INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Mbrojtja e punëtorëve nga temperaturat ekstreme është detyrim ligjor, social dhe njerëzor.

Mbrojtja e punëtorëve nga temperaturat ekstreme është detyrim ligjor, social dhe njerëzor.
Temperaturat e larta që po përjeton vendi ynë gjatë kësaj vere nuk janë më një fenomen i izoluar. Ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në botën e punës, duke rritur rrezikun për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve, veçanërisht për ata që punojnë në ndërtim, bujqësi, transport, industri, shërbime publike dhe në ambiente pune ku mungojnë kushtet e përshtatshme të ventilimit apo klimatizimit.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh shqetësimin për ekspozimin e punëtorëve ndaj temperaturave ekstreme dhe u bën thirrje të gjithë punëdhënësve dhe institucioneve shtetërore të marrin masa të menjëhershme për garantimin e kushteve të sigurta të punës.
E drejta për një vend pune të sigurt është një e drejtë themelore e çdo punëtori.
Ajo garantohet nga Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, nga Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, si dhe nga konventat ndërkombëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), të ratifikuara nga Shqipëria, të cilat ngarkojnë punëdhënësit me përgjegjësinë për të identifikuar, parandaluar dhe minimizuar çdo rrezik që cenon jetën dhe shëndetin e punëmarrësve.
Asnjë objektiv ekonomik apo afat pune nuk mund të vendoset mbi jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Në kushtet e temperaturave ekstreme, KSSH kërkon që të zbatohen menjëherë masat e mëposhtme:
riorganizimi i orarit të punës, duke shmangur punën në orët me temperatura më të larta;
pushime të rregullta dhe të paguara në ambiente të freskëta ose me hije;
furnizim të vazhdueshëm me ujë të pijshëm dhe mjete për hidratim;
sigurimin e ventilimit dhe klimatizimit në ambientet e mbyllura të punës;
pajisje mbrojtëse të përshtatshme për punën në temperatura të larta;
informimin dhe trajnimin e punëtorëve për njohjen dhe parandalimin e stresit termik, goditjes nga të nxehtit dhe rreziqeve të tjera të lidhura me temperaturat ekstreme;
pezullimin e përkohshëm të punës në rastet kur temperaturat apo kushtet e punës paraqesin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëmarrësve.
KSSH u bën thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Ministrisë përgjegjëse për punën dhe të gjitha institucioneve kompetente të shtojnë kontrollet në sektorët me risk të lartë, të monitorojnë zbatimin e legjislacionit dhe të marrin masa ndaj çdo punëdhënësi që nuk respekton detyrimet ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Ndryshimet klimatike kërkojnë politika të reja dhe masa të qarta mbrojtëse në vendin e punës. Shqipëria duhet të ndërtojë standarde që i përgjigjen realitetit të ri klimatik, duke vendosur në qendër jetën, shëndetin dhe dinjitetin e punëtorëve.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri të drejtën e çdo punëtori për kushte pune të sigurta dhe dinjitoze.
Asnjë punëtor nuk duhet të rrezikojë jetën për të fituar bukën e gojës.
Shëndeti dhe siguria në punë janë të drejta që duhen garantuar, jo privilegje që duhen kërkuar.
Konfederata e Sindikatave te Shqiperise, KSSH.
Share