB JETËN NË PUNË ! DERI KUR DO TË VAZHDOJË KJO GJAKDERDHJE NË VENDET E PUNËS?
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) dënon me forcën më të madhe humbjen tragjike të jetës së elektricistit Altin Petanaj, në nënstacionin elektrik të Koculit, në Vlorë.
Ende pa u përcjellë për në banesën e fundit kolegu ynë, elektricisti që humbi jetën në Dibër, një tjetër punonjës humb jetën sot në krye të detyrës! Kjo nuk është më një tragjedi e izoluar, por një alarm i rëndë për sigurinë në punë dhe një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj përgjegjësve institucionalë.
Këto jetë nuk po i merr vetëm rreziku i profesionit, por një sistem parandalimi që nuk funksionon, drejtues që nuk mbajnë përgjegjësi dhe institucione shtetërore që reagojnë vetëm pasi punëtorët kanë humbur jetën.
T
rajnimi dhe edukimi për sigurinë në punë janë kthyer në formalitet. Këshillat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë nuk kryejnë funksionin e tyre. Testimi dhe certifikimi për sigurimin teknik, i kaluar nga kompanitë energjetike te subjekte private, ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë, kontrollin dhe transparencën, duke kërkuar hetim të plotë për çdo parregullsi të mundshme.
KSSH denoncon mungesën e përgjegjësisë administrative të punëdhënësve dhe kërkon llogari për rolin e Inspektoratit të Punës , i cili duhet të jetë garant i jetës së punëtorëve dhe jo thjesht një institucion që konstaton tragjeditë pasi ato ndodhin.
Po kështu, dënojmë zvarritjen e hetimeve penale dhe kërkojmë që hetimet të mos përfundojnë, si në shumë raste, me fajësimin e viktimës. Përgjegjësia duhet të shkojë deri te drejtuesit, urdhërdhënësit dhe çdo hallkë që ka shkelur detyrimet ligjore.
KSSH kërkon:
– Hetim të plotë, të pavarur dhe transparent për të dyja ngjarjet.
– Identifikimin dhe ndëshkimin penal të çdo personi përgjegjës, nëse provohet fajësia.
– Përgjegjësi administrative për punëdhënësit dhe drejtuesit përgjegjës.
– Auditimin e sistemit të trajnimit, testimit dhe certifikimit për sigurinë teknike.
– Kontroll real dhe masa parandaluese në të gjitha strukturat e sektorit energjetik.
Sindikalistët nuk do të heshtin më! Nëse institucionet dhe punëdhënësit vazhdojnë me të njëjtën papërgjegjshmëri, KSSH do të ndërmarrë protesta dhe do të organizojë veprime sindikale, deri në greva, për të sensibilizuar opinionin publik dhe për të kërkuar përgjegjësi e drejtësi.
Nuk mund të pranojmë që punëtorët të shkojnë në punë për të siguruar bukën e familjeve dhe të kthehen në arkivole.
Jeta e punëtorit nuk është kosto biznesi, as statistikë aksidentesh dhe as çështje që mbyllet me një procesverbal.!
KSSH i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Altin Petanajt, kolegëve, miqve dhe të afërmve të tij.
MJAFT MË ME FJALË NGUSHËLLIMI PAS ÇDO VDEKJEJE!
DUAM PËRGJEGJËSI, DREJTËSI DHE SIGURI NË PUNË!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH)


