KSSH: JETA E PUNONJËSVE NUK MUND TË JETË NË RREZIK! KËRKOJMË ZERO AKSIDENTE NË PUNË!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për një tjetër aksident tragjik në vendin e punës, ku ka humbur jetën elektricisti Lulzim Shehu, në fshatin Vasije të Dibrës, gjatë kryerjes së detyrës.
KSSH i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të viktimës. Humbja e një jete njerëzore në vendin e punës është një tragjedi e rëndë njerëzore dhe një kambanë alarmi për të gjithë institucionet përgjegjëse.
Nuk mund të vazhdojmë të numërojmë viktima dhe të flasim vetëm pas çdo tragjedie! Jeta dhe shëndeti i punonjësve duhet të jenë mbi çdo interes ekonomik apo institucional.
Vdekja e elektricistit në Dibër nuk është një rast i izoluar. Ajo vjen pas një serie aksidentesh fatale që kanë marrë jetën e punonjësve të sektorit energjetik gjatë këtij viti. Kjo situatë është alarmante dhe kërkon reagim të menjëhershëm, jo deklarata formale dhe heshtje institucionale.
KSSH kërkon:
- Hetim të plotë, të pavarur dhe transparent për zbardhjen e rrethanave të aksidentit në Dibër dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore e institucionale.
- Ndëshkimin e çdo shkelësi të ligjit, pavarësisht funksionit apo pozicionit që mban. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin kur bëhet fjalë për jetën e punonjësve.
- Kontroll të menjëhershëm të kushteve të sigurisë në punë në të gjitha strukturat e sektorit energjetik, si dhe verifikimin e zbatimit të rregullave të sigurisë teknike.
- Investime reale në pajisje mbrojtëse, mjete pune dhe teknologji bashkëkohore, që garantojnë sigurinë e punonjësve gjatë ushtrimit të detyrës.
- Edukimin, trajnimin dhe kualifikimin e vazhdueshëm të punonjësve, sepse parandalimi i aksidenteve nuk është luks, por domosdoshmëri.
- Përgjegjësi dhe reagim konkret nga organet shtetërore, institucionet e inspektimit dhe organet e hetimit penal. Nuk mund të pranohet që institucionet të kujtohen për sigurinë në punë vetëm pasi ndodh një aksident me pasoja fatale.
KSSH thekson se parandalimi i aksidenteve në punë duhet të jetë prioritet kombëtar. Punëdhënësit dhe institucionet përgjegjëse kanë detyrimin ligjor dhe moral të garantojnë kushte të sigurta pune. Asnjë punonjës nuk duhet të largohet nga shtëpia për të fituar bukën e familjes dhe të mos kthehet më!
Një thirrje e veçantë u drejtohet sindikalistëve dhe të gjithë punëmarrësve: Ngrini zërin! Mos heshtni përballë pasigurisë! Bashkohuni dhe organizohuni për të mbrojtur jetën, shëndetin, dinjitetin dhe të drejtat tuaja!
Sindikatat duhet të jenë zëri i fuqishëm i punonjësve, të kërkojnë llogari nga punëdhënësit dhe institucionet dhe të mos lejojnë që siguria në punë të sakrifikohet për interesa ekonomike.
KSSH kërkon ZERO AKSIDENTE NË PUNË!
Siguria në punë është e drejtë themelore. Parandalimi është detyrim. Përgjegjësia nuk mund të shmanget dhe jeta e punonjësve nuk mund të negociohet.
PUNË E DENJË DO TË THOTË EDHE PUNË E SIGURT!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH)


