5 Qershor 1991 – 5 Qershor 2026!
35 Vjet në shërbim të punëtorëve, solidaritetit dhe drejtësisë sociale!
Sot, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shënon me krenari 35-vjetorin e themelimit të saj.
Më 5 Qershor 1991, në një periudhë të vështirë transformimesh politike, ekonomike dhe shoqërore, lindi KSSH-ja si zëri i lirë dhe i pavarur i punëmarrësve shqiptarë.
Përgjatë këtyre 35 viteve, KSSH ka mbrojtur me vendosmëri të drejtat e punëtorëve, ka promovuar dialogun social dhe ka kontribuar në ndërtimin e një Shqipërie më demokratike, më sociale dhe më europiane.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, ne shprehim mirënjohjen dhe respektin më të thellë për mijëra anëtarë, aktivistë dhe drejtues sindikalë që me përkushtimin e tyre kanë ndërtuar historinë e organizatës sonë.
Nderojmë veçanërisht ata që nuk janë më mes nesh, por që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në themelet dhe vlerat e KSSH-së.
Sot, sfidat e botës së punës janë të reja: emigracioni, mungesa e fuqisë punëtore, transformimi teknologjik, kostot e jetesës dhe nevoja për paga e kushte më dinjitoze. Përballë këtyre sfidave, KSSH mbetet e vendosur të forcojë mbrojtjen e punëmarrësve, të zgjerojë dialogun social dhe të luftojë për punë të denjë, paga të drejta, siguri në punë dhe mbrojtje sociale për të gjithë.
Vizioni ynë mbetet i pandryshuar: një Shqipëri me sindikata të forta, me punëmarrës të respektuar, me drejtësi sociale dhe me standarde europiane të punës e mirëqenies.
Në këtë jubile të 35-vjetorit, riafirmojmë angazhimin tonë për të qenë pranë çdo punëtori, çdo familjeje dhe çdo qytetari që beson tek solidariteti, barazia dhe dinjiteti njerëzor.
35 vjet histori, përvojë dhe përkushtim.!
35 vjet zë i punëtorëve shqiptarë.!
35 vjet KSSH.!
Gëzuar 35-vjetorin e themelimit të KSSH-së!
Presidenca Ekzekutive e KSSH-së
5 Qershor 2026


