Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh shqetësimin e saj të thellë për zhvillimet e fundit ekonomike dhe sociale në vend dhe vlerëson se Shqipëria po përballet me një situatë që nuk mund të trajtohet më me deklarata të përgjithshme për rritjen ekonomike.
Ekonomia shqiptare po përjeton një kontradiktë të fortë: nga njëra anë raportohet rritje ekonomike, investime dhe zhvillim i turizmit e ndërtimit, ndërsa nga ana tjetër një pjesë e rëndësishme e ekonomisë reale – industria, manifaktura, eksportet përpunuese, bujqësia dhe punësimi formal – po përballet me presione gjithnjë e më të mëdha.
KSSH e konsideron këtë situatë një rrezik serioz ekonomik dhe social. Nëse këto probleme nuk adresohen me politika të qarta, transparente dhe të koordinuara, ato mund të shndërrohen në një “bombë sociale” që mund të shpërthejë në çdo moment.
1. RËNIA E INDUSTRISË ËSHTË NJË SINJAL ALARMANT.
Industria dhe zhvillimi industrial janë një hap i domosdoshëm për ta çuar Shqipërinë drejt një ekonomie më produktive, më konkurruese dhe me paga më të larta.
Por Shqipëria rrezikon të ecë në drejtim të kundërt.
Të dhënat e Eurostat për vitet e fundit tregojnë një dobësim të rëndësishëm të aktivitetit industrial shqiptar. Kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për Qeverinë, punëdhënësit dhe institucionet përgjegjëse për politikat ekonomike.
Problemi nuk është vetëm rënia e një treguesi statistikor. Problemi është se pas këtij treguesi qëndrojnë:
vende pune të rrezikuara;
kompani që humbasin konkurrueshmërinë;
eksporte me vlerë të ulët të shtuar;
të ardhura më të ulëta për punëtorët;
emigrim i fuqisë punëtore;
dobësim i bazës prodhuese të ekonomisë;
varësi gjithnjë e më e madhe nga turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.
KSSH vlerëson se një vend nuk mund të ndërtojë prosperitet afatgjatë vetëm mbi turizmin, ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme.
Shqipërisë i duhet një strategji e re industriale.
2. MBI ÇMIMI I LEKUT DHE RËNIA E EUROS – PROBLEM PËR EKSPORTUESIT DHE PUNËTORËT.
KSSH nuk kërkon ndërhyrje administrative në kursin e këmbimit dhe respekton pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe regjimin e kursit të lirë.
Por njëkohësisht nuk mund të injorohen pasojat ekonomike dhe sociale të forcimit të lekut.
Kursi zyrtar i euros ishte rreth 93.5 lekë për euro në fund të korrikut 2026, sipas Bankës së Shqipërisë.
Për një kompani që eksporton dhe realizon të ardhurat në euro, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e kostove të saj janë në lekë, forcimi i lekut mund të ngushtojë marzhet dhe të dobësojë konkurrueshmërinë.
Ky efekt është veçanërisht i rëndësishëm për manifakturën shqiptare, tekstilet, këpucët, industrinë përpunuese dhe sektorët e tjerë eksportues.
Prandaj KSSH kërkon:
një analizë të plotë të ndikimit të kursit të këmbimit mbi eksportet, punësimin, pagat, industrinë dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Kjo analizë duhet të bëhet publikisht dhe në kuadër të një dialogu trepalësh:
QEVERI – PUNËDHËNËS – PUNËMARRËS.
3. INFORMALITETI – NJË PLAGË E RËNDË E TREGUT TË PUNËS.
Informaliteti nuk është vetëm problem fiskal.
Informaliteti është problem social, sindikal dhe ekonomik.
Ai do të thotë:
mungesë sigurimesh shoqërore;
pensione më të ulëta;
mungesë mbrojtjeje në rast aksidenti;
paga të nëndeklaruara;
orare të zgjatura;
mungesë kontratash;
konkurrencë të pandershme ndaj bizneseve që zbatojnë ligjin;
humbje të të ardhurave për shtetin dhe skemat sociale.
Të dhënat e kontrolleve të Inspektoratit Shtetëror të Punës tregojnë një problem serioz me sigurimin dhe formalizimin e punonjësve. Në një aksion në sektorin e hoteleri-turizmit, nga kontrollet e kryera në 1,400 subjekte me 10,600 punonjës, 38% rezultuan me probleme në sigurimin e punonjësve.
KSSH kërkon që informaliteti të mos trajtohet vetëm me aksione sporadike dhe gjoba.
Duhet një Strategji Kombëtare kundër Informalitetit në Punë, me objektiva, afate, përgjegjësi institucionale dhe raportim publik çdo gjashtë muaj.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet:
ndërtimit, turizmit, bujqësisë, tregtisë, transportit, manifakturës dhe ekonomisë së shërbimeve.
4. KSSH KËRKON RIKTHIMIN E DIALOGUT SOCIAL TREPALËSH.
KSSH kërkon funksionimin real dhe jo formal të mekanizmave të dialogut social.
Dialogu social duhet të jetë instrument përpara se kriza të shpërthejë dhe jo mekanizëm që aktivizohet vetëm pasi problemet janë bërë të pakontrollueshme.
KSSH kërkon:
Mbledhjen urgjente të mekanizmave të dialogut social.
Hartimin e një Analize Kombëtare Trepalëshe të Ekonomisë Shqiptare.
Analizë të përbashkët të Qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve mbi:
prodhimin;
produktivitetin;
pagat;
punësimin;
informalitetin;
emigracionin;
kursin e këmbimit;
eksportet;
importet;
pensionet;
industrinë;
bujqësinë;
turizmin;
ndërtimin.
Publikimin e rezultateve për qytetarët.
Vendosjen e objektivave të matshëm dhe afateve të zbatimit.
Transparenca ndaj publikut duhet të jetë pjesë e detyrueshme e këtij procesi.
5. RRITJA E PAGAVE DUHET TË LIDHET ME PRODUKTIVITETIN DHE DINJITETIN NË PUNË.
Nga 1 janari 2026 paga minimale është përcaktuar në 50,000 lekë, sipas buxhetit të vitit 2026.
KSSH e konsideron këtë një hap të pamjaftueshëm përballë kostos së jetesës, nevojës për të frenuar emigracionin dhe objektivit për të afruar standardet e jetesës me vendet europiane.
KSSH kërkon vendosjen e një objektivi të ri:
PAGA MINIMALE 600 EURO.
Ky objektiv duhet të shoqërohet me:
rritje të produktivitetit;
investime në teknologji;
trajnim profesional;
formalizim të ekonomisë;
lehtësim të barrës së padrejtë mbi punëtorët;
politika aktive për industrinë dhe eksportet;
mbështetje për ndërmarrjet që rrisin pagat dhe produktivitetin.
KSSH nuk e sheh rritjen e pagave si kosto.
Paga më e lartë është investim në kapitalin njerëzor, në produktivitet, në konsum dhe në stabilitetin social.
6. PENSIONET – DINJITET PËR ATA QË NDËRTUAN VENDIN.
KSSH kërkon një reformë të pensioneve që nuk mbështetet vetëm në indeksime periodike, por garanton rritje reale të fuqisë blerëse.
KSSH kërkon:
RRITJE TË PENSIONEVE ME 20–30%.
Rritja duhet të jetë veçanërisht e ndjeshme për pensionet më të ulëta dhe kategoritë më të ekspozuara ndaj varfërisë.
Një shoqëri që kërkon zhvillim nuk mund të lërë pas dore njerëzit që kanë punuar dhe kontribuar për dekada.
7. SHQIPËRIA DUHET TË NDALOJË EKSPORTIN E LËNDËVE TË PARA PA VLERË TË SHTUAR.
KSSH kërkon një ndryshim themelor të modelit ekonomik.
Nuk mund të jetë objektiv kombëtar që Shqipëria të eksportojë kryesisht lëndë të para dhe të importojë produkte të përpunuara me çmime shumë më të larta.
KSSH kërkon një politikë kombëtare të vlerës së shtuar shqiptare.
Kjo duhet të përfshijë:
bakrin;
kromin;
naftën;
mineralet e tjera;
KSSH kërkon;
Ristrukturim ekonomik urgjent – domosdoshmëri për punëtorët dhe ekonominë;
Rritja ekonomike nuk mund të matet vetëm me shifrat e PBB-së apo me rritjen nominale të pagave. Ajo duhet të përkthehet në punësim cilësor, paga dinjitoze, produktivitet më të lartë dhe mirëqenie të qëndrueshme për punëtorët.
Për këtë arsye, kërkohet ristrukturim ekonomik urgjent, me fokus në forcimin e prodhimit vendas, industrisë, bujqësisë, teknologjisë dhe sektorëve me vlerë të shtuar. Një ekonomi që mbështetet kryesisht te konsumi, ndërtimi dhe shërbimet nuk krijon bazë të mjaftueshme për zhvillim afatgjatë.
Nga këndvështrimi sindikal, rritja e produktivitetit duhet të shoqërohet me ndarje më të drejtë të vlerës së krijuar. Punëtorët nuk mund të mbajnë koston e krizave, inflacionit dhe informalitetit, ndërsa përfitimet ekonomike përqendrohen te një pjesë e kufizuar e ekonomisë.
Prandaj kërkojmë një politikë të re ekonomike që të lidhë rritjen e pagave me rritjen e produktivitetit, investimet me vende pune të qëndrueshme dhe politikat fiskale me mbrojtjen sociale. Formalizimi i punës, fuqizimi i dialogut social dhe investimi në aftësitë e punëtorëve duhet të jenë pjesë e këtij transformimi.
Nuk mjafton të rritet ekonomia; duhet të ndryshojë struktura e saj. Ristrukturimi ekonomik nuk është më një alternativë, por një nevojë urgjente për të garantuar punë dinjitoze, paga të drejta dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Asambleja e Përgjithshme e KSSH-së.
Tiranë 15 Gusht 2026.


