Konfederata e Sindikatave te Shqiperise , shpreh shqetësimin e thellë për aksidentin e rëndë të ndodhur sot në një minierë kromi në Tërnovë të Madhe, Bulqizë, ku gjatë procesit të punës mbeti i bllokuar minatori Ilir Kalaveri.
Në këto momente, mendimet tona janë me familjen e tij, kolegët dhe të gjithë minatorët që çdo ditë përballen me rrezikun për të siguruar jetesën.
Ky nuk është një rast i izoluar. Aksidentet në punë vazhdojnë të përsëriten në sektorin minerar, në ndërtim, në energjetikë, në transport, në bujqësi dhe në sektorë të tjerë, ndërsa punëtorët vazhdojnë të paguajnë me jetën ose me shëndetin e tyre mungesën e sigurisë në vendin e punës.
KSSH kërkon që hetimi për këtë ngjarje të jetë i plotë, i pavarur dhe transparent. Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, përgjegjësit duhet të vihen përpara përgjegjësisë ligjore. Çdo aksident në punë duhet të hetohet me seriozitet dhe jo të mbyllet si një statistikë e radhës.
Është e papranueshme që kontrolli dhe zbatimi i ligjit për sigurinë në punë të mos japin rezultatet e nevojshme. Inspektimet duhet të jenë të vazhdueshme, efektive dhe parandaluese, veçanërisht në sektorët me risk të lartë si minierat. Mbrojtja e jetës së punëtorëve nuk mund të jetë një formalitet administrativ.
Punëtorët janë shtylla e ekonomisë shqiptare dhe partnerë të domosdoshëm në zhvillimin e vendit. Për këtë arsye, ata kanë të drejtë të kërkojnë nga qeveria, institucionet përgjegjëse dhe çdo punëdhënës siguri në vendin e punës, respektim të ligjit dhe drejtësi sa herë që ndodh një aksident.
KSSH i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa urgjente parandaluese në të gjithë sektorët me risk, të forcojnë kontrollin mbi zbatimin e standardeve të sigurisë dhe të garantojnë që çdo shkelje të marrë përgjigjen që parashikon ligji.
Asnjë punëtor nuk duhet të humbasë jetën për të fituar bukën e gojës. Siguria në punë është një e drejtë themelore dhe mbrojtja e saj është detyrim i shtetit, i punëdhënësve dhe i çdo institucioni përgjegjës.


